Ndryshime në qeveri. Largohet nga ministria e Financave Shkëlqim Cani në vend të tij Arben Ahmetaj,
Milva Ekonomi do të drejtojë Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik në vend të Arben Ahmetajt.
“Detyrën e Ministrit të Financave, Kryeministri do t’ia besojë Z. Arben Ahmetaj, ndërsa detyrën e Ministrit të Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes do t’ia besojë Znj. Milva Ekonomi” thuhet në njoftimin për shtyp të shpërndarë nga kryeministria në orën 11:00 të 16 shkurtit 2016.
Më tej deklarata sqaron se “Kryeministri e informoi ministrin Cani për vendimin e zëvendësimit të tij me një koleg tjetër dhe i kërkoi vazhdimin e angazhimit të tij, me të njëjtin profesionalizëm e përkushtim, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe anëtar i Komisionit të Ekonomisë e Financave”
Më pas deklarata për shtyp informon se Kryeministri Edi Rama i shprehu “falenderimet Ministrit të Financave Shkëlqim Cani për angazhimin, profesionalizmin dhe integritetin e plotë në kryerjen e njërës prej detyrave më të vështira qeverisëse të këtij mandati”.
Edhe nga ana e tij, Ministri Cani e falënderoi “Kryeministrin për besimin dhe bashkëpunimin e ngushtë në kapërcimin me sukses të situatës së rëndë financiare të trashëguar dy vjet e gjysëm më parë, si edhe e siguroi për vazhdimin me përkushtim të plotë të angazhimit të tij politik e profesional si deputet i Kuvendit të Shqipërisë.