Si do eci Beni….
-Cilët janë 10 emrat e fshehtë brenda grupit të PS-së që përkrahin nën zë “rebelimin” e Blushit
Gëzim Saliu
Ku po shkon Ben Blushi? Cili është pikësynimi i tij me “luftën” që i ka shpallur kryesocialistit Rama? A po kërkon Blushi thjesht karrigen e kryetarit për të përmbushur aspiratën e tij të hershme apo është duke zhvilluar një “betejë” që më së shumti synon rikthimin e PS-së tek e majta? Të gjitha këto pyetje janë ngritur, jo vetëm brenda ambientit partiak ku aderon deputeti socialist, por edhe tek politika në tërësi dhe analistët në veçanti që janë marrë gjerë me komentet e tyre për lëvizjen “Blushi”. Në fakt e gjithë kjo çështje mori interes të veçantë pasi Blushi shpalli ambicien e tij për marrjen e postit të kreut të PS-së, duke pohuar hapur publikisht,: “unë mund ta drejtoj më mirë se Rama Partinë Socialiste”. Por a po kërkon vërtet Blushi të nxjerrë jashtë PS-së atë që e cilëson si “Rilindje” e kriminelëve dhe banditëve apo thjesht kemi të bëjmë më një lëvizje bizantine me metodat që vetë Rama mori partinë Socialiste në 2005-ën?
Blushi si socialist
Deri më tani përmes lëvizjeve dhe qëndrimeve që ka mbajtur, Ben Blushi ka treguar se mbështet një PS me taban të majtë, gjë e cila sipas tij po i mungon partisë tre vitet e fundit nën drejtimin e Ramës. Nuk mund të mohohet se ishte pikërisht deputeti Blushi, ai që në fakt e paraqiti më së pari publikisht idenë e taksimit progresiv, pra më shumë taksim për të pasurit e më pak për të varfrit. Përmes dy shkrimeve në vitin 2011-2012, që më së shumti ngjanin si platforma ekonomike të një programi që ende nuk ishte shpallur, Blushi kërkonte të kthehej vëmendje tek të varfrit të cilët sipas tij po taksoheshin në mënyrë të padrejtë nën qeverisjen e djathtë. Po ashtu Blushi kritikonte fort në atë kohë edhe rritjen e borxhit publik dhe kërkonte që të përfshihej në Kushtetutë masa ku ai nuk duhej të kalonte limitin. Për të dyja këto nisma të tij, Blushi hasi në përkrahjen e Ramës, pasi taksimi progresiv u bë kryetema e programit të PS-së para fushatës së 2013-ës e ndërsa premtimi për uljen e borxhit ishte ndër më kryesorët tek socialistët. Por duket se për të dyja këto nisma, tashmë pas tre vitesh, Blushi ka një kundërshti të thellë me mënyrën se si qeveria “Rama” po i ndjek. Sipas tij, qeveria me politika e saj, masat ekstreme dhe taksat e larta ka varfëruar edhe më shumë shqiptarët, duke përmendur në kritikën e tij edhe largimet masive drejt vendeve të Evropës. Gjithashtu Blushi ka shprehur shqetësim të fortë lidhur me rritjen e borxhit publik, duke mos e shfajësuar Ramën në argumentet e tij se kemi të bëjmë me : “njohje të borxhit të vjetër” të qeverisë së kaluar”. Nga 2013-ta, ku në marrëdhënien Blushi-Rama u shënua “pranvera e dytë” pas asaj të viteve të para kur Rama mori drejtimin e PS-së, deri tani deputeti dhe kryetarin e ndan thellësisht edhe mënyra e drejtimit të PS-së. Pika kryesore e kërkesës së Blushit ka qenë respektimi i statutit, duke vënë theksin tek mos mbledhja e forumeve dhe tek mos funksionimi i partisë me të gjitha strukturat e saj. Këto dallime të faktuara mes dy palëve i japin më shumë “zë” tezës sipas së cilës synimi i Blushit për kryesimin e PS-së ka të bëjë me rikthimin e kësaj force në vazhdën e tradicionalitetit dhe frymën e “majtizmit”.
