Niko Kotherja
Patriotizimi i shqiptarëve që tregohet gjatë kompenticioneve futbollistike apo në art duhet shkojë paralel me respektin për historinë, monumentet dhe trashëgiminë. Studiuesi i Historisë Niko Kotherja, sqaron mbi debatet për Mësonjëtoren e Parë Shqipe dhe ato mbi ringritjen e shtëpisë së flamurit të Themistokli Gërmenjit.
A është vërtetë e para shkollë shqipe Mësonjëtorja e Korçës ?! Po fillimet e shkrimit të shqipes në 1632 çfarë ishin. Studiuesi i historiasë dhe specialisti i Muzeut Kombëtar të Arsimit, Niko Kotherja, në intervistën e dhënë për “Standard” shpjegon me fakte historike përse është shkolla e vashave e para shkollë shqipe. Këtë vit Mësonjëtorja bën 130 vjet nga çelja do të ofrojë surpriza për vizitorëte pasuruar me relike të dhuruara dhe me tre botime nën siglën e saj. Po me shtëpinë e flamurit, atë të Themistokli Gërmenjit, çfarë po ndodh? Kur do të rindërtohet ashtu sikurse u premtua tre vjet më parë? Kotherja i cili është edhe stërnipi sekretarit të Gërmenjit shprehet se shumë shpejt ajo do të ngrihet në këmbë dhe ai si shumë bashkatdhetarë do të kenë mundësinë të vizitojnë vendin ku u ngrit në nivelet më të larta diplomatike zona e Korçës. Ndërkohë një turp dhe veprim të ulët e ka konsideruar studiuesi i historisë faktin se shumë monumente të kulturës nuk mund të vizitohen pasi pronarë të ndryshëm po i mbajnë ato peng, ashtu si Mësonjëtoren vite më parë, kur duhej të kishe mik atë që varte çelsat në brez për të hyrë brenda saj.
Mësonjëtorja sot është tempulli i arsimit shqiptar. A është ajo vërtetë e para shkollë shqipe, pasi shpesh ka patur debate se është Shkolla e Kurbinit e para shkollë shqipe në 1632?
Nuk është se e them vetëm unë, që Mësonjëorja e Korçës është e para shkolle shqipe. Edhe pse kjo, pakuptimisht, sot, ka ngjallur debate, përsëri Mësonjëtorja ka vendin e saj të merituar si e para shkollë shqipe. Nëse kthejmë sytë nga historia, në periudhën se kur janë hapur këto shkolla që përmendët ju, si për shembull ajo e Pllanës në Mat, në vitin 1632, shohim që në këtë kohë kemi influence të Proagandës Fide, më anë të së cilës Vatikani kërkonte të përhapte katolicizmin me anë të misionarve të vet. Kështu, këto shkolla (që sipas standardit të sotëm mund të quhen kurse) u hapën edhe në Shqipëri, në veri e në jug. Programi i tyre kishte bazë jo laike, pra fetare dhe në raste të veçanta ndonjë lëndë shkencore. Pra, kemi të bëjmë me kurse ku filloi të përhapej ndjeshëm katolicizmi. Sipas relacioneve të kohës, kuptojmë se misionarët e Vatikanit u ankoheshin eprorëve të tyre se njerëzit nuk e njihnin gjuhën që flitej prej tyre. Për të mos humbur përkrahjen dhe për të qenë më afër me mësimet fetare, këta eprorë ua aprovuan kërkesën misionarëve të tyre që një apo dy herë në javë të jepeshin kurse në gjuhën shqipe. Dhe përnjëmend kjo është shumë e rëndësishme në historinë e shqipes. Por, nuk mund të pohojme kurrë se këto shkolla mund të vendosen në vend të Mësonjëtores së Korçës. Këto kurse janë përpjekje interesante për të njohur mësimin e shqipes në kushte të ndryshme, qofshin këto të ndikuara nga feja, ashtu sikundër shpjegova më lart. Ne në Muze, këto shkolla i kemi paraqitur në stendë, pra nuk ua kemi mohuar rolin dhe kontributin që ato kanë sjellë në trajtimin e gjuhës shqipe. Në rast se ne duam