Historiani Malcolm: Ballkani ka probleme me tekstet shkollore të historisë, ndikon politika nacionaliste

0
232

 

noelNë një bisedë në misionin diplomatik të Kosovës, në Londër, në prag të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, historiani dhe studiuesi i njohur britanik, Sir Noel Malcolm deklaroi se, Ballkani ka ende probleme me tekstet shkollore të historisë, pasi ato e pasqyrojnë të kaluarën ashtu siç dëshiron politika nacionaliste, por një gjë e këtillë nuk është e shëndetshme për të ardhmen e popujve të rajonit.

Në takimin ku merrnin pjesë ish-diplomatë britanikë, deputetë shqiptarë dhe miq të Shqipërisë dhe Kosovës në Londër, Sir Malcolm, duke folur për politikën e jashtme britanike për Ballkanin deri në kohën e Milosheviçit, theksoi se duhej vërtetuar që përkrahja britanike për Serbinë ishte ndërtuar mbi gënjeshtrat, që kishin sajuar historianët serbë dhe politika serbe.

Sir Noel Malcolm, hulumtues i lartë shkencor në Universitetin e Oxfordit dhe anëtar i Akademisë Shkencore Britanike, ka folur edhe për punën e tij të historianit, e cila në botë vlerësohet maksimalisht e për të cilën në vitin 2014, Mbretëresha Elisabeth II e ka dekoruar me titullin “Sir”.

Si student dhe si gazetar në revistën e famshme politike “The Spectator”, e më vonë në “The Telegraph” të Londrës, Sir Malcolm kishte udhëtuar në disa vende të Ballkanit, përfshirë Turqinë, dhe kishte mësuar gjuhët e tyre, përfshi dhe shqipen.

Në qershor të vitit 1989, – tha ai, – kishte ecur në këmbë nga Tetova deri në Prizren, duke i kaluar malet e Sharrit, ku kishte fjetur në shtëpitë e fshatarëve të kësaj ane. Pastaj, më 28 qershor kishte mbërritur në Gazimestan dhe ishte ulur ndër rreshtat e parë, për të dëgjuar “fjalimin historik” të Slobodan Milosheviçit.

Pasi kishte dëgjuar fjalimin e Milosheviçit dhe pasi e kishte vërejtur disponimin e pjesëmarrësve në atë miting, historiani britanik  kishte konkluduar se “diçka ishte shumë gabim në këtë mes”. Sipas tij, politika britanike përkrahte ndryshimet që kishin filluar në Jugosllavi nga Milosheviçi.

Nga hulumtimi i tij shkencor për këtë çështje dolën dy libra, “Historia e Bosnjës” dhe “Historia e Kosovës”, që ndryshuan jo vetëm shikimin në të kaluarën, por edhe kornizën e të menduarit politik për Ballkanin në Britaninë e Madhe.

Duhet theksuar se, Sir Noel Malcolm është kryetar edhe i “Anglo-Albanian Association”, një shoqatë e vjetër e themeluar nga Edith Durham dhe Abrey Herbert, për forcimin e miqësisë mes shqiptarëve dhe britanikëve. Pa punën shkencore të Sir Noel Malcolmit dhe ndikimit të tij në qarqet e “Foreign Office”, – apo Ministrisë së Jashtme britanike, – mendimi politik në Britaninë e Madhe do të ishte në favor të Serbisë, siç ishte në shekullin e kaluar, kurse shqiptarët sot nuk do të ishin në këtë pozitë që janë sot në Ballkan.