Kosovë, javën e ardhshme procedohet me zgjedhjen e Presidentit

0
199

Koalicioni qeveritar në Kosovë ka vendosur që të procedojë javën e ardhshme në Kuvend me zgjedhjen e presidentit të ri, ku kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi synon të marrë mbështetjen e nevojshme për kreun e shtetit për një mandat 5-vjeçar.

Edhe pse, sipas Kushtetutës, data e fundit për zgjedhjen e Presidentit është 7 marsi, kryeparlamentari Kadri Veseli ka thënë se, këtë proces do ta përmbyllin javën e ardhshme, brenda muajit shkurt, ndërsa ka garantuar transparencë ndaj tij.

Sipas nenit 86 të Kushtetutës, që sqaron mënyrën e zgjedhjes së Presidentit dhe kuorumin e nevojshëm, gjatë seancës për zgjedhjen e kreut të shtetit duhet të jenë së paku dy të tretat e deputetëve të Kuvendit, apo 80, nga 120 deputetë sa janë gjithsej.

Nëse asnjë kandidat nuk merr shumicën e votave, prej dy të tretave të deputetëve, në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë mes dy kandidatëve, të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë, dhe kandidati që merr shumicën e thjeshtë të votave të të gjithë deputetëve, apo 61 prej tyre, zgjidhet President i Kosovës.

Ndërkohë, nëse edhe në votimin e tretë asnjë kandidat nuk arrin t’i marrë votat e nevojshme për t’u zgjedhur President, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditëve.

Sfida kryesore për zgjedhjen e Presidentit të ri në Kosovë është kuorumi i nevojshëm prej 80 deputetësh, pasi koalicioni qeveritar, edhe pse i ka 85 deputetë, disa prej tyre, kryesisht nga partia e kryeministrit Isa Mustafa, nuk e mbështesin kreun e PDK-së për President dhe mund të dalin nga seanca bashkë me deputetët e opozitës për të prishur kuorumin, e rrjedhimisht duke çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here