që të mohojmë Mësonjëtoren, kemi mohuar dashakeqësisht rilindasit tanë, Naimin, Samiun, Hoxha Tahsinin, Vreton, Pashko Vasën, De Radën e shumë të tjerë. Jo më kot Naimi i këndoi Korçës për çeljen e shkollës së parë shqipe. Apo do mund të themi që Naimi nuk ka qenë në dijeni të këtyre shkollave që përmendi ju? Dhe unë mund të përgjigjem që si ka mundësi që Naimi, hartuesi i gramatikës më të mirë të gjuhës përse, një njeri me dije të gjithanshme në shkenca ekzakte, historike e gjuhësore, të mos ishte në dijeni të një lëvizjeje të tillë të shkollës së hershme shqipe? Apo aq më keq të pranojmë që Naimi ka pasur dije rreth tyre, por nuk ka dashur t’i përmendë (!!!). Mësonjëtorja ishte një institucion mirëfilli arsimor, patriotik, kombëtar e demokratik. I përbërë nga staf i përgatitur pedagogjik, i cili në të shumtën e rasteve kishte përfunduar studimet në universitetet më të mira të Evropës, siç është rasti i drejtorit të parë, mësuesit të parë dhe dëshmorit të parë të Mësonjëtores, Pandeli Sotiri. Ai ishte diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Vjenës, përveç njohurive shumë të mira që kishte në lëndët statistikë, gramatikë si dhe në përkthim. Mësonjëtorja ishte e pajisur me dokumentacion, si për shembull leje zyrtare e marrë për çeljen e saj, dëftesat, programet, etj. Të gjitha këto, por edhe të tjera që nuk mund të përmenden dot në këtë intervistë të shkurtër, bëjnë që Mësonjëtorja të quhet dhe të njihet si e para shkolle shqipe me fizionomi kombëtare dhe patriotike.
Sa vizitohet Muzeu Kombëtar i Arsimit “Mësonjëtorja e Parë Shqipe” nga brezi i ri? Çfarë faktesh historike mbart shtëpia e gjuhës shqipe për të rrëfyer historinë e saj?
Muzeu Kombëtar i Arsimit në Korçë është një nga objektet më të vizitueshme sot në qytet. Pothuajse të gjitha grupet dhe vizitorët, vendas apo të huaj që vijnë në Korçë, do të vizitojnë edhe Muzeu e Mësonjëtores. Shifrat e sakta të të gjithë vizitorëve, në çdo muaj i raportojmë në institucionin e ministrit të Kulturës. Dhe kjo procedurë ka rreth 3 vite që respektohet çdo muaj. Një vend të veçantë si vizitorë kanë patjetër edhe të rinjtë. Ata mund të ndahen në dy grupime si nxënës të shkollave apo jo të tillë, pra që e vizitojnë Muzeun bashkë me mësuesit dhe klasat apo të rinj që me dëshiren e tyre i afrohen munumentit të Mësonjëtores. Aktivitetet e zhvilluara në këto vite kanë qenë të shumtë, cilësore dhe mbi të gjitha kanë hedhur dritë në trajtimin e shumë ngjarjeve apo personaliteteve të historisë sonë kombëtare. Mund të them që mes dhjetëra e dhjetëra aktivitetesh të organizuara në Muze janë paraqitur dhe publikuar për herë të parë dokumentacione të shkuara të panjohura më parë, imazhe të panjohura fotografike, materiale audio dhe video të pashfaqura më parë që kanë të bëjnë me shkollën e parë shqipe, objekte me vlerë historike, etj. Pothuaj të gjitha aktivitet dhe përcjellja e tyre në mediat lokale apo kombëtare tani janë të vendosura në Mediatekën e Muzeut në formatet DVD, CD apo VHS dhe duke patur përkrah edhe median e shkruar, jemi në gjendje të tregojmë rreth pothuaj gjithë aktiviteteve të shumta e të larmishme që janë organizuar. Në muze janë bërë pjesë edhe nxënës të shkollave 9 vjeçare apo të mesme të qytetit, ku kanë zhvilluar orë mësimi apo kanë ndjekur dokumentarë të ndryshëm