Malaj: Rreziku për PS-në s’janë debatet e brendshme, por stërmundimi për të mbyllur çdo diskutim

0
164

Arben_MalajIsh ministri i Financave i Shqipërisë, Arben Malaj, tha se pa demokratizuar partinë nuk mund të ketë një qeverisje demokratike. Në një intervistë në studion e Zërit të Amerikës, Zoti Malaj iu referua një debati të rindezur brenda Partisë Socialiste në prag të zgjedhjeve për kryesinë e saj. Zoti Malaj, i cili më parë ka qenë pjesë e përpjekjeve brenda PS për ta demokratizuar partinë, tha se debati nuk dëmton. “Më vjen keq që në debatin që bëhet nga disa kolegë të Partisë Socialiste këtë diskutim që bën zoti Blushi arrijnë e konsiderojnë deri në një – është investim i PD-së apo është gjuha e Berishës ose kjo zhurmë në parti po na vë në dyshim qeverisjen e vendit. Në asnjë vend të botës, në asnjë teori dhe në asnjë praktikë, zhvillimet pozitive, debatet se çfarë duhet bërë më mirë nuk e dëmtojnë një qeverisje”, tha ai. Më tej i pyetur për të ardhmen e PS-së dhe rreziqet që i kanosen, Malaj theksoi se,: “Unë mendoj që rreziku për PS-në nuk janë debatet e brendshme. Rreziku për PS-në është stërmundimi i disa kolegëve në Partinë Socialiste për të mbyllur çdo diskutim, qoftë dhe në qoftë se nuk respektohen disa rregulla shoqërore, miqësore apo etike. Ne duhet të ndajmë kush është risku më i madh, hapja e një debati dhe një diskutimi apo mbyllja me çdo mënyrë e çdo debati dhe çdo diskutimi. Problemi ka qenë kur faktorë të tjerë e gërryejnë qeverisjen e një vendi dhe pavarësisht sado unike të duket një parti, (PD-ja ka qenë gjithmonë unike) por ka patur ciklet e saj, sepse pikërisht është gërryer në qeverisjen e saj dhe pastaj ka paguar një kosto elektorale”. Lidhur me mënyrën se si drejtohen partitë ish-ministri socialist nënvizoi se,: “Unë besoj që është një proces i vështirë. Fatkeqësisht trendi nuk ka qenë pozitiv vitet e fundit. Duhet më shumë angazhim, më shumë përgjegjshmëri, më shumë vet-kontribut edhe nga faktorë të tjerë socialë, shoqërorë, pjesa akademike, pjesa e kulturës, pjesa e njerëzve me influencë publike, sepse duke pritur që të modernizohen patjetër partitë politike ne do të shikojmë që nga duele do të shkojmë në duete dhe nga duete do të shkojmë në trio”.