Drejtori i ri i Përgjithshëm Ekzekutiv i kompanisë Tirana International Airport (TIA), Z. Rolf Castro-Vasquez ka pohuar për Monitor.al se nuk kanë nënshkruar ende asnjë marrëveshje me qeverinë shqiptare për ndryshimin e kontratës koncesionare për Aeroportin e Rinasit.
Ai pohon se janë ende në negociata në qeverinë shqiptare dhe po shqyrtohen pikat e fundit nga ana e avokateve në Londër. Z. Rolf Castro-Vasquez pohoi se nuk mund të thotë nje afat se kur do të bien dakord, nëse kjo do të jetë shpejt apo vonë në kohë.
Ai shton se e rëndësishme është se çfarë do vendosin aksionerët dhe kreditoret që janë tre, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim(BERZH), Intesa Sanpaolo dhe Alpha, sepse janë ata që kanë investuar. Sidomos kreditorë janë shumë “të rreptë”.
“Kemi që nga 2007 që po negociojmë, u ndryshua qeveria, filluam sërish, nuk eshte e lehtë të ndryshohet një kontratë pas 10 vitesh. Nuk di të jap një afat, por di te them që për momentin nuk kemi nënshkruar asnjë kontratë”, thotë z. Castro-Vasquez. Ai shton se të gjitha negociatat po i zhvillojnë me ministrin e transporteve, z.Edmond Haxhinasto.
Ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj tha një javë më parë se është mbyllur negociata me sukses për heqjen e eskluzivitetit të aeroportit për një rreze deri në 100 kilometra. Duke sqaruar ecurinë e koncesionit në Aeroportin Nënë Tereza në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, Ministri tha se, tashmë priten oferta për zhvillimin e aeroporteve të tjera për fluturimet ndërkombëtare ndërsa shtoi se dosja është dorëzuar te bordi i koncesionarit.
Qeveria shqiptare në vitin 2004 formuloi së bashku me kompaninë koncesionare “Tirana Airport Partners”, një marrëveshje për ndërtimin dhe menaxhimin e aeroportit të ardhshëm ndërkombëtar të Rinasit, që parashikonte një klauzolë bllokuese. Sipas së cilës, “gjatë periudhës së koncesionit, asnjë aeroport tjetër nuk do të licensohet për fluturime komerciale (mallra apo pasagjerë), në territorin e Republikës së Shqipërisë”. Më tej thuhet se, do të lejohen ulje avionësh të linjave ndërkombëtare në aeroporte të tjera, veç atij të Rinasit, vetëm në rastet e emergjencës, ose në kohë katastrofash.