Nevada ishte një fitore e lehtë për Donald Trumpin, që i forcon kështu edhe më shumë pozitat në garën për nominimin presidencial republikan.
Miliarderi njujorkez ka tani 3 fitore radhazi, pas triumfit në New Hampshire dhe South Carolina.
Edhe njëherë senatorët Marco Rubio dhe Ted Cruz, të cilët kanë gjithë javën që sulmojnë ashpër njëri-tjetrin, e gjejnë veten duke u zënë për vendin e dytë. Zyrtarët partiakë, ndërkohë, po verifikojnë raportet për votim të dyfishtë, e në disa raste edhe pamjaftueshmëri të fletëve të votimit.
Nevada, një shtet i lëkundur tipik me një popullsi të madhe latine, konsiderohet vendimtar në procesin zgjedhor. Hillary Clinton e mori trofenë e saj atje të shtunën, në garën demokrate.
Për republikanët, ky ishte testi i parë në Perëndim të vendit. Në parapraket e tij sigurohen 30 delegatë, apo më shumë se 1% e totalit. Rezultatet fillestare tregojnë se, Trump ka rrëmbyer 42% të votave dhe rivali i tij më i afërt, Rubio ka marrë 25%.
Problemet nuk kanë munguar e në disa qendra, votimi raportohet të ketë nisur vonë. Përpara tyre ishin krijuar radhë të gjata, njerëzit nuk dinin se ku duhet të shkonin saktësisht për të votuar, pasi askush nuk i orientonte e siguria e vet fletëve të votimit ka qenë shumë e ulët.