Shkodër/ Prokuroria vendos sekuestro mbi 9 pallate që po ndërtohen në bregdetin e Velipojës

0
220

velipojePas hetimeve ndaj anëtarëve të Këshillit të Rregullimit të Territorit (KRRT) të Komunës së Velipojës, 9 prej të cilëve akuzohen për “shpërdorim detyre”, mes të cilëve edhe ish-kryetari i komunës, për shkak se kanë dhënë disa leje ndërtimi në kundërshtim me ligjin, Prokuroria e Shkodrës ka vendosur edhe sekuestro preventive mbi 9 pallate, që po ndërtohen në zonën bregdetare të Velipojës.
Lejet e ndërtimit, sipas asaj që bën të ditur prokuroria, i janë dhënë subjektit “Fishta Sh.p.k.” me administrator Sait Fishta, i cili dyshohet gjithashtu të ketë kryer veprën penale të “ndërtimit të paligjshëm”. Sipas lejes së ndërtimit të siguruar nga KRRT-ja e Velipojës, ky subjekt do të ndërtonte disa godina banimi, pjesë e një kompleksi turistik.

Por, lejet e ndërtimit ishin dhënë për ndërtime në zonën bregdetare, gjë për të cilën duhet edhe miratimi i Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit (KKRRT).

Gjatë hetimit, Prokuroria e Shkodrës kishte njoftuar edhe administratorin e kompanisë së ndërtimit, shtetasin Sait Fishta, se leja që kishte siguruar për ndërtimin e kompleksit turistik ishte e paligjshme dhe se nuk mund të vijonte punimet e nisura, por ky e ka shkelur paralajmërimin.

Për këtë arsye, prokuroria mori lejen nga gjykata për të vendosur sekuestron preventive ndaj ndërtimeve në zhvillim, ku përfshihen dy pallate 6-katëshe, 3 pallate në ndërtim e sipër aktualisht në katin e 4-t, 3 të tjerë duke u ndërtuar deri në katin e 3-të, si dhe një pallat i porsanisur me punime për katin e parë. Të gjithë këto pallate do të ngriheshin deri në 6 kate banimi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency