Në Lezhë zona prej 5 mijë banorësh e Torovicës prej rreth 3 muajsh nuk ka mjekë. Sipas banorëve, mjeku nuk vjen për shkak të kushteve të këqija infrastrukturore, ndërkohë që shtojnë se në rast sëmundje, shërbimin e marrin në Balldren apo Bushat.
5 mijë banorë të fshatit Torovicë në Lezhë nuk marrin shërbim shëndetësor prej tre muajsh, pasi qendra shëndetësore e fshatit nuk ka mjek. Edhe godina e qendres shëndetësore është në rrënim të plotë, me xhama të thyer dhe me lagështirë në të gjitha anët. Infrastruktura e dëmtuar rrugore drejt Torovices është pengesa kryesore, pasi asnjë mjek nuk pranon të shkojë në këtë zonë.
Banor: “Nuk kemi as mjete, as rrugë. Si ja bëjmë? Në mëshirë të fatit. Duhet të merret një makinë për të hyrë nga Bushati sepse nuk hyn njeri këtu.”
Banor: “Këtu si gjithmonë territor i lënë pasdore, pa shkollë, pa mjekësi, pa rrugë pa kanalizime.”
Drejtori i Shëndetit Publik në Lezhë Arben Ristani thotë se kanë bërë kërkese pranë Ministrisë së Shëndetësisë për mjek, por akoma nuk kanë marrë përgjigje.
Arben Ristani: “ Normalisht letrat janë dërguar në Ministri për ardhjen e një mjeku të ri. Ne jemi në pritje me të gjithë interesimin e vazhdueshëm që kemi bërë për gjetjen e një mjeku të ri.Infrastuktura është shumë e vështirë dhe ka banorët në vështirësi që të caktojmë një mjek stabël.”
Për të marrë shërbim shëndetësor banorët e Torovicës duhet të udhëtojnë drejt Balldrenit apo Bushatit, me kosto që jo në pak raste janë të papërballueshme për shumë familje që kanë probleme ekonomike.