Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Gjermani, Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani zhvilloi një sërë takimesh me këshilltarë të Kancelares, znj. Angela Merkel si edhe personalitete të Bundestagut gjerman. Ministri i Drejtësisë u takua me grupin e deputetëve të Komisionit të Ballkanit Perëndimor të Bundestagut, me të cilët u diskutua për rritjen e bashkëpunimit politik.
Bashkëbiseduesit diskutuan për rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndërsa u vlerësua nevoja për realizimin e reformave përmes një konsensusi. Duke u ndalur në çështjen e krizës së emigrantëve, grupi i deputetëve të Komisionit të Ballkanit Perëndimor të Bundestagut diskutuan edhe për rolin e Shqipërisë në menaxhimin e kësaj krize. Ylli Manjani zhvilloi takime dhe në zyrën e Kancelares Gjermane, znj. Angela Merkel, ku u prit nga dy prej këshilltarëve të saj.
Ecuria e procesit të reformës në drejtësi dhe menaxhimi i krizës së refugjatëve ishin në qendër të takimit midis bashkëbiseduesve. Në këtë takim, u diskutua për stadin aktual të reformës në drejtësi, ku u theksua nevoja për vendime konsensuale mes palëve.
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani kërkoi prezencë të privilegjuar të Gjermanisë në zbatimin e ligjit. Lidhur me çështjen e refugjatëve, Manjani shprehu gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të marrë pjesën që i takon.
Në përfundim të takimeve Ministri i Drejtësisë dha një prononcim për shtyp, ku foli për takimet e zhvilluara me zyrtarët e lartë dhe për mbështetjen që mori për realizimin e reformës në drejtësi.
“Pata një axhendë të ngjeshur takimesh Ministrinë e Drejtësisë Federale të Gjermanisë. Patëm takime me grupin e ndihmësve të Kancelares Gjermane Angela Merkel. Gjithashtu dhe sot në Bundestag pata takime me grupin e deputetëve të Ballkanit Perëndimor, me në krye deputetin z. Josip Juratovic. Sigurisht patëm takime shumë intensive dhe folëm për bashkëpunimin Shqipërinë-Gjermani, e cila ishte tema e takimeve të mia. Premtimi që mora në Ministrinë e Drejtësisë së Gjermane, për më shumë prezencë të ekspertizës gjermane, të mentalitetit gjerman të kulturës gjermane në hartimin dhe zbatimi i ligjit, që mua m’u duk më i rëndësishmi dhe unë besoj se është ajo që Shqipëria ka nevojë në këtë çast”, tha Manjani.
Ministri i Drejtësisë theksoi se Shqipëria ka nevojë për një kulturë të zbatimit të ligjit dhe ka nevojë për të patur një mbështetje shumë solide në Berlin.
“Unë jam i kënaqur që vizita ime e parë në hapësirën evropiane është në Berlin, sepse Berlini është kryeqyteti nëpërmjet të cilit ne do të duhet të anëtarësohemi sa më shpejt në Evropë. Që ta bëjmë këtë na duhet Berlini prezent në Shqipëri, na duhet që ta kemi sa më prezent në jetën tonë institucionale. Së dyti, në takimin që pata me ndihmesat e Kancelares Merkel. Kemi biseduar në detaje për rrugën e integrimit të Shqipërisë, kemi biseduar në detaje për mënyrë sesi do të administrohet miratimi dhe zbatimin e reformës në drejtësi. Mesazhet janë shumë të qartë dhe nuk ka kthim mbrapa. Në çdo kosto na duhet që të bëjmë një reformë të thellë, të qëndrueshme, që të flasë shqip me një mentalitet evropian, pse jo edhe në gjuhën gjermane, është një gjë shumë e këndshme dhe e domosdoshme”, vijoi Manjani.
Nga kjo pikëpamje, Ministri i Drejtësisë bëri me dije se apeli që i është bërë nga pala gjermane për ta transmetuar në mjedisin politik, është hartimi dhe miratimi i një paketë konsensuale Kushtetuese.
“Konsensusi është fjala kyçe dhe u përmend në të gjitha takimet dhe nga kjo pikëpamje unë them se ne patëm shkëmbime dhe bisedime në një frymë bashkëpunimi dhe në një frymë mirëkuptimi. Në Bundestag biseduam për çështjen e krizës së refugjatëve dhe për rolin e Shqipërisë. I premtova në emër të qeverisë shqiptare dhe i shpjegova planin e kontigjencës që ne kemi bashkëpunim me ekspertët e BE-së se Shqipëria është e përgatitur dhe do të jetë në anën e zgjidhjes së problemit në anën e të gjithë vendeve të BE-së. Nga kjo pikëpamje ne ndjehemi pjese e BE-së dhe jemi të gatshëm që të marrim të gjithë përgjegjësitë për këtë pjesë. Në tërësi ishte një vizitë e suksesshme dhe patëm shumë shkëmbime pikëpamjesh. Patëm shkëmbime informacioni. Me interes ishin pyetjet që mu bënë në lidhje me procesin e reformës në drejtësi , për të cilat dhashë të gjitha shpjegimet e nevojshme dhe sipas gjithë kalendarit politik që ne kemi”, – deklaroi mes të tjerash Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.