Meta: Zbatimi i dekriminalizimit nis pas dy muajsh, reforma në drejtësi prioritet për shtetin ligjor dhe luftën kundër korrupsionit
Kukan: Shqipëria ka shumë miq në PE. Fleckenstein: Komisioni Europian do ketë një mision monitorues për zbatimin e reformës në drejtësi
Gëzim Saliu
Deputetët e Parlamentit Europian Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein zhvillua dje një vizitë në Shqipëri ku mbajtën takime me përfaqësuesit më të lartë të vendit si edhe me drejtuesit kryesorë të politikës në vend. Në këtë vizitë të tyre, eurodeputet u përqendruan te procesi i dekriminalizimit duke monitoruar ecurinë e tij, tek reforma në drejtësi si edhe tek procesi i integrimit evropian. “Jemi këtu për Reformën në Drejtësi. Vlerësojmë çfarë është bërë deri tani por presim edhe Rekomandimet e Venecias. Një tjetër arsye e ardhjes sonë është edhe Ligji për Dekriminalizimin dhe zbatimi i tij. Byroja e Hetimit të jetë e pavarur , por nuk mund të flas ende nëse duhet të jetë në varësi të Ministrisë së Brendshme apo Prokurorisë së Përgjithshme”- tha Fleckenstein.
Deputetët e PE-së
Pas takimeve me kryeministrin Rama, kreun e PD-së Basha, dy eurodeputetët mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp me kreun e Kuvendit Meta. Në fjalën e tij eurodeputeti Kukan tha se arsye kryesore e vizitës ishte diskutimi me palën shqiptare për reformën në drejtësi. “Një reformë në fakt të domosdoshme, ajo është në mënyrë absolute e domosdoshme, në mënyrë që Shqipëria të ecë përpara në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian. Mos harroni që në Parlamentin Europian ju keni shumë miq, na keni ne miq atje dhe ne në Parlamentin Europian dëshirojmë shumë që ta shikojmë Shqipërinë të angazhuar në negociata me Bashkimin Europian. Sa më shpejt që Shqipëria të bëhet pjesë e procesit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe të bëhet shtet anëtar i BE-së në të ardhmen, aq më mirë do të jetë për të gjithë”, tha Kukan. Ndërkohë eurodeputeti Fleckenstein theksoi se KE pas miratimit të reformës do të nisë në Shqipëri një mision të monitorimit të saj. Ne jemi të kënaqur me progresin apo me ecurinë që është arritur deri më tani. Natyrisht po presim edhe opinioni përfundimtar të Komisionit të Venecias dhe pastaj do të fillojë puna me vrull. Më duhet të them në fakt që ajo që na nevojitet është një qasje e përbashkët, në mënyrë që, jo vetëm të miratohen, por natyrisht ajo që është edhe më e vështira, zbatimi i duhur i reformave në vend. Më duhet të them që në atë raport unë dëshiroj t’i sugjeroj Komisionit që mbas miratimit, pra dhe duke filluar zbatimi i reformës në drejtësi, Komisioni Europian të bëjë të qartë që do të ketë në fakt një mision monitorues, që të ndjekë nga afër dhe të shohë nga afër se çfarë po ndodh me zbatimin e reformës në drejtësi, pasi në këtë mënyrë besojmë që ne mund të ndihmojmë”. Më tej ai shtoi se,: “Në rast se nuk keni një reformë të mirë në drejtësi, sepse në fund të fundit, kjo reformë në drejtësi nuk do të bëhet për të kënaqur znj. Merkel apo ndonjë tjetër, por kjo do të bëhet për popullin dhe qytetarët e Shqipërisë”.
Meta
Ndërkohë në fjalën e tij në konferencën e përbashkët me dy eurodeputetët, kreu i Kuvendit shprehu falënderime për kontributin e veçantë që Fleckenstein dhe Kukan dhanë për të moderuar debatin politik dhe në mënyrë të veçantë për nxitjen që i dhanë arritjes të konsensusit për dekriminalizimin, :“për të cilin Parlamenti u shpreh në mënyrë unanime. Ligji tashmë ka hyrë në fuqi dhe së bashku edhe me katër vendimet e tjera, për të cilat Kuvendi po punon përsëri në mënyrë konsensuale, do të bëjë të mundur që zbatimi i tij të nisë brenda dy muajsh dhe kjo është një arritje shumë e rëndësishme”. Ndërkohë lidhur me reformën në drejtësi Meta theksoi se,: “e kemi theksuar jo si të nevojshme, por si të domosdoshme për të ngritur në një standard të ri dhe shumë më të lartë të funksionimit e shtetit ligjor në vend dhe sidomos luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
box
Meta drekë pune me dy europdeputetë dhe Leskajn, Spahon e Idrizin
Kryetari i Kuvendit lir Meta organizoi dje një drekë pune me dy eurodeputetët Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan, ku shoqërohej prej Nënkryetarëve të Kuvendit,Valentina Leskaj, Edmond Spaho e Shpëtim Idrizi. Gjatë drekës Meta bisedoi me Fleckenstein dhe Kukan mbi ecurinë e integrimit evropian, ndërsa shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e dy eurodeputetëve për ligjin e dekriminalizimit. Gjithashtu, u diskutua edhe për projekt-rezolutën e Parlamentit Evropian për Shqipërinë dhe mbi ecurinë e reformës në drejtësi, teksa u nda bindja e përbashkët që reformat dhe integrimi kërkojnë kompromis, gjithëpërfshirje dhe konstruktivitet mes të gjitha palëve. Kukan dhe Fleckenstein konfirmuan vullnetin e Parlamentit Evropian për avancimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.