Blushi si “bizantin”
Por në anën tjetër të medaljes qëndron edhe nënkuptimi i disa mesazheve të dhëna në kohë nga aktiviteti i Blushit brenda PS-së, të cilat mund të krijojnë dyshime mbi atë se çfarë po synon ai me marrjen e drejtimit të forcës më të madhe politike në vend: realisht ndryshimin e saj apo thjesht përmbushjen e ambicies…. Ndonëse tani ka marrëdhënie tepër të acaruara me Ramën, ishte pikërisht Blushi që në vitin 2003 kur mbante postin e ministrit të qeverisë “Nanon” i dha firmën Ramës për të kandiduar përballë kryeministrit të asaj kohe. Po ashtu shumëkush nuk e ka harruar atë që është cilësuar si “tradhti” e tij ndaj Lëvizjes për Mendim Ndryshe, ndonëse vetë Blushi nuk e ka konsideruar si të tillë. Megjithëse një nismëtar i kësaj lëvizjeje të krijuar në vitin 2009 për të kërkuar dorëheqjen e Ramës si shkaktar kryesor i humbjes së zgjedhjeve, Blushi me kalimin e kohës “pësoi” një tërheqje në qëndrimet e tij. Jo pak suprizuese ishte kafja e tij me Ramën në oborrin e pasëm të selisë së PS-së vetëm një java para mbajtjes së punimeve të Kongresit të nëntorit 2011, kur ndërkohë “kolegët” e ish-LMN-së si Islami e Malaj ishin futur në rreth nga ana e kryesocialistit. Nuk u zbardh asnjëherë arsyeja se pse Blushi në mesin e betejës me Ramën, vendosi të bëjë paqe me të e madje të ulë “zërin e volumit kritik” brenda partisë duke e çuar atë deri në shuarje. Vetë Blushi ka deklaruar publikisht se kërkoi që PS mos përçahej dhe të fitonte zgjedhjet e 2013-ës, por pakkush brenda radhëve të socialistëve e besoi këtë argument.
10 “tradhtarët” e Ramës apo 10 “ithtarët” e Blushit
“Unë flas me të gjithë deputetët dhe për hir të së vërtetës, privatisht më japin të drejtë se s’ka pse mandati i kryetarit të jetë 7 vjet, kryesia ka 3 vjet që s’mblidhet”. Kështu do të shprehej Ben Blushi pas një mbledhjeje grupi në PS ku sapo kishte nisur betejën e tij frontale me kryesocialistin Rama. Ndonëse në fillim kjo deklaratë u duk thjesht si formale, mbështetja ndaj Blushit nuk mungoi të shfaqej edhe publikisht. Fillimisht do të ishte deputetja e qarkut të Shkodrës Mimoza Hafizi ajo që deklaroi publikisht se mbështeste qëndrimet e Blushit për respektimin e statutit duke kërkuar zgjedhje për kryetarin. Vetëm pak ditë më pas në krah të Blushit do të dilte edhe një ndër “senatoret” e PS-së, deputetja Arta Dade e cila nuk nguroi ti dërgonte letër kreut të grupit Ruçi për të kërkuar sqarime lidhur me mos respektimin e statutit dhe zgjedhjet e brendshme. Në të njëjtën linjë u shpreh më pas edhe deputeti tjetër shkodran Namik Kopliku, i cili pohoi se nuk qëndron në krah të asnjërit por se mbështet respektimin e statutit. Nuk ka munguar në këtë mes edhe deputeti i qarkut të Korçës, Ylli Ziçishti i cila ka theksuar se do të mbetet “partizan” i librit themeltar të partisë, duke respektuar statutin e PS-së. Ndërkohë në këtë grup nuk mungojnë edhe ata deputetë që nuk janë shprehur ende publikisht për debatin, por se duket që mbështesin në qëndrime kolegun Blushi. Zëra brenda socialistëve bëjnë të ditur se ndaj Blushit, nuk mungon as mbështetja e Musa Ulqinit, Luljeta Arapit, Namik Dokles apo edhe ish-ministrit të shkarkuar të Financave Shkëlqim Cani. Po ashtu një javë më parë 12 socialistë iu drejtuan me një letër Komisionit të Garancive Statutore ne Partine Socialiste, duke kërkuar respektimin e dokumentit baze te kësaj force politike. Krahas dy deputeteve Hafizi, Dade e Kopliku, Blushi u mbështet edhe nga figura te njohura si Rexhep Mejdani apo ish-deputeti Marko Bello apo Ndre Legisi. Gjithashtu brenda qëndrimeve të ministrave socialistë, që kanë shprehur kundërshti ndaj Blushit, ka edhe komente ku lihet shumë vend për hamendësime. Reagimi i fundit i ministres Kodheli, e cila njihet jo vetëm si besnike e kryeministrit por edhe për afërsinë me deputetin socialist, se kongresi i 19 marsit do të vendosë nëse do ketë zgjedhje për kryetarin në një farë mënyrë i la derë të hapur garës së brendshme.
