“ S’mund të operohet me modele jashtë Kushtetutës, nuk mund të jetë Byroja nën kontrollin e Ministrit të Brendshëm”
Sava Sota
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi ditën e djeshme një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë Sebastian Kurz, ku mësohet se në fokus të diskutimit të tyre, ishin reforma në drejtësi, dekriminalizimi, zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Lideri i opozitës Lulzim Basha, menjëherë pas takimit me ministrin e Jashtëm të Austrisë Kurz, dha një deklaratë për mediat se drafti është rakorduar dhe pas rakordimit të tij, ka ardhur edhe opinioni i Venecias i cili, sipas tij, ka qartësuar çdo dilemë që mund të ekzistonte për pavarësinë e kësaj strukture nga Policia e Shtetit. “Nuk është dhe nuk mund të jetë një strukturë e Policisë së Shtetit” – shprehu kryedemokrati Basha. Ndërkohë, pyetjes së gazetarëve se Policia Gjyqësore është pjesë e Policisë së Shtetit, Basha j’u përgjigj: “Kemi një draft të rakorduar për Byronë Kombëtare të Hetimit i cili po kështu është komentuar edhe nga Komisioni i Venecias dhe sot, nëse ka vullnet politik nuk ka pse të presim më. Ta çojmë në Parlament e ta miratojmë këtë draft të rakorduar sipas vërejtjeve të Venecias dhe ti hapim rrugë përzgjedhjes sipas kritereve të punonjësve të policisë dhe prokurorëve, trajnimit të tyre dhe nisjes pa vonesë të hetimeve të mirëfillta kundër korrupsionit në nivele të larta”. Më tej, i pyetur po ashtu nëse ju nuk mendoni që është legjitime ajo që thotë kryeministri që të pritet kompletimi i reformës në drejtësi ku pjesë e këtij proçesi të jetë edhe Byroja, Basha j’u përgjigj se është absurde që të presim më tej kur ne jemi rakorduar për këtë. “Kjo nuk kërkon as ndryshim në Kushtetutë, por mund të implementohet sipas sugjerimeve të ekspertëve amerikanë dhe sipas vërejtjeve të Venecias. Dhe për këtë unë edhe një herë përsëris sot gatishmërinë tonë, të opozitës, të Partisë Demokratike, të grupit tonë parlamentar për të votuar në Kuvend këtë produkt, pra këtë version përfundimtar të draftit, të rakorduar me sugjerimet e Venecias, të fundit të dhjetorit dhe për t’i hapur rrugë themelimit të Byrosë, trajnimit të personelit dhe nisjes pa vonesë të hetimit të korrupsionit në nivele të larta” – sqaroi Basha në prononcimin e tij për mediat. Gjithashtu, i pyetur se ka një pretendim që pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit ka një rol mjaft të rëndësishëm Ministri i Brendshëm përfshirë edhe Prokurorin e Përgjithshëm, për draftin e dakordësuar, dhe se a mund ta qartësojmë, nëse ky draft Byronë e Hetimit e vendos këtë institucion tërësisht nën juridiksionin e Prokurorit të Përgjithshëm, Basha theksoi: E vendos ashtu siç e parashikon Kushtetuta, ashtu siç rekomandon Komisioni i Venecias. Nuk mund të operohet me modele jashtë Kushtetutës, aq më shumë tani që Komisioni i Venecias është shprehur qartë për këtë çështje. Por që të jetë nën Ministrin e Brendshëm? Kjo sigurisht nuk mund të funksionojë. As me këtë ministër, as me këdo ministër të Brendshëm. Kreu i demokratëve shtoi në fjalën e tij se sot kemi një projekt tjetër të përgatitur nga ekspertët amerikanë, të rakorduar politikisht nga të gjitha palët dhe të futur në një suazë kushtetuese nga rekomandimet e Komisionit të Venecias. “Në një pikë bie dakord, në qoftë se është gati Komisioni i Reformës në Drejtësi le të ulen që nesër, ta marrin këtë produkt, ta adoptojnë, ta bëjnë gati dhe ta sjellin javën tjetër në Parlament” – bëri me dije lideri i opozitës Lulzim Basha.
Takimi Basha- Kurz
Deri tani ky vullnet mungon nga ana e mazhorancës, theksoi Basha duke sjellë në vëmendje miratimin për herë të dytë të një drafti të njëanshëm nga ana e PS i cili shkon në drejtim të kundërt të një drejtësie të pavarur dhe të pandikuar politikisht. Një çështje tjetër e diskutuar ishte dekriminalizimi. Përveç ligjit, theksoi Basha është shumë i rëndësishëm dhe vullneti politik për ta ndarë politikën nga krimi dhe ky vullnet nuk po tregohet nga kryeministri Rama. Shkëputja e lidhjeve krim- para- pushtet, tha Basha është e një rëndësie jetike për demokracinë, zhvillimin ekonomik dhe zgjedhje të lira e të ndershme. Dështimi i zgjedhjeve të qershorit 2015 për shkak të kriminalizimit dhe problemeve të rënda të evidentuara edhe nga raporti i OSBE/ODHIR-it si shitblerja e votës, intimidimi i votuesve, përdorimi i administratës, keqpërdorimi i Policisë së Shtetit, i kanë rikthyer zgjedhtjet e lira dhe të ndershme si sprova më e madhe e Shqipërisë. Pa zgjidhur këtë problem kryesor, pa garantuar votën e lirë, Shqipëria nuk mund të bëjë asnjë hap përpara në rrugën e zhvillimit dhe integrimit theksoi kreu i opozitës.