Intervista e Ben Blushit për Deutsche Welle
DW: Ju z. Blushi jeni vetëshpallur si kandidat potencial për kryetarin e Partisë Socialiste në Kongresin e 19 marsit. Por z. Rama dhe eksponentë të tjerë socialistë mbrojnë idenë se në atë Kongres nuk do të ketë garë për kryetar të partisë, pasi lideri aktual po konsumon një mandat kryeministri deri në mes të vitit 2017. Pse ju po investoheni për garë, në një kohë që gjasat janë se garë nuk do të ketë?
Ben Blushi: Shikoni, unë nuk kam asnjë arsye të parashikoj dhe të lexoj pikëpamjet e kundërshtarëve të mi. Kur ka një garë, atë nuk e vendos kundërshtari, por e përcakton rregulli. Dhe rregulli në PS është që ka garë një herë në katër vjet. E keni paraysh që jemi në vitin e shtatë dhe vetëm para disa muajsh u vendos nga PS që të ketë një Kongres. Meqënëse ky është një kongres zgjedhor, ku zgjidhen forumet nga anëtarësia deri te delegatët e Kongresit, asambleja, kryesia dhe anëtarët e rinj, ndaj dhe kjo dikton se duhet të zgjidhet dhe kryetari. Unë nuk mund ta marrë të mirëqenë faktin se kryetari i PS-së nuk do të zgjidhet. Duhet të zbatohet rregulli, statuti, sepse ky është një precedent që e aplikojnë të gjitha partitë evropiane. Merrni p.sh. rastin e kancelares Merkel, që pavarësisht se ajo është në këtë post, çdo dy vjet i nënshtrohet zgjedhjeve në parti. Pra, megjithëse i ka fituar zgjedhjet e përgjithshme ajo nuk ka thënë dhe nuk do të thotë, se meqënëse ka fituar mandatin si kancalare nuk do të garojë për postin e kryetares në partinë e saj.
DW: Meqënëse PS është në një proces të përzgjedhjes së delegatëve për në Kongres aktualisht, si e vlerësoni atmosferën?
Ben Blushi: Unë mendoj se e gjithë partia është në një klimë trysnie, që do të thotë se ajo që kemi thirrur si demokraci e brendshme nuk ekziston. Ndaj dhe shumica e delegatëve janë formalisht të zgjedhur, por praktikisht janë të emëruar. Listat janë bërë nga Tirana ose nga eksponentë të Partisë, kryetarë bashkie a deputetë me influencë në rrethe që i kanë servirur anëtarësisë emra që dalin pa garë, pa konkurim normal, pa proces të hapur e transparent lobingu, pa afishuar listat e atyre që zgjedhin, kush voton dhe kur e ku voton. Do ju marr rastin e zgjedhjeve të delegatëve për Tiranën që mbahen të shtunën. Unë jam votues në kryeqytet, sepse kam 47 vite që banoj këtu, jam anëtar i PS prej dy dekadash, por pavarësisht këtyre treguesve, askush nuk më ka njoftuar se ka zgjedhje, ku duhet të votoj dhe në çfarë liste jam. Kur kjo më ndodh mua që jam dhe anëtar i kryesisë së partisë dhe deputet në tre mandate, mendo për të tjerët. Ka shumë të tjerë që kanë fatin tim, që nuk e dinë që ka zgjedhje, që nuk e dinë se ku do të votojnë. Ky është tregues i formalizmit dhe i pezullimit të demokracisë së brendshme
DW: Çfarë mbështetje konkrete keni ju në grupin parlamentrar të PS-së, në rradhët e anëtarëve të qeverisë, apo në strukturat e partisë tuaj?