Analizat për Ben Blushin
Raporti Blushi-Rama, çfarë ka ndodhur mes tyre
Nga Blendi Fevziu
Ishin miq! Pastaj u përplasën publikisht. Bashkëpunuan dhe u përplasën sërish! Histori e vështirë kjo mes Ben Blushit dhe Edi Ramës. Një histori që reflekton gjithë dilemat dhe pasigurinë e vetë Selisë Rozë. Raporti mes dy njerëzve më të rëndësishëm të Partisë Socialiste nis në fillim të viteve ’90 – të. Rama pedagog i pikturës në Institutin e Lartë të Arteve dhe Ben Blushi i sapo diplomuar në letërsi, ata u grumbulluan fillimisht rreth gazetës Koha Jonë dhe më pas rreth fondacionit Soros në Tiranë. Nuk dihet se kur dhe si janë prezantuar ata të dy në Tiranën e rrëmujshme të 1991 – 1992, por dihet se lidhja mes të dyve u bë më e fortë pas ardhjes së PS në qeveri në vitin 1997. Në vjeshtën e atij viti Ben Blushi, në atë kohë zëdhënës I Kryeministrit, ndërmjetësoi një takim në Hotel “Maurice” në Paris mes Kryeministrit Nano dhe Edi Ramës që ishte emigrant në Francë. Takimi u pasua nga një fjalë përshëndetëse e Nanos në 7 vjetorin e Reflesioneve, në Dhjetor 1997, shoqëruar me elozhet e Ramës për të si dhe një darkë e papritur në Restorant Piazza. Produkt i të dyjave ishte thirrja e Ramës si anëtar Kabineti në Prill 1998, në postin e Ministrit të Kulturës. Blushi ishte kumbari i dashurisë së re Nano – Rama. Një dashuri që gjithsesi nuk do zgjaste më shumë se disa muaj.
