BIRN, investiguesit e (pa)varur dhe fenomeni “call journalism”

1
245

Para pak muajsh, bëri shumë bujë në opinion publikimi i një dosjeje nga ana e agjencisë online BIRN, ku denoncohej korrupsioni në lidhje me aferën CEZ-Shqipëri. Faktet janë fakte. Por, po të citojmë një pjesë nga njeri prej këtyre artikujve, me firmën e znj. Çela, shohim se gazetarja dhe agjencia e saj kanë kaluar me dëshirë edhe në lëmin e spekulimit logjik, çka flet për një “detyrë” të re, të marrë përsipër prej tyre, që kapërcen investigimin, duke rendur drejt deduksionit aristotelian. “Brenda transfertave [përfituesve] të lekëve që DIA mori nga CEZ Shpërndarje ishin … politikanë të rëndësishëm shqiptarë, përfshirë një ish-kryeministër i proceduar për korrupsion … si dhe një zyrtar i ERE,” shkruan Clifford Chance në ankimimin e saj në gjykatë, thuhet në njerin prej tyre. Duke arritur në konkluzionin se “Ilir Meta është i vetmi ish-kryeministër shqiptar që në dy dekadat e fundit është proceduar penalisht për korrupsion. Në shkurt të vitit 2011, ai u akuzua nga Prokuroria e Përgjithshme për korrupsion aktiv, pas publikimit të një video nga emision ‘Fiks Fare’, ku dëgjohej të diskutonte një pagesë prej qindra mijëra eurosh me ish-ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti”- thuhej në shkrimin e BIRN. Pas këtij zbulimi të “bujshëm”, doli se ka patur edhe një ish-kryeministër tjetër (përveç Fatos Nanos, emri i të cilit nuk lidhej me çështjen), që ishte proceduar për korrupsion, emri i të cilit lidhej ngushtësisht me aferën CEZ.

 

“Call media”

Një rast i tillë nuk mund të mos tërheqë vëmendjen lidhur me fenomenin e shkrimeve me porosi nga instanca të caktuara, të cilave nuk u ka shpëtuar edhe grupi i gazetarëve që aktualisht pretendohet se janë më të pavarur se të tjerët. BIRN është mbajtur në vite si më e pavarura ndër mediat, online dhe të tjera. Ajo është shquar se nuk ka patur një pozicionim partiak ose ideologjik, por qëllimi i vetëm i saj ka qenë investigimi i stilit “të egër”, me denoncimin e aferave korruptive, me një qëndrim jo thjesht kritik, por do të thoshim prej kritizerësh. Besar Likmeta, një prej drejtuesve të BIRN Albania, mbahet mend për sherrin në Hotel Rogner me deputetin aktual të Kuvendit Tom Doshi, për të cilin zbuloi se kishte marrë diplomën e shkollës së lartë në Universitetin e Tetovës, ndoshta pa shkuar fare atje. Si shpërblim mori një shpullë publike nga Doshi, i forti i Malcisë, i pamësuar ta ngacmonin për gjëra të tilla, në një kohë kur në Olimpin e politikës shqiptare nuk është ai i vetëm ndër ata që nuk dinë madje as të lexojnë atë çka u kanë përgatitur kalemxhijtë, një herë në hënë, kur kujtohen të flasin diçka. Afera nuk vijoi më tej, as nga BIRN-i dhe as nga ndonjë media tjetër, aq me pak nga organet e akuzës e të hetimit të shtetit shqiptar, por Likmeta hyri në histori si gazetari investigativ që hëngri shpullë nga Doshi. Likmeta ka vijuar aktivitetin e tij në fusha të ndryshme, duke investiguar gjithshka që i del përpara, por pa rrezikuar ta rrahë më njeri.

Gjergj Erebara, pena tjetër e BIRN-it, vjen nga sektori i gazetarisë ekonomike, që e njeh mirë, pasi që në fillimet e karrierës, në gazetën tashmë të falimentuar “Albania” të Ylli Rakipit, ai është marrë ekskluzivisht me të. Duke arritur derisa të drejtojë “Biznesin” e Koço Kokëdhimës, gjithashtu ndër të paktat gazeta që kanë falimentuar. Nga natyra e tij, ai është një përtac genetik, që i merr gjërat shtruar, duke u fokusuar kryesisht në problem të makroekonomisë, ku publiku i gjerë kryesisht në Shqipëri shquhet si “elifimatrak”, por ku mund të lexohet më me interes nga sfera të larta të adminisytarës publike dhe biznesit. Besohet të jetë ai kontribuesi kryesor në investigimet në lëmin e energjetikës, që mbajnë emrin e Lindita Çelës. BIRN përfshin në gjirin e tij edhe një pjesë të gazetarëve që punojnë në media të tjera, të cilët, ku me leje nga qendra e tyre e punës dhe ku fshehurazi, kontribuojnë, me shpërblim të konsiderueshëm, me shkrime të fushave të ndryshme, që ndoshta në gazetën apo TV e tyre nuk ua boton njeri. Të gjitha këto kanë kosto. Të gjithë ata që punojnë në media, qoftë edhe në atë online, e dinë mirë se pa fonde të konsiderueshme nuk mund të kuturisësh në këtë terren të shtrenjtë. Nuk mund të pretendohet se gazetarët e BIRN-it i nxjerrin vetë këto fonde për të paguar gazetarët apo qiranë e zyrës në palate të reja në bulevardin “Gjergj Fishta”. Apo revistën periodike “Reporter”. Edhe më parë është shkruajtur lidhur me financimet, që të çojnë në organizma apo persona të caktuar, si Sorosi, të cilët mbajnë në këmbë institucione, OJF apo kuzhina të caktuar mediatike që mund të përdoren për të përpunuar opinionin publik në vendëe të ndryshme. Por pavarësia e tyre natyrisht është diçka që nuk mund të provohet, pikërisht duke u nisur edhe fakti që, gjithsesi, dikush duhet t’i japë fondet që të sigurojnë mbarëvajtjen e punës dhe ai dikush ta mbyll rubinetën kur nuk respekton disa linja të caktuara editorial. Pra, pavarësi nuk mund të ketë. Madje raste si deduksioni në artikujt e CEZ-it tregojnë se media të tilla mund të përdoren nga ‘dikushë’ të caktuar si “call media”. Një tip prostituimi mediatik ky, që bëhet më pak i dukshëm kur një media ka krijuar imazhin e pavarësisë editoriale.

