Ish-ministri Spiro Ksera ndaj të cilit rëndon akuza për shpërdorim detyre do të dalë për herë të parë në seancë gjyqësore më datë 18 shkurt. Sipas informacioneve mësohet se drejtuesi i çështjes do të jetë Gramoz Levanaj, ndërsa trupa gjykuese përbehet nga Fatmira Hajdari dhe Edlira Petri. Spiro Ksera u arrestua të premten e 30 janarit në Dervican të Gjirokastrës, pasi Prokuroria kishte lëshuar fletëarrestin me akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën. Ai u arrestua për korrupsion dhe abuzime me tenderët, në një vlerë prej 306 milionë lekësh të vjetra, bashkë me katër anëtarë të kabinetit të tij, dy prej të cilëve u lanë të lirë. Ksera akuzohet për vjedhje duke “shpërdoruar detyrën” e kryer përmes procedurave fiktive për organizimin e disa aktiviteteve social-kulturore në vitin 2013. Nga ana e tij ish ministri Ksera ka mohuar të gjitha akuzat, ndërsa e cilësoi politik arrestimin e tij.