Blushi ndoqi po ashtu një rrugë politike. Ai u zgjodh deputet më 2001 dhe Ministër i Arsimit po atë vit. Midis tyre u vendos një aleancë e dukshme. Raporti qe aq bashkëpunues dhe aq i fortë, sa Ben Blushi ishte i vetmi anëtar i qeverisë që mbështeti kandidaturën e Ramës për kryetar i PS në kongresin e Dhjetorit 2003. Kanditaturë që ishte përballë asaj të Kryeministrit Nano. Nuk ka asnjë dyshim që tej preferencës së Ramës ndaj shefit direkt të tij, Kryeministrit, Blushi kreu edhe një gjest mjaft domethënës politik. Ndryshe nga shumica e Ministrave që ndiqnin humorin e Kryeministrit, ai u konfirmua si një figurë partiake. E asaj stature që luante përtej interest të momentit si ministër dhe që shihte edhe anën e përtejme, atë të selisë rozë. Por padyshim, ky gjest duhet komentuar edhe me tolerancën emblematike të Nanos që nuk do të përsëritej më në PS. Bashkëpunimi u bë më dominues në vjeshtën e vitit 2005, kur Blushi u angazhua fort për ardhjen e Ramës në krye të PS. Bashkëpunim që nisi ende pa mbaruar numërimi i votive të 3 korrikut. Mbasditen e herët të datës 4 Korrik, kur Edi Rama i veshur me pantallona të verdha, mbërriti në selinë e PS me një propozim konkret për Gramoz Ruçin dhe Ben Blushin. T’i mbyllnin Nanos derën e PS me premtimin që si lideri i ri i asaj selie, ai t’i sillte në pushtet. Sipas të gjitha informacioneve mes Blushit dhe Ramës ka pasur atë mbrëmje një bisedë të gjatë. Një bisedë për të cilën nuk është shprehur më pas asnjë nga ata. Thelbi i saj mund të merret me mend. Pak muaj më pas Rama erdhi në krye të PS në vendin e lënë bosh nga Fatos Nano në respekt të një deklarate të bërë në emisionin Opinion më 10 Shkurt 2005 dhe të një standarti që Edi Rama e kishte propozuar në kongresin e majit të atij viti: “Kush humbet zgjedhjet, largohet nga drejtimi I partisë”! Në dy vitet e para të Ramës raporti i tyre qe mjaft intensiv dhe kulmoi me emërimin e Blushit si Kryetar i Grupit Parlamentar të PS në Prill 2007. Por ai qëndroi në këtë detyrë vetëm pak muaj. Si pasojë e keqmenaxhimit të zgjedhjes së Presidentit në Korrik 2007 dhe mbështetjes së 6 deputetëve të PS për Bamir Topin, Blushi dha dorëheqjen. Në fakt raportet e tij me Ramën vijuan mjaft të mira deri në korrik 2009. Pas humbjes në zgjedhje dhe kontestimit të Ramës që pretendonte se votat qenë vjedhur, Blushi deklaroi se PS i kish humbur këto zgjedhje dhe i kërkoi Ramës që të njihte përgjegjësinë e tij. Debati mes tyre mund të përmblidhet në dy fjalë: Rama deklaronte se humbja e tij e kish thelbin e saj në kutitë, ndërsa Blushi besonte dhe deklaronte se ajo gjendej jashtë tyre, madje tek Rama vetë.
Raportet e të dyve u tensionuan mjaft në verën e 2009 dhe Blushi kontestoi edhe rizgjedhjen e Ramës në krye të PS. Por nuk konkuroi vetë për Kryetar. Në këtë kohë, së bashku me 6 deputetë të tjerë Blushi krijoi Lëvizjen për mendimin Ndryshe. LMN funksionoi disa kohë, ajo e kontestoi PS në bazën dhe thelbin e saj, i solli mjaft probleme Ramës, por pushoi, pa ndonjë shpjegim të qartë. Nuk ka asnjë dyshim që rolin kryesor këtu e luajti Blushi që u tërhoq në momentin e një vendimi me mjaft përgjegjësi: A qenë ata 6 deputetë të gatshëm të krijonin një formacion tjetër politik në atë moment që Rama i mbylli shtigjet dhe ata s’mund të vijonin më tej brenda PS? Nuk dihet se ç‘ka lëvizur tjetër, por një bilanc mund të bëhet këtë moment. LMN ndikoi mjaft për të kthyer një seri vendimesh absurde që do ta kishin rrënuar krejt të ardhmen e PS, bojkotin e parlamentit dhe strategjinë e dhunës. Dy gjëra që Blushi vijoi t’i mbrojë ende, siç është në rastin e dytë qëndrimi që ai ka mbajtur kundër grevës së urisë së majit 2010 dhe për 21 Janarin. Rreth vitit 2012, kontestimet publike