Ky parlament është turpi i madh i Shqipërisë. Pas burgjeve, sot ne parlament gjendet perqendrimi me i larte i krimineleve. Do rishqyrtoj në themel qëndrimin tim ndaj ketij Parlamenti!
“Kreu i meduzës së krimit të organizuar, Edvin Kristaq Rama e ka shndërruar Parlamentin shqiptar në strofull të krimit dhe kriminelëve, dhe në atë Parlament gjen sot, pas burgjeve të sigurisë së lartë, numrin më të madh të kriminelëve. Sot, rendi i ditës është njëri prej tyre, Edmond Prenga alias Armando Prenga si lejtnant i Edi Ramës, i cili në mëshirë vendosi te mos paraqitet për t’i larë faqen e zezë Edi Ramës. Por Armandi është vetëm një prej tyre. Si Armandi dhe më të zinj se Armandi janë një numër shumë i madh deputetësh, të cilët vjedhin me pa mëshirë nëpërmjet mandatit, pasuritë e shqiptarëve.
Kurrë ndonjëherë nuk besoj në ndonjë vend të botës të ketë ndodhur kjo që ndodh me mazhorancën e qelbësirave, ku midis deputetëve ka një garë të papërmbajtur se si të përdorin pushtetin për të vjedhur pasuritë publike.
Ju e dini që në gjykim është sivllau Kokëdhima, simotra Leskaj, është Vullnet Spahiu, po mendoni ju se Ilir Beqja, të cilit i ngelin genjeshtrat në fyt në intervista, është me pak? Të cilit kompania, nga 120 mijë euro i arrin në 12 milionë euro. Mendoni ju se është me pak Sadri Abazi, nipi i të cilit, një Arbër Abazi është fitimtari i dhjetëra tenderave dhe punëve publike në mbarë vendin. Mendoni ju se është më pak Pjerin Ndreu. Dy ditë më parë do më vinte një sipërmarrës në zyrë dhe më tregoi dokumentat se si kishte paraqitur ofertën për 380 mijë lekë për roje të një objekti që e kishte patur gjithnjë, dhe atë e fitoi i vëllai Pjerinit me 520 mijë lekë për roje. Tani është epoka e Olsave, tani janë Olsat në fuqi. A e dini se ai deputeti që jeton atje në kështjellë, po bëhet gati të fusë në xhep 8 free shope në mbarë vendin, urtë e butë e plot tigani. Këtu është bërë e padurueshme. Nuk ka ndodhur kurrë që të vidhet haptas ditën për diell. Ndaj dhe unë do konsideroj shumë seriozisht qëndrimin tim në këtë strofull krimi. Këta janë hajdutët e shtetit!
Cfarë doni të thoni me këtë?
Unë jam menduar seriozisht, personalisht, natyrisht unë ndjek vendimet e grupit por natyrisht kam qëndrimet e mia. marrë. Unë do rishqyrtoj në themel qëndrimin tim ndaj ketij Parlamenti, që më shumë se çdo gjë tjetër ka hajdutët e shtetit.
…edhe bojkotin?
A jeni dëshmitar se si Olsi Rama del protagonist në vjedhjen e shtetit jo në një por në disa afera. A mund të vazhdohet më kështu? Unë mendoj se asnjë ditë nuk mund të vazhdohet në këtë mënyrë. Ka shpërthyer një lukuni e paimagjinueshme, ku deputetët, ministrat me familjet e tyre të përvetësojnë, të vjedhin ditën dhe natën pasuritë publike. Pra, demokracia këtu është në duart e mobokracisë, demokracinë e kanë marrë hajdutët dhe banditët e shtetit nën kthetra!
Revolucioni demokratik është absolutisht rruga e vetme, përmbysja e tyre me çdo kusht, me të gjitha mjetet e mosbindjes civile demokratike është rruga e vetme sepse ky parlament është turpi i madh i Shqipërisë, i Ballkanit dhe i Europës!
…do dorëzoni mandatin si zoti Haradinaj?
Te gjitha opsionet jane te hapura. Une e kam deklaruar dhe një herë në parlament, se unë qëndroj i hapur për çdo opsion në kushtet e këtij parlamenti me shkallën më të lartë të kriminalitetit. Ju ju kujtohet shumë mirë, se nga njëra anë, jo një tender, por një hidrocentral ku ishte bashkëaksioner kunati i një zyrtareje, kunati jo vëllai, jo burri, dhe çfarë zhurme u bë, kurse këta tani janë vërsulur me vëllezër. Po çka një kriminel më pak apo më shumë sesa Erion Veliaj, i cili me vëllain e tij vjedh paratë e dasmës dhe paratë e tjera? Ka një problem këtu?