 

“Call boy”

Një fenomen ky, që vërehet edhe më qartë në rastin e një “call boy”, gazetarit investigativ Artan Hoxha, që del publikisht me qendrime personale ndaj çështjeve tejet delikate, bazuar në informacione sekrete, që duket se i zotëron vetëm ai dhe askush tjetër: as Policia, as Prokuroria. Çuditërisht, ky gazetar vijon të punojë në një media shqiptare, siç e dinë të gjithë, por ka krijuar një aureolë pavarësie, për çka lejohet të shkelë edhe kontratën e punës që ka me punëdhënësit. Në këtë kuadër, investigativi që dikur përgatiste dosjet e krimeve të bandave, duke tërhequr vëmendjen e mijëra lexuesve, e ka abandonuar krejtësisht “Xhunglën” si emision, për t’u endur mes mjediseve më të këndshme të hoteleve të Evropës, qoftë edhe thjesht për të ndjekur ndeshje futbolli. Daljet publike të fundit të tij duke tundur celularin, me logon “E di nga burimet e mia se kështu është”, në fakt nuk kanë mjaftuar të bindte organin e Akuzës të niste ndonjë hetim për ato që ka denoncuar, por edhe kur ka nisur, për të vërtetuar tentativa për vrasje, etj, nuk ka rezultuar se provat e tij kanë qenë në terren të besueshëm. Duke e çuar gjithnjë Hoxhën në pozitat e bariut, të cilin fshati nuk e besoi më, edhe kur e thirri për ndihmë se vërtet i kishte rënë ujku në tufë…

 

“Call prof”

Interesante është që në radhët e porosive nga qendra të caktuara politike është përfshirë edhe politologu Afrim Krasniqi, tejet aktiv në tregun e medias. Profesori, me karrierë politike krejtësisht nga e djathta, është lënë pas nga koha, jo vetëm nga partitë e djathta, tanimë është angazhuar në publikimin e analizave, që synojnë imponimin e bindjeve të caktuara tek zgjedhësit mbi raportin e forcave politike në vend ndaj elektoratit. Afrim Krasniqi ka qenë i përfshirë në politikë, si këshilltar presidentësh. Për këtë ka marrë rroga të majme nga president që nuk janë shquar për ndonjë personalitet apo politika frytdhënëse, duke qenë pjesë e dështimeve, që stigmatizon. Është tepër vonë që Krasniqi të mbajë flamurin e shpëtimtarit të vendit nga rreziqe të sajuara, që i mbështet në analiza të cilat i bën dukshëm sipas porosive. Ky studiues është angazhuar në një aktivitet të ethshëm që paraprin çdo votim apo shprehje të vullnetit popullor. Gjithnjë në stilin që përmendëm më lart: “E di unë se kështu është” dhe mjafton ta dijë ai dhe ashtu do të jetë.

*   *   *

Sot nuk ka media që të mos ketë absolutisht asnjë lidhje me subjektet politike apo të biznesit. Sado të përpiqen të kërkojnë pozicione të pavarura, subjektet e kësaj industrie duhet të zgjidhin problem madhore financiare, që kanë nevojë për financues. Përveç faktit që një media mund të pozicionohet edhe ideologjikisht, majtas, djathtas apo në qendër. Nuk ka asnjë problem ta pranosh një gjë të tillë. Të pranosh një pavarësi të paqenë, kjo nuk është as e drejtë dhe as produktive. Madje, gati gjithnjë bëhet me qëllime të caktuara, që dalin në skenë me kalimin e kohës, sado të fshehura të kenë qenë. Urojmë që një gjë të tillë ta kuptojnë edhe shqiptarët… A.P

*Komentet në gazetën “standard” janë të lira dhe të pavarura.

Na dërgoni komentet dhe opinionet tuaja në info@standard.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here