të Blushit ndaj Ramës u redaktuan, dhe ky i fundit, filloi ta përmendë emrin e Blushit sërish si një vlerë në PS. Përpara zgjedhjeve të 2013, Rama dhe Blushi u panë disa herë bashkë, në takime të gjata, që vijonin edhe disa orë. Më shumë se takime shkrimtarësh që sapo kishin publikuar librat e tyre, ato ngjanë takime mediatike, për të dhënë sinjalin e një raporti të ri. Nuk dihet nëse mes tyre ka pasur sërish një marrëveshje, apo një pakt, por dihet se Rama dhe Blushi qenë rikthyer në një komunikim të ri. Të ndryshëm nga ai i 2009, por padyshim, larg atij të vitit 2005. Edhe pse Blushi, vijon të jetë sot, i vetmi zë në PS që shpreh mendime të ndryshme nga ato të Ramës e madje edhe artikulon teza politike që prodhojnë debat në publik. Dhe absolutisht i vetmi që në disa qëndrime rresht ka qenë kritik ndaj vetë politikës së PS. Raporti Blushi – Rama u duk sikur u tensionua pas zgjedhjeve të 2013 dhe caktimit të Qeverisë, Qeveri ku Blushi nuk bënte pjesë. Por Opinion.al ka pasur informacione që raporti Blushi – Rama ishte prishur më herët, që në Maj 2013 gjatë fushatës kur Blushi drejtonte qarkun e Elbasanit. Shkaku i prishjes nuk dihet, por dihet se që atëherë, kontaktet dhe marrëdhënia mes tyre ka qenë shumë sporadike. Blushi ka qenë ndër kritikët kryesorë të qeverisë, me një kritikë të strukturuar. Herë herë ai ka marrë edhe përgjigjë të tërthorta të Ramës. Por ky i fundit, i pyetur në Opinion për një koment më konkret është përgjigjur se ai nuk komenton, komentatorët. Tentativa për një bisedë mes tyre thuajse një vit më parë gjatë një darke në Pezë po ashtu dështoi. Blushi nuk u përfshi në zgjedhjet lokale dhe sot, mbetet zëri më i drejtëpërdrejtë dhe më kritik i Qeverisë brenda mazhorancës. A mund të vijojë Blushi të qëndrojë në PS apo do tentojë të krijojë një grupim të tijin politik? A do të presë ai me durim dështimin e Ramës për t’ju dhënë formë kritikave të vazhdueshme apo do tentojë ta shpejtojë këtë rrëzim duke u angazhuar edhe vetë politikisht? Vështirë t’ju japësh përgjigje gjithë këtyre pyetjeve, nga të cilat varet jo pak edhe suksesi i vetë PS në zgjedhjet e 2017. Ose së paku është vështirë t’i japësh një përgjigje, derisa njëri prej tyre të flasë më drejtëpërdrejtë! ( Shkrim i publikuar në opinion.al)
Përse Blushi ka të drejtë
Nga Andi Bushati
Këmbëngulja e deputetit socialist Ben Blushi për të kërkuar zgjedhje për kryetarin e partisë dhe insistimi i tij për ta bërë publike këtë në çdo rast që i jepet mundësia, do ta vendosë atë përballë dy grupimeve të mëdha me kundërshtarë. Të parët do ta akuzojnë personalisht duke i thënë se ai do ta shfrytëzojë këtë garë për orekset e veta duke e përdorur tribunën e kongresit si një trampolinë për të krijuar diçka të re. Të dytët, nga pozita me mediokre, do të përsërisëin fjalët e Edi Ramës se është harxhim i kotë energjish dhe një nonsens të votohet në parti, një shef qeverie që ka fituar në mënyrë gati plebishitare dy palë zgjedhje. Në fakt të dyja këto grupime mund të kenë një lloj të drejte. Pa dyshim brenda këmbënguljes së Blushit ka ambicie personale. Pa dyshim që ka një mllef për mënyrën se si Rama po qeveris vendin me njerëz të paaftë dhe të korruptuar. Pa tjetër ka qefmbetje për humbjen e vlerave të meritokracisë brenda një familjeje politike të përbashkët. Nga ana tjetër dhe ata që thonë se zgjedhjet janë një formalitet, ndonëse nuk kanë respekt për demokracinë, e dinë se në realitet askush nuk mund ta rrëzonte Edi Ramën sot brenda PS-së. Për sa kohë ai hudhëheq qeverinë, për sa kohë ka centralizuar vendimmarrjen, ka rekrutuar të gjitha pikat kyçe dhe e ka vënë veten në rolin e shpërndërësit të bamirësive të pushtetit, ai është i pa mundshëm në çdo forum socialst.
