Manjani: Byroja e Hetimit nuk është thembra e Akilit në reformën e drejtësisë

0
175

 

Reforma në drejtësi dhe azilkërkuesit ishin në fokus të vizitës së ministrit shqiptar të Drejtësisë Ylli Manjani në Berlin. Ky i fundit në një intervistë për Deutsche Welle foli lidhur me rëndësinë e konsensusit për këtë reformë si edhe për Byronë Kombëtare të Hetimit.

 

Tema e ditës në Shqipëri është reforma në drejtësi, si një çështje shumë e debatuar. Si mund të ndihmojë konkretisht Gjermania në arritjen e konsensusit për kalimin e kësaj reforme?

Kemi biseduar konkretisht në dy shtylla kryesore: së pari, në planin e bashkëpunimit politik, ku edhe grupet e majta dhe të djathta, me të cilat kemi marrëdhënie shumë të ngrohta dhe solidare, mund të na ndihmojë që ndryshimet dhe reformat të jenë sa më konsensuale. Kjo do të thotë se të gjitha partitë politike në Shqipëri duhet të futen në agjendën e ndryshimeve kushtetuese. Për këtë kemi rënë dakord. Dhe fjala që më është thënë në të gjitha këto takime është fjala konsensus, që ka qenë fjala kyçe e përdorur në çdo takim. Në këtë kuptim mu dha edhe mesazhi që duhet ta përçoj. Nevoja për konsensus është si një premisë e sigurt për ta bërë të zbatueshme reformën në drejtësi nesër. Dhe ky është kontributi numër dy, që jep Gjermania, pra që të shtojë sa më shumë kapacitetet teknike për ta bërë një drejtësi të zbatueshme sipas strukturave gjermane. Dhe kjo është realisht një ndihmë e jashtëzakonshme që marrim nga shteti gjerman në këtë kuadër.

Nga ana tjetër, kjo reformë duket se është hartuar më shumë sipas modelit amerikan, me Byronë e Hetimit të konceptuar në të. A është Byroja e Hetimit edhe thembra e Akilit në debatin për reformën, sepse modeli gjerman me sa duket nuk ka luajtur këtu ndonjë rol të veçantë apo jo?

Më lejoni të them se Byroja e Hetimit nuk është thembra e Akilit në reformë. Thembra e Akilit është një betejë permanente me korrupsionin në Shqipëri. Dhe lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm çështje e një Byroje Hetimi. Çështja është se si të ndërtojmë një institucion që nuk e shmang përgjegjësinë e hetimit, si deri më sot. Ekspertiza gjermane nuk ka qenë e përjashtuar. Ajo që kemi biseduar këto ditë është kërkesa ime që modeli kroat të jetë sa më prezent në Shqipëri, që është një model i cili ka funksionuar atje. Dhe ne nuk kemi pse të shpikim rrotën, sepse e kanë shpikur të tjerët para nesh. Nga kjo pikëpamje ai model që Gjermania ka dhënë në Kroaci është krejt i mirëpritur edhe në Shqipëri dhe nuk ka ndonjë ndasi të modelit amerikan apo evropian. Edhe evropianët edhe amerikanët janë në bord. Amerikanët janë dakord me këtë qasje, ndaj nuk kemi ndonjë përplasje kulturash. Përkundrazi gjërat janë komplementare. Ajo që duhet të bëjmë ne është kjo: që të bindim veten njëherë e mirë, që me një marrëveshje konsensuale t’i hapim rrugë nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese reformave më të thella që do të pastrojnë sistemin.

Mendoni se kjo reformë është aq solide sa t’i rezistojë kohës, larg interesave dhe konstelacioneve aktuale politike?