historikë. Duhen përmendur këtu edhe ekspozitat e shumta që janë zhvilluar në sallat e ekspozitave që ka Muzeu në dispozicion, ku kanë paraqitur punët e tyre piktorë korçarë ose jo. Një mundësi tjetër që ka afruar nxënës dhe të rinj është edhe një bibliotekë që ka filluar për herë të parë të ngrihet në Muze, si dhe një arkiv historik me dosje për çdo personalitet që lidhet me shkollën e parë shqipe. Këto materiale janë konsultuar nga të rinj të universitetit të Korçës si dhe nga profesorë të ndryshëm. Për momentin është duke u kërkuar material dokumentar dhe duke ndërtuar një databaze për gjithë shkollat e para në rang republike. Dhe këtu mund t’ju përmend materiale që lidhen me shkollat e para shqipe të Berat, Delvinë, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Kavajë, Kukës, Konispol, Krujë, Krumë, Labovë, Lezhë, Mat, Mallakastër, Shpat, Pogradec, Pukë, Sarandë, Skrapar, Shkodër, Tiranë, Vlorë, Vranisht, etj.
Pak ditë më parë Muezu Kombëtar i Arsimit “Mësonjëtorja e Parë Shqipe” ra pre e dhunës ashtu sikurse edhe shumë monumente të tjera të kulturës. Çfarë po ndodh, ne shqiptarët i kemi harruar apo i nënvlerësojmë vlerat dhe trashëgimi që na ka lënë historia? A duhet të merren masa…
Unë mendoj se asnjë institucion drejtues ose jo e ka të vështirë të marrë masë ndaj keqbërësve që duan të shkatërrojnë historinë apo mbetjet tona të trashëgimisë kulturore. Arsimi dhe kultura janë një armë e fortë që mund t’u kundërvihet shkatërrimeve dhe vandalëve. Institucionet kanë bërë punën e tyre dhe duke thënë brenda edhe jashtë mundësive, por është e pamundur që të arrihet të ruhen nëse nuk ka bashkërendim të veprimeve me qytetarin, me të rinjtë dhe të tjerët. Ata duhet të jenë të parët që të mos dëmtojnë monumentet kulturore, pasi ajo flasin për të shkuarën tonë dhe tregojnë realisht për kohën e tyre. Mund të jemi vërtet patriotë në një ndeshje futbolli, kur varemi jashtë dritareve të makinave me flamuj në dorë, ama kjo nuk na bën patriotë të vërtetë. Të tillë do të jemi kur të përkujdesemi edhe për trashëgiminë tonë kulturore, edhe për historinë tonë, pasi këto janë gjurmët tona dhe ato na bëjnë krenare që të thërrasim “O sa mirë me qen’ shqiptar” dhe jo vetëm valëvitja e flamujve kur shënohet gol.
Si e gjen ky vit Mësonjëtoren e Parë Shqipe?
Ky vit e gjen Mësonjëtoren me një traditë që është filluar të krijohet qysh para rreth tre vitesh, duke qenë në qendër të vëmendjes së vizitorëve, medias, institucioneve dhe studimeve. Mësonjëtorja sot është një kantier i madh kërkimi shkencor historik. Ky vit e gjen Mësonjëtoren me tre botime të publikuara nën siglën e saj, që janë njëkohësisht edhe tre botimet e para që nxjerr Muzeu në një hark kohor prej 25 vitesh. Ky vit e gjen Mësonjëtoren me një numër të madh relikesh të dhuruara nga pasardhësit e atdhetarëve, patriotëve, themeluesve, mësuesve dhe nxënësve të shkollës së parë shqipe. Do të ishte listë e gjatë nëse përmendja zonja dhe zotërinj të nderuar me banim në Korçë ose jashtë që kanë dhuruar materiale shumë të vlefshme për stendat tona, që para tre vitesh ishin të zbrazura dhe që kjo ishte bërë problem kushedi sa herë në kronikat e mediave dhe takimet e studiuesve. Ky vit e gjen Mësonjëtoren me një parapërgatitje të fortë, pasi vitin e ardhshëm mbushën 130 vjet nga çelja e saj.