Ben Blushi: Pikërisht kjo është që ajo unë kërkoj. Sepse mbështetja tregohet me votë. Ku e dini ju se sa vetë e mbështesin kryeministrin aktualisht? Askush nuk e di, sepse zgjedhjet për atë aplikohen qysh herët në historinë politike të njerëzimit, për të shikuar të ardhmen dhe jo të shkuarën. Z. Rama pretendon se ka marrë 1 milion vota. Këto ai i ka marrë në të shkuarën, në vitin 2013. Kurse ne po bëjmë zgjedhje në PS për një mandat 4 vjeçar, nga viti 2016 deri më 2020. Tani ne duhet ta dimë se sa është mbështetja. Sipas statutit të partisë, kjo bëhet sipas parimit një anëtar një votë. Ajo që unë kërkoj është që mbështetja e secilit të bëhet me votë. Personalisht unë do të shkoj me një platformë, që ka dy shtylla kryesore: si drejtohet PS dhe si përmirësohet qeverisja, që duhet thënë se është në ditët më të këqija.
DW: Ju jeni prej kohësh shumë kritik me mënyrën se si po udhëheq qeverinë dhe partinë z. Rama. A mund të më rendisni tre nga të metat që ju i quani dhe më shqetësueset në qeverisjen e koalicionit PS-LSI?
Ben Blushi: Them me bindje se për tre vite premtimet që ne kemi bërë nuk janë mbajtur. Së pari, me punësimin. Papunësia në vend nuk është ulur, por është rritur duke marrë parasysh numrin e shqiptarëve që kanë emigruar. Kanë ikur rreth 100 mijë shqiptarë, kryesisht në Gjermani, ndërkohë që rreth 200 mijë të tjerë kanë pasur si destinacion emigrimin në SHBA, për ta lënë Shqipërinë njëherë e mirë. Së dyti, borxhi publik. Eshtë rritur, ka shkuar në rreth 74 përqind, që në terma të thjeshtë do të thotë se 2500 – 3000 euro borxh për çdo shqiptar, edhe atë që lind sot. Nuk kemi pasur arsye të marrim kaq shumë borxh publik, duke rënduar financat për t’i “rënë në qafë” investimeve. Së treti, është rënia e konsumit dhe mungesa e investimeve të huaja. Jemi vendi që po thith më pak investime të huaja në rajon. Krahasimisht me Maqedoninë, Serbinë, Kosovën, Malin e Zi, Kroacinë, që është anëtare e BE-së, ne thithim më pak investime të huaja për frymë. Sepse ekonomia është thelbi i çështjes: nuk rritëm vendet e punës, nuk thithëm investime të huaja direkte, nuk ulëm nivelin e korrupsionit dhe në këto tre vite nuk përmirësuam klimën e biznesit. Nuk u bënë reforma themelore në arsim dhe në shëndetësi. Këto shërbime për qytetarët janë shtrenjtuar në krahasim me një, dy apo pesë vite më parë.
DW: Z. Blushi le të marrim inversin e pyetjes së mëparshme: a konstatoni ndonjë aspekt pozitiv në këto tre vite qeverisje PS- LSI?
Ben Blushi: Nuk e kam kompleksin e së vërtetës dhe në përgjithësi them gjërat që besoj, qofshin të mira apo negative. Kam mbështetur dhe mbështes në vijim reformën territoriale, që është e domosdoshme, shumë e vonuar për gati 25 vite. Ajo besoj se do të kthehet në një reformë reale, e plotë, që do t’i japë në administrim një sërë shërbimesh pushtetit vendor, të cilat nuk mund të përballohen sot nga qeveria. Kjo është një reformë të cilën nuk mund të mos e mbështes.
DW: Ju përmendët më herët se keni një platformë. Bazuar në të, si dhe në projeksionin tuaj për të qenë kryetar i PS-së, si e shikoni LSI-në, si një aleat strategjik, apo jeni për ridemensionimin e raporteve mes dy partnerëve ?
