Deputeti i Partisë Demokratike, Eduart Halimi ka akuzuar këtë të hënë kryeministrin Rama se, “pengon drejtësinë dhe përkrah korrupsionin”.
“Edhe pse lufta kundër korrupsionit dhe reforma në drejtësi janë prioritete kryesore për vendin, siç u theksua edhe dje nga sekretari amerikan i Shtetit, Edi Rama po vazhdon në drejtimin e kundërt duke i bërë presion gjykatës e duke mbrojtur korrupsionin e njerëzve të tij”, ka thënë Halimi.
Në një komunikim me mediat, Halimi ka përmendur rastin e deputetit Koço Kokëdhima, i cili sipas tij mbrohet nga Rama pavarësisht shkeljeve të shumta që ka kryer.
“Me ndërhyrjet e tij, Edi Rama vonon zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Koço Kokëdhimën, duke penguar kështu drejtësinë, e duke dalë në krah të korrupsionit. Edi Rama po përdor çdo mjet për të vonuar drejtësinë për njeriun e tij, Kokëdhima, i kapur me 150 shkelje të Kushtetutës, me 150 pagesa të paligjshme financiare të parave publike për biznesin e tij. Ja pra se si e mendon drejtësinë Edi Rama, ja çfarë drejtësie kërkon ai. Kjo është dëshmia e mbrojtjes që ai i jep vjedhjes e abuzimit kur këtë e bëjnë njerëzit e tij”, ka thënë Halimi.
Ai ka akuzuar kreun e qeverisë se, urdhëroi Parlamentin që të mos merrte në shqyrtim kërkesën e Partisë Demokratike për heqjen e mandatit të Kokëdhimës.
“Ndonëse Gjykata Kushtetuese e shpalli anti-kushtetues këtë vendim të Parlamentit që në nëntor të vitit të kaluar, përmes presionit të Edi Ramës po vonohet zbardhja e tij. Rasti Kokëdhima është shembulli i korrupsionit me fondet publike të njeriut pranë kryeministrit. Është shembulli i kapjes së shtetit, shembulli i oligarkut qeveritar që qëndron mbi ligjin”, ka vijuar Halimi.
“Qytetarët, partnerët tanë ndërkombëtarë dhe opozita kërkojnë pikërisht që drejtësia të arrijë këto standarde, që të ndëshkojë raste të tilla, që njerëzit pranë kryeministrit të mos jenë të pandëshkueshëm, të mos jenë të mbrojtur kur marrin 150 pagesa nga paratë publike në shkelje të Kushtetutës. Ky është rasti që në frymën e prioriteteve që ka vendi për luftën ndaj korrupsionit dhe reformimit të drejtësisë, në frymën e mesazhit të theksuar dje nga sekretari Kerri, Gjykata Kushtetuese të tregojë pavarësi nga kryeministri e të hapë rrugën e drejtësisë”, ka shtuar deputeti i PD.