Sot shtëpia e Flamurit në Korçë sot është e rrënuar. Disa vite më parë është premtuar rindërtimi i saj. Ky ishte edhe amaneti nëse mund ta cilësojmë kështu i Lazer Papajanit. Çfarë po ndodh me të?
Figurës së Papajanit mund t’i shtohen edhe shumë e shumë emra të tjerë të nderuar, të cilët kërkojnë ngritjen e shtëpisë së flamurit. Është një kërkesë e kohës, është një domosdoshmëri që duhet të jetë e prekshme në këtë vit të jubileut të 100 vjetorit të shpalljes së krahinës autonome të Korçës. Në dijeninë time kjo do të ndodhë së shpejti dhe Korça do ta ketë godinën historike të saj. Unë, si stërnip i sekretarit të Themistokli Germenjit do të kem vendin ku stërgjyshi im dhe bashkëpunëtorë të tij e ngritën në një nivel shumë të lartë diplomatik dhe patriotik zonën e Korçës gjatë Luftës së I Botërore. Ka ikur koha kur zyrtarët burokratë të Tiranës, në momentet kur u rrëzua godina, të trembur nga protestat e të rinjve dhe intelektualëve të qytetit, dolën rrufeshëm në media, paralelisht me protestat dhe premtuan shurdhazi ndërtimin e godinës. Unë kam qenë një prej tyre që kam marrë kontakt direkt me drejtues të kulturës në nivel kombëtar dhe më kanë pohuar se godina do të ngrihej shpejt. Le që nuk u mbajt ky premtim, por u penguan edhe institucionet lokale që të kryhej ndërhyrja, por edhe qytetarët e Korçës u ndjenë të fyer nga reagimi bosh i pseudokulturalistëve të ministrisë së atij viti. Unë besoj dhe shpresoj në rindërtimin e godinës.
A janë të vizitueshëm të gjitha objektet dhe monumentet e kulturës dhe trashëgimisë? Shpesh kemi mesuar se janë pronarët e objekteve të cilët pengojnë aksesueshmërinë në to nga specialistët?
Monumentet e kulturës duhet të jenë të hapura për t’u vizituar, absolutisht. Është e turpshme dhe qesharake që ata pronarë që kanë në zotërim monumente të tilla që ja vlen të vizitohen, të mos e japin këtë leje për vizitorë të ndryshëm, që përshkojnë kilometra të tërë për të parë e vizituar diçka. Është e pabesë dhe e ulët. Unë, në turet e mia, nuk kam pasur pengesa të tilla, pasi vendet që kam vizituar kanë qenë lehtësisht të vizitueshme. Por, mendoj se këto çështje i mbeten së kaluarës, pasi në ditët e sotme është e pamundur të dalësh kundër politikave kulturore të vendosura nga autoriteti i kulturës në qeverisjen qendrore. Deri dje edhe në Muzeun e Mësonjëtores duhet të kishe mik atë që varte çelësat në rripin e xhinseve që të mund të hyje e të ishe për pak momente brenda ambienteve ku u hap shkolla e parë shqipe. Sot gjërat kanë ndryshuar shumë. Çdo ditë që kalon sjell pozitivitetin e saj në trajtimin e gjithë problematikave dhe njëkohësisht të dhënies zgjidhje të tyre. Intervistoi: V.Stafa