Po atëhere pse Blushi ka sërisht të drejtë?
Ka në fakt më shumë se një arsye për këtë… Blushi ka të drejtë sepse kërkesa e tij është legjitime dhe qoftë edhe për formalitet, askush në një parti demokratike nuk ka tagrin të anullojë garën. Vetëm nga meraku se kundërshtari i tij do dali njësoj në media, se ai do të artikulojë kritika nga tribuna me stemën e PS-së, se ai do të këtë mundësinë të afishojë të gjithë zërat kundër kryetarit aktual, se ai do të shkaktojë zallamahi mediatike, Edi Rama nuk mund të ndalojë konkurimin. Blushi ka gjithashtu të drejtë, sepse pavarësisht nga interesat të cilat e shtyjnë, ai po e ngre zërin në emër të thirrjes së fundit për një PS demokratike. Të gjithë e dinë se pas largimit të Fatos Nanos, Rama u zgjodh herën e parë në mënyrë të çalë (Në 2005 kur i ra platforma por fitoi karrigen) dhe herën e dytë në mënyrë hipokrite dhe qesharake (Pasi humbi zgjedhjet e 2009, nuk pranoi të jepte dorëheqjen siç qe shkruar në statut dhe zgjodhi një kandidat fallco që ti bëntë konkurencë, të cilin e merrte ne makinë më vete për të bërë garë). Pra një përçudnim i tretë do të qe fundi i një partie socialiste të hapur. Blushi ka të drejtë edhe sepse një farë mënyre ai mund ti shpëtojë faqen PS. Nëse këmbëngul tek gara dhe nëse provon të konkurojë vetë, ai jep mesazhin se jo të gjithë socialistët duhen identifikuar me Ramën dhe me qeverisjen e tij të dështuar dhe kleptokrate. Një skenar i tillë do të qe vazhdim i trashigimisë më të mirë të Nanos, i cili pas largimit të vet nuk e la PS tokë të djegur ashtu siç ka vepruar Berisha me PD-në. Dhe meqë jemi këtu, tek krahasimi PD-PD, Blushi sërish ka të drejtë. Sepse ai po i ofron partisë së tij, një mundësi (ndoshta të fundit) për ti shpëtuar furisë së analistëve të papaguar nga pushteti. Sepse të gjithë ata që kanë ngritur zërin deri në kupë të qiellit, katër vite më parë se Berisha nuk bënte garë për kryesinë e partisë, nuk mund të heshtin nëse Rama anullon sfidën për kryetarin. Nëse do të ruanin të njëjtat parime ata duhet ta masakronin këtë sjellje prej Kim Jong Ili. Pra për të gjithë këto arsye, Blushi ka më shumë sesa një herë të drejtë. Pavarësisht nga frikrat e Ramës se rivali i tij mund ta shfrytëzojë garën për të dalë nga PS-ja me një përplasje spektakolare të derës, ai nuk e shndërron dot këtë ankth, në një vijë sjellje dhe parim për drejtimin e PS-së. Meraku se mos i njollosin portretin duhet të jetë gjithsesi më i vogël sesa etiketimi i PS-së si një parti berishiste. Duke mbrojtur bindjet, interesat dhe ambicjen e tij, Ben Blushi po i’a jep këtë mundësi forumeve socialistëve. Tani është në dorën e tyre të shprehen. Të tregojnë se nëse nuk kanë guximin për të mbrojtur Blushin si një vlerë të PS-së, të paktën të kenë mendjekthjelltësinë, për ta atë përdorur si alibi. ( Marrë nga Lapsi.al)