Organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International në raportin e fundit të publikuar nënvizon tre problematika kryesore për Shqipërinë: Munegsën e strehimit për komunitetet rom dhe egjiptian; situata e rëndë ekonomike që ka detyruar mijëra shqiptarë të largohen drejt vendeve të Europës Perëndimore dhe mbrojtjen e pamjaftueshme e viktimave të dhunës në familje.
Në raport Amnesty International Organizata ndërkombëtare shpreh shqetësim për shkatërrimin në korrik të banesave të shumë familjeve rome, pasi ishin identifikuar si ndërtime të paligjshme dhe autoritetet nuk kishin lejuar legalizimin e ndërtimeve në përputhje me ligjin e vitit 2014.
Dhuna ndaj grave dhe vajzave, përfshihet edhe në raportin e këtij vit të Amnesty International, ku nënvizohet se megjithë kërkesat e shumta për mbrojtje nga dhuna në familje, vetëm një përqindje e vogël e tyre janë miratuar, pasi viktimat tërheqin padinë si rezultat i presionit nga të afërmit.
Po ashtu raporti vëren se Kultura e pandëshkueshmërisë mbetet problem, duke përmendur si raste më të fundit ish-drejtorin e policisë së shtetit Hysni Burgaj dhe zëvendësin e tij Agron Kuliçaj që nuk zbatuan urdhër-arrestet për anëtarë të Gardës Kombëtare të akuzuar për vrasjen e katër protestuesve në janar 2011.
Ndër probleme të tjera në Shqipëri, raporti ngre gjendjen e vështirë ekonomike që ka shtyrë mijëra vetë gjatë vitit të kaluar të kërkonin strehim në Evropën Perëndimore.
Po ashtu mbetet problem, thekson Amnesty International, gjendja në burgje dhe qendra para-burgimi ku të burgosurit dhe të ndaluarit keqtrajtohen dhe mbahen në kushte të papërshtatshme.