Unë mendoj se cdo shqiptar duhet t’i thote vetes ku jemi dhe ku po shkojme. Në anën tjetër, propaganda e pështirosur e neo-bllokmenëve, të cilët neverisin qytetarët, të cilët përçmojnë qytetarët, të cilët u thonë qytetarëve se ju jeni dembela, të cilët iu thonë qytetarëve se vende pune kemi por jeni ju që jeni dembela.
PS ka deklaruar se ka vendosur një standart të ri duke larguar nga radhët e saj Prengën.
Cili standart? Zotin Prenga nuk e largoi fare PS. E dini ju që Edmon Prenga, emri i tij i vërtetë, është i akuzuar për dhjetëra vepra penale në Itali me këtë emër? A e dini ju se para saj, mbi të rëndojnë vepra të tjera penale. A e dini ju se vetëm për këto vepra penale e ka rekrutuar Edi Rama. Dhe pasi erdhën dje deklaratat shokuese nga Brukseli u detyrua ti thotë të largohet. Unë them që parlamenti ka kaluar afati i tij, unë them që nuk mund të ekzistojë asnjë ditë më.
Largimi opozitës nga parlamenti a e zgjidh këtë situatë?
Opozita merr vendimet e veta, unë po flas këtu si Sali Berisha. Natyrisht unë do ti nënshtrohem vendimeve të grupit për aq sa ato mund të akomodohen me bindjen time. Kjo situatë është e padurueshme. Shkoni merrni prokurimet, janë kudo familjet e tyre. Po nëse ne përdorim pushtetin për të vjedhur me tenderat me familjet tona, pastaj të varfërit ose duhet të ikin nga ky vend ose duhet të pregatiten të vdesin nga uria kronike, dhe të quhen dhe dembelë pastaj, se nuk punojnë.
Po thoni që do dorëzoni mandatin zoti Berisha?
Të gjitha opsionet unë i kam të hapura.
A do dorëzohet Sali Berisha përballë mazhorancës?
Jo nuk dorëzohet, vetëm për t’u dorëzuar që nuk dorëzohemi kurrë ne! Ne absolutisht do vazhdojmë betejën dhe unë jam i bindur që opozita do ta vazhdojë betejën.
Brenda parlamentit apo jashtë?
Atë do ta vendosi grupi parlamentar. Nuk jam unë më në vendimmarrjen e PD. Unë bëj atë që vendos PD se kështu është rregulli, por opozita ka njëqind mënyra për tu përballur me këtë bandë kriminelësh, organizatë kriminale që është në qeveri dhe parlament. Më thoni ju mua, Koço Kokëdhima, nënkryetarja Leskaj, Spahiu, Gaçe, Pjerin Ndreu, Sadri Abazi, Rama në krye të tyre me Olsin, Ilir Beqja, çfarë bëhet kështu. Pale ai tjetri, famozi i anglishtes që i thoshte Fatos Nanos që “ky ka vetëm fjalët anglisht se ky është sine materia”.
Kur do ta merrni vendimin për marrëdhëniet tuaja me parlamentin?
Marrëdhënien time me parlamentin, natyrisht unë do respektoj grupin, por unë jam duke menduar variante shumë të hidhura, sepse nuk mund të qëndrohet më në këtë parlament me këtë shkallë të lartë inkriminimi.
A ka një skenar opozita?
Skenari opozitës është lufta pa kompromis kundër krimit në parlament dhe në qeveri.
Skenar duke gjuajtur me vezë…?
Opozita bën zgjedhjet e veta, por unë dhe një herë po paralajmëroj këtu se në këtë mënyrë nuk vazhdohet më.
A mundet parlamenti shqiptar të kthehet si ai i Kosovës?
Jo ne gaz lotsjellës nuk hedhim. Unë atë që kam dënuar për Koosvën atë do dënoja dhe për Shqipërinë, ne gaz lotsjellës nuk hedhim në parlament. Për këtë jam kategorik. Nuk mund të jem me dy standarte, një për Kosovën dhe një për Shqipërinë. Por opozita ka njëqind mënyra të tjera pa hedhur gaz lotsjellës në parlament, sepse dhe aty, janë një grup kriminelësh, por ka dhe deputetë të ndershëm, ka deputetë socialistë që s’kanë asnjë lidhje me krimin, as me pasurimin, jetojnë me rrogën e tyre, dhe natyrisht janë fatkeq sepse janë skllevër i një njëriu, i cili ka shndërruar partinë e tij, qeverinë e tij, parlamentin dhe shumicën e tij në organizatë kriminale.”