Në gjykatë përfundojnë 7 rojet dhe drejtori i departamentit të sigurisë fizike “Euro Gjici”. Prokuroria thotë se po heton për autorët e vjedhjes se 4 thasëve me 3 miliard lekë. Rojet private akuzohen për “ vjedhje duke shpërdoruar detyrën”
Alma Çuka
Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe dërgon për gjykim 8 persona, 7 prej të cilëve punonjës të një kompanie private të ruajtjes fizike dhe njëri drejtor i departamentit të sigurisë së një banke të niveli të dytë. Ata akuzohen për “shpërdorim detyre”. Këta persona akuzohen se, duke qenë në detyrë, nuk kanë reaguar gjatë një grabitjeje me armë që iu bë një furgoni me paratë e një banke të nivelit të dytë, i cili ishte nën përgjegjësinë e tyre. Ngjarja ka ndodhur në bulevardin Zogu i Parë në Tiranë, në dt. 13.02.2015. Ndërkohë që po vijojnë hetimet për autorët e grabitjes, Prokuroria e Tiranës ka përfunduar veprimet proceduriale për pjesëtarët e ruajtjes fizike të parave. Në përfundim të hetimet, Prokuroria e Tiranë dërgon për gjykim shtetasit:
Qirjako Tace, Robert Felah, Isuf Gjici, Artan Dervishi, Tomorr Hidri, Dritan Duka, Ilir Syla, Sajmir Nikoçi. Pak ditë më parë policia njoftoi arrestimin e dy prej të akuzuarve, pjesë e këtij grupi. Ata janë rojet private pranë Union Bankë, e grabitur në mënyrë spektakolare në 13 shkurt të vitit të kaluar. Banka e grabitur ndodhet pranë ish -stacionit të trenit. Banka e nivelit të dytë u grabit më 13 shkurt të vitit të kaluar në mënyrë spekakolare. Prej saj u morën 3 milionë euro, ndërsa grabitësit u larguan me shpejtësi. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë, rezultoi se policët privatë neglizhuan detyrën ç’ka ngre dyshime se mund të kenë qenë të përfshirë .
Si ndodhi ngjarja
Vjedhja e Union Bank shkurtin e vitit të kaluar ka qenë më spektakolarja. Grabitësit të maskuar dhe armatosur kishin mundur të futeshin deri në brendësi të garazhit, nga ku makina e blinduar ishte futur për të marrë paratë. Ata shfrytëzuan momentin kur punonjësit e sigurisë private dolën me thasët me para për t’i sulmuar. Ishin katër thasë me para të cilët më vonë rezultuan se kishin në brendësi të tyre 3 miliard lekë. Nën kërcënimin e armëve grabitësit morën paratë dhe një nga mjetet e sigurisë e u larguan menjëherë. Pak më vonë ishin kamerat e sigurisë ato që dhanë pamjet më të qarta të grabitësve. Kamerat e sigurisë të vendosura njëra tek tuneli ku ndodhej hyrja nga prapa e bankës dhe tjetra tek sheshi mes pallateve kanë filmuar sesi grabitësit kanë marrë 4 thasët me para në momentin kur do të bëhej transferimi i tyre tek makina e blinduar. Policia deklaroi një ditë më pas se ishin grabitur katër thaës me para dhe se ajo kishte ndaluar gjashtë punonjës të eskortës shoqëruese. “Tre personat e maskuar e nën kërcënimin e armëve, duke qëlluar në ajër, i kanë çarmatosur dhe kanë vjedhur bankën “Union Bank”, duke marrë shumën e parave në 4 thasë dhe janë larguar me mjetin tip “Land Rover”, me targë AA 105 IV, pronë e kompanisë së Sh.R.S.F, “Euro Gjici”. Personat e maskuar dhe të armatosur kanë braktisur automjetin në rrugën “Sulejman Vathi” dhe janë larguar me një automjet tjetër.” thuhej në njoftimin e policisë. Por sor teksa është kryer një tjetër arrestim askush nuk thotë nëse vërtetë është zbardhura ngjarja. Nuk dihet nëse mes të arrestuarve janë autorët e vërtetë. Po kështu askush nuk e di se ku kanë përfunduar 3 miliard lekët e grabitura.