Ben Blushi: Sa i takon koalicionit, unë mbetem tek pikëpamja se PS duhet ta mbajë koalicionin me LSI-në, por ama duhet ta funksionalizojë atë. Sot për sot ky koalicion ka përfunduar në një mekanizëm që ndan vende pune nëpër spitale apo ujësjellësa, nëpër bashki të ndryshme, në miniera etj. Madje dhe nëpër shkolla për fat të keq, ku ndahen mësuesit, rojet dhe shpresoj që kjo të mos shkojë deri te nxënësit që dhe ata të ndahen në proporcione koalicioni. Eshtë një koalicion vendesh pune dhe jo koalicion reformash. Për mua koalicioni duhet të jetë për reforma dhe jo për shifra 60 me 40 përqind, sepse kjo është shkatërrim për administratën publike, që ndahet si “plaçkë tregu” bazuar në përqindjet e partive në koalicion.
DW: Nga mesi i nëntorit të vitit 1997,kur ju latë profesionin e gazetarit dhe iu futët politikës, Partia Socialiste ka mandatuar katër kryeministra nga rradhet e saj, Fatos Nanon, Pandeli Majkon, Ilir Metën dhe tashmë Edi Ramën. Cilin prej tyre konsideroni më eficient në performamncën qeverisëse?
Ben Blushi:Nuk preferoj të merrem me krahasime njerëzish. Nuk është një kampionat, por një garë idesh. Preferoj të flas për atë që vjen nesër dhe jo për atë që ka ikur. Atë që ka ikur nuk e kthejmë më. Shqiptarët do të donin që këto 25 vite të ishin ndryshe, të ishin qeverisur me më shumë drejtësi, me më shumë sens barazie, solidariteti, me më shumë dinjitet. Që të mos kishim humbur rreth 1 milion emigrantë sikundër dhe i kemi humbur, pasi po shkojmë çdo ditë si një komb që vjen duke u zvogëluar. Shqiptarët nuk rrezikohen sot nga ndonjë fuqi tjetër, nuk rrezikohen nga copëtimi, nuk rrezikohen nga ndonjë pushtim si në kohën e Luftës së Dytë Botërore, por rrezikohen vetëm nga një gjë: nga korrupsioni. Ai është baza e të gjitha të këqijave.
DW: Në pyetjen e fundit po kthehem edhe një herë aty ku e nisëm, tek investimi juaj për të qenë kandidat potencial në garën për kryetar të PS-së në Kongresin e 19 marsit 2016. Nëse do të bëhet garë, përse një delegat socialist do të duhet të votojë për alternativën Blushi?
Ben Blushi: Për shkak të mundësisë që unë i jap atij për të fituar më shumë vota në vitin 2017. Kjo është e qartë. E përsëris, nëse këto zgjedhje në PS bëhen sipas normës, sipas precedentit, sipas rregullit. Në në një kuptim ato janë primare, pra janë zgjedhje paraprake brenda partisë, përpara se të mbahen zgjedhjet politike në vitin 2017. Unë do të paraqes një platformë, e cila do të parashikojë më shumë vende pune, një parti më kohezive, ndryshime themelore në sistemin e arsimit, nomalizim dhe natyralizim të sistemit tonë progresist të taksimit, që nuk e kemi sot megjithëse e premtuam, rritje pagash dhe mbështetje të shtresave në nevojë. Këto janë disa prej atyre që do të bëj. E rëndësishme është që këto zgjedhje të konsiderohen si primare. P.sh. Franca për pak kohë do të shkojë në zgjedhjet presidenciale dhe president Holande po detyrohet nga partia e vet që të hyjë në zgjedhjet primare, ose paraprake brenda partisë. Kur kjo ndodh në Francë, në Itali, natyrisht ndodh rëndom dhe në SHBA, atëherë pse të mos ndodhi dhe në Shqipëri. Të ketë primare brenda Partisë Socialiste, për mënyrën se si ajo do të drejtohet në katër vitet e ardhshme. Për ta mbyllur: pse duhet të votojnë për mua? Po sepse jap më shumë garanci se mbledh më shumë vota për PS dhe koalicionin në vitin 2017, për shkak se këto tre vite që kanë kaluar në drejtimin e Edi Ramës, jo vetëm kanë qenë rrënuese në aspektin e funksionimit te PS, por në anën tjetër ishin dhe të pafrytshme dhe jo produktive sa i takon ekonomisë, siç rendita më sipër.