Nëse nuk arrijmë të ndërtojmë një sistem, i cili do t’i qëndrojë kohës, ne s’kemi bërë asgjë. Me çdo çmim ne duhet të bëjmë reformat dhe nuk ka kthim prapa. Duhet të ecim përpara dhe të bëjmë reforma të thella dhe të qëndrueshme. Kemi nevojë që ta çpolitizojnë sistemin e drejtësisë, ku sistemi gjyqësor të jetë mbi politikën. Dhe së dyti, të krijojmë një sistem të përgjegjshëm, i cili do t’i shërbejë njerëzve. Të gjitha partitë kanë rënë dakord për këtë. Tani duhet të ulemi në Parlament që të bëjmë ndryshimet kushtetuese dhe t’i hapim rrugën 40 ligjeve të tjera.

Reforma dhe miratimi në parlament është njëra anë e medaljes, ndërsa zbatimi i saj ana tjetër po aq e domosdoshme. Sa optimist jeni se këto ligje vërtetë do të zbatohen në praktikë?

Parakushti që këto ligje të zbatohen është konsensusi. Nëse ne të gjithë biem dakord se duhet ta bëjmë këtë gjë, atëherë nesër askush nuk mund të thotë se nuk ka qenë pjesë dhe të krijojë situata të paqena. Kështu ka ndodhur në të shkuarën. Ne duhet të mësojmë nga gabimet e së shkuarës dhe të biem dakord se ligjet e miratuara duhet të zbatohen. Duhet të biem dakord se nuk ka rrugë tjetër. Kjo do të thotë se nuk do të ketë nevojë as për debate politike. Çështja e zbatimit të ligjeve varet edhe nga kultura që duam të krijomë në institucionet e reja që do të krijohen pas miratimit të reformës. Ka premisa shumë të mira që të jemi optimist, sepse kontrolli do të jetë më i mirë, trajtimi do të jetë më i mirë, procedurat duhet të jenë sipas modelit gjerman, gjë që unë insistoj, sepse gjermanët janë shumë skrupuloz me këto çështje. Të paktën do të heqim mundësinë që interpretimi i ligjit të jetë sa më pak subjektiv.

Zoti ministër, për fat të keq në Shqipëri ka zënë rrënjë deri tani kultura e mosndëshkimit. Pra a mund të shërbejë kjo reformë si një pikëkthese kulturore në këtë drejtim?

Nëse nuk arrijmë të ndryshojmë në aspektin kulturor dhe në aspektin e zbatimit të ligjit, nuk kemi bërë asgjë. Unë jam optimist se do të kemi një ndryshim krejt tjetër të mentalitetit ndaj ligjit dhe ky është qëllimi i reformës. Nëse nuk e kuptojmë këtë, nuk kemi bërë gjë.

Shqipëria pret dritën jeshile nga BE për hapjen e negociatave për anëtarësim. Reforma në drejtësi është një prej kritereve kyç që duhen përmbushur në këtë rrugë. Pra do të keni sivjet një reformë të miratuar dhe okay për fillimin e negociatave?

Objektivi ynë është – siç e ka bërë të ditur edhe kryeministri -, që brenda muajit mars të kemi të kaluara ndryshimet kushtetuese. Ky është hapi numër një. Pas kësaj janë edhe 40 ligje që duhet të ndryshohen. Një pjesë e tyre po shkruhen me intensitet shumë të lartë nga institucionet e Euraliusit dhe jo vetëm nga ai. Shpresojmë që të gjitha këto ligje të miratohen deri në fund të këtij vitit. Kështu do të përmbyllim kuadrin legjislativ, i cili i hap rrugën pastaj ndërtimit të institucioneve të reja, i hapim rrugë zbatimit korrekt të këtyre reformave. Sigurisht që kjo kërkon kohë relativisht të gjatë, sepse ndryshimet kushtetuese janë hapi i parë, pastaj vijnë ndryshimet e ligjeve dhe zbatimi i tyre një nga një. Sigurisht që ka disa ndërhyrje të shpejta që duhet t’i bëjmë në veçanti në luftën kundër korrupsionit, në mënyrë të veçantë në hetimin penal, në ndjekjen penale, në ndëshkimin dhe ndalimin e kulturës së pandëshkushmërisë. Në këtë mënyrë duhet të japim mesazhe të qarta se e kemi seriozisht me luftimin e korrupsionit.

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here