Kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipërisë, Bosnjes, Kroacisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë), pritet të mblidhen së bashku në Londër javën e ardhshme me 22 shkurt, për të diskutuar rreth cështjes së investimeve dhe mundësive që ato ofrojnë për të bërë biznes në vendet e tyre.
Ky është takimi i dytë i këtij lloji që organizohet nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH, pas atij të shkurtit të vitit 2014. Do të jetë presidenti i BERZH-it Suma Chakrabarti dhe Ministri i Jashtëm britanik Philip Hammond që do të hapin konferencën, e cila do të vazhdojë më pas me panelin ku do të jenë të pranishëm Kryeministrat e Ballkanit.
Në tre panele të tjerë, ku do të diskutohet për zhvillimin e rrjeteve të Transportit, për energjinë e rinovueshme dhe axhendën e privatizimeve në Ballkanin Perëndimor, do të marrin pjesë anëtarë të kabineteve qeveritare, sipërmarrës dhe investitorë.
Takimi i nivelit të lartë, ka si synim nxitjen e investimeve të huaja direkte në rajon dhe projektet e përbashkëta ndërkufitare.
Gjatë konferencës do të prezantohet nisja e një projekti të Berzh-it, një platformë e re rajonale për kuotimin e titujve të bursave të Bullgarisë, Kroacisë dhe Maqedonisë.
Sipas një njoftimi për shtyp të BERZH-it, edhe bursa sllovene dhe serbe kanë shprehur interesin për t’ju bashkuar kësaj nisme, e cila synon integrimin rajonal të tregjeve të kapitalit.
BERZH-i është ndër investitorët kryesorë në rajonin e Ballkanit. Vetëm vitin e kaluar Banka ka investuar afër 1 miliard euro në projekte të ndryshme në sektorin e energjisë, infrastrukturës apo edhe atë financiar në mbështetje të bujqësisë në vendet ballkanike.