Ura e Bratit është një objekt i vjetër pothuajse 6-shekullor. Por, pavarësisht kësaj edhe sot u vjen në ndihmë mjaft banorëve të zonës për të kaluar shtratin e lumit Shushicë. Për fat të keq, ajo është lënë në harresë dhe shpesh herë përbën rrezik për banorët që kalojnë në të. Ura e Bratit është e tipit venecian dhe është ndërtuar nga specialistë të Republikës së Venedikut. Duke e lënë pas dore, si dhe asnjë investim për këtë monument kulture, kjo urë shekullore vjen duke u shkatërruar. Banorët e fshatit Brataj shprehen se, ka 25 vite që në këtë urë nuk është vënë dorë, sidomos tek muret anësore, gjë që sjell rrezikshmëri për fëmijët e shkollave, edhe për faktin se erërat e fuqishme të lumit Shushicë një fëmijë do ta rrëzonin në lumë. Ura e Bratit, e shpallur monument kulture, është me dy harqe, më e madhja e të cilëve është ai që kufizon lumin, ndërkohë që në pjesën tjetër të objektit spikasin dritare që shërbejnë për shkarkimin e ujërave. Objekti ka një gjatësi prej rreth 30 metrash dhe lartësi deri në 9 metra. Sipas kryeplakut të fshatit Brataj, kjo urë para gjashtë shekujsh lidhte banorët e zonës së Amantias me ata të Vlorës. Në këtë urë, e cila është pak e njohur, është realizuar dhe një pjesë nga filmi “Nëntori i Dytë”.