Federata ka deklaruar se kuqezinjtë do të ndeshen me Austrinë në miqësoren që do të zhvillohet në Mars, në Vjenë
Mesfushori fantasist pas problemeve në Zvicër do të transferohet te Como me shpresën që të ketë vendin e tij në Euro 2016
Me hyrjen e vitit të ri aroma e Francë 2016 duket se ka filluar të ndihet edhe më shumë. Miqësoret e marsit janë dhe testi më i mirë për kuqezinjtë dhe për De Biazin që të vendosi se kush janë emrat që meritojnë të shkojnë në Euro 2016. Federata Shqiptare e Futbollit zyrtarizoi miqësoren me Austrinë në muajin Mars. Ndeshja ndërmjet dy finalisteve të Euro 2016 do të luhet në stadiumin Ernst Happel të Vjenës, në datën 26. Federatat e dy vendeve i mbyllën me suskes negociatat ditë më parë, ndërsa bashkarisht vendosën që zyrtarizimi për ndeshjen të jepej në sinkron paraditen e së mërkurës. Sfida përballë ekipit që në evenimentin në Francë ndodhet në Grupin F, me rivalë si Portugalia, Hungaria dhe Islanda, do të luhet në kryeqytetin austriak në orën 17:30. Testi cilësohet tejet i rëndësishëm për kuqezinjtë, për të përballuar me sukses sfidat në Grupin A të Kampionatit Europian. Austria është një skuadër me karakteristika të përafërta me Zvicrën, për nga stili i lojës por edhe për kualitetin e madh që zotëron. Ylli i ekipit është David Alaba i Bayern Munchen, që me Kombëtaren luan si mesfushor, ndërsa sulmuesi më i rëndësishëm është veterani i Baselit, Marc Janko. Austria nuk është zgjedhur rastësisht. Si një kundërshtar që strategjinë e lojës e bazon te lëvizja e vazhdueshme në fushë dhe presingu shumë i lartë, ata janë kundërshtari ideal për të kuptuar se çfarë i nevojitet Shqipërisë përballë një favoriti si Zvicra. Përfaqësuesja austriake i mbylli kualifikueset në vendin e parë të Grupit G, me 28 pikë, duke lënë pas Rusinë e Suedinë, ku koleksionoi një barazim dhe 9 fitore radhazi. Kjo do të jetë përballja e shtatë historike e Shqipërisë me Austrinë. Në gjashtë ndeshjet e mëparshme, të luajtura të gjitha në vitet ’80, kuqezinjtë kanë dalë gjithmonë të humbur nga fusha, ku kanë pësuar 13 gola në total, duke shënuar vetëm një herë.
Basha transferohet te Como
Migjen Basha është zyrtarisht lojtar i ri i Comos në Serinë B italiane. Transferimi i mesfushorit të Kombëtares kuqezi u konfirmua nga klubi i Superligës zvicerane, Luzern. Në faqen zyrtare të ekipit që ka në pronësi kartonin e lojtarit, saktësohet se shqiptari u huazua te Como deri në fund të këtij sezoni. Më specifikisht, 29-vjeçari kuqezi do të luajë në ekipin e Serisë B deri më 30 Qershor 2016 dhe më pas do të kthehet sërish në futbollin Zviceran. Mesfushori kthehet në futbollin italian, vetëm gjashtë muaj pasi mbylli aventurën me Torinon dhe u rikthye në Zvicër. Migjen Basha ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës në tri kategoritë më të larta përtej Adriatikut, nga Liga Pro, për të vazhduar në Serinë B dhe Serinë A me ngjyrat e Torinos, ku numëron 51 ndeshje në elitën e futbollit italian. Largimi i mesfushorit nga Luzerna erdhi për shkak të aktivizimit të pakët, që i rrezikonte pjesëmarrjen me Kombëtaren në finalet e Euro 2016. Edhe pse ishte një prej elementëve më të rëndësishëm të skuadrës, Basha u aktivizua në 7 ndeshje nga 18 javë të zhvilluara në Superligën zvicerane, ku vetëm në katër raste ishte titullar.