Dy kuti argjendi me lipsanet e Gjon Vladimirit, princit që u bë shenjt, zbulohen pas 35 vitesh. Për më shumë se tre dekada, mendohet se këto materiale me vlerë kanë qenë të depozituara në bodrumet e Muzeut Historik Kombëtar.
Në një intervistë ekskluzive, drejtori i këtij institucioni, Melsi Labi thotë se gjetja e relikëve, të cilat përmbajnë eshtrat 1.000-vjecare të princ Vladimirit, u bë nga një grup gjatë punës për mirëmbajtjen e muzeut.
“Themi zbulim sepse këto relike kanë qenë në Muzeun Historik Kombëtar prej rreth 35 vjet dhe janë zbuluar gjatë punës për ristrukturim të ambjenteve të muzeut”, deklaron Labi.
Sipas Labit, këto materiale me vlerë shpirtërore për klerin ortodoks, por edhe me shumë vlera historike e shkencore janë depozituar pranë muzeut me qëlllim ruajtjen e tyre për shkak të rrethanave të kohës.
“Këto kanë qenë pjesë e kishës ose të fshehura diku për shkak të besimit dhe në momentet e sulmit ndaj klerit në kohën e Republikës Socialiste të Shqipërisë, ato janë menduar si materiale me vlerë dhe janë dërguar në muze për mbajtje, ruajtje dhe depozitim”, thotë Labi.
Shumë shpejt në Pavionin e Mesjetës do të ndërtohet një ekspozitë për këto materiale, me qëllim që të vizitohen jo vetëm nga besimtarët, por edhe nga shkencëtarët e historianët.