Asnjë autor i dyshuar deri në këto momente. Viktima jetonte prej vitesh në Londër. Pak ditë më parë ishte kthyer në vendin e lindjes në Fllakë të Durrësit. Pistat e hetimit, trafiku i qënieve njerëzore
Alma Çuka
Policia e Durrësit vihet në kërkim të autorëve të dyshuar që vranë mbrëmjen e së mërkurë snë hyrje të banesës së tij në fshatin Fllakë, një shtetas 42 –vjeçar i njohur tashmë me dy identitete. Edhe në këtë ekzekutim me breshëri automatiku, policia e Durrësit ka dalë zbuluar. Ndërkohë burime nga komisariati i policisë Durrës bëjnë me dije se janë duke hetuar në disa pista, njëra prej të cilave është ajo e trafikut të qënieve njerëzore dhe tjetra, trafiku i drogës. Është mësuar tashmë se viktima mbante dy identitete. Pikërisht ky fakt është një tjetër pistë hetimi. Policia kërkon të mësojë të kaluarën disa vjeçare të viktimës si dhe aktivitetin e tij. 42- vjeçari Agim Cakaj, i njohur ndryshe edhe si Xhevahir Brashi u qëllua me breshëri automatiku pranë shtëpisë së tij, teksa po kthehej me makinë, ndërsa u gjet i hedhur në kanal. Viktima prej pak kohësh ishte kthyer nga Londra, ku qëndronte si emigrant, ndërsa uniformat blu janë përqendruar në disa pista, për të zbuluar ndonjë konflikt të tij në emigrim. Për më tepër mbajtja e dy identiteteve nga ana e 42- vjeçarit, ka bërë që policia të shtojë dyshimet se mund të ketë ndryshuar emrin, për shkak të ndonjë precedenti penal dhe po heton në këtë drejtim. Megjithatë deri më tani nuk ka ende ndonjë autor të dyshuar, ndërsa autorët e ngjarjes mundën të humbin gjurmët për shkak të errësirës. Uniformat blu kanë shoqëruar 35 persona lidhur me vrasjen. Agim Cakaj/ Xhevahir Brashi ishte me origjinë nga Hasi dhe jetonte në Fllakë të Durrësit .
Skema e ekzekutimit
Xhevahir Basha, i njohur edhe me emrin Agim Cakaj u qëllua rreth orës 19.30 pranë shtëpisë së tij në fshatin Fllakë, me kallashnikov. Sipas policisë, Basha ka qenë duke udhëtuar me makinën e tij me targa AA 295 LA kur të paktën dy persona i janë afruar me një tjetër makinë dhe kanë qëlluar në drejtim të tij me breshëri. 13 gëzhoja kallashnikovi u gjetën në vendin e ngjarjes. 3 plumba e kanë kapur 42 –vjeçarin. Ai u gjet i plagosur nga të afërmit e tij që kanë dalë menjëherë sapo kanë dëgjuar të shtënat. Ata e kanë dërguar në spital menjëherë, por ai nuk mundi t’u mbijetojë plagëve. Tashmë policia ndodhet mes disa pistave hetimi dhe të panjohurash lidhur me viktimën. Bëhet e ditur se Agim Cakaj nuk figuronte në listat e personave të skeduar. Ndërkohë mësohet se për shkak të ndryshimit të identitetit, një nga pistat mund të jetë edhe hakmarrja mes fiseve. Uniformat blu nuk kanë asnjë të dhënë mbi autorët e mundshëm. Duket se ata e kanë ndjekur viktimën gjatë gjithë kohës, duke mësuar edhe banesën. Ndërkohë nga ana e tij viktima nuk e ka kuptuar se çfarë mund ta priste. Policia ka marrë në pyetje gjithë pjestarët e familjes, të cilët ishin të parët që e dërguan të afërmin e tyre në Spitalin e Durrësit. Më pas mjekët njoftuan policinë se një person ishte dërguar në spital i pajetë nga të afërmit e tyre, që shpresonin se do të mbijetonte.