Në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm ku u miratua marrëveshja për njohjen e pensioneve me Gjermaninë, nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj, nxiti Qeverinë që të intensfikojnë bisedimet me Greqinë dhe Italinë që t’u njihen vitet e punës në Shqipëri, për të përfituar pensionet.Përfaqësuesi i Ministrisë së Mirëqënies Sociale në Komision, tha se po negociohet me të dy shtetet për arritjen e një marrëveshje. Miratimi i marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Gjermanisë për njohjen e sigurimeve shoqërore dhe përfitmin e pensioneve, ka nxitur deputetët e Komisionit të Jashtëm të kërkojnë më shumë nga Qeveria shqiptare, që edhe Italia dhe Greqia ku jetojne afro 1 milion emigrantë t’u njohin atyre pensionet. Valentina Leskaj, nënkryetare e Kuvendit, tha se prej 25 vitesh, shqiptarët jetojnë dhe punojnë në vendet fqinje, duke dhënë kontributin e tyre përmes sigurimeve shoqërore, por nuk po u njihen vitet e punës në Shqipëri, për të bërë të mundur që ata të përfitopjnë pension. Nënkryetarja e kuvendit Valentina Leskaj tha:” Është e drejta e tyre që minimalisht të kenë sigurimet shoqërore dhe tu njihet periudha e sigurimit. Së dyti, përveç që ata e kanë parapaguar do të thosha, atë që duhet tu njihet, duke qenë që janë 24 vjet atje, tani ka ardhur koha që një pjesë e tyre hyjnë në fazën e marrjes së pensionit.Nxitja e këtyre dy marrëveshjeve është shumë e rëndësishme”. Përfaqësuesi i Ministrisë së Mirëqënies Sociale, Astrit Kuka, tha se Qeveria po punon veçanërisht me Italinë, për njohjen e kontributeve për shqiptarët që jetojnë atje. Astrit Kuka: Në Itali, 250 mijë shqiptarë kontribuojnë rregullisht në skemën e sigurimeve shoqërore italiane. Nuk e di sesi pati një moment kthese papritur, por Ministria e Jashtme përsëri në takimet e fundit që kemi pasur thotë se ka një shenjë shumë pozitive nga ana e qeverisë italiane.Me qeverinë greke pastaj situata është më e vështirë. Në dhjetor të 2014, gjatë vizitës së kryeministrit italian Mateo Renzi, shefi i Qeverisë italiane dhe asaj shqiptare Edi Rama deklaruan si një hap të rëndësishëm, nisjen e negociatave për njohjen e pensioneve për emigranët shqiptarë që punojnë në Itali dhe atyre italianë që punojnë në vendin tonë, por deri më tani gjithçka duket se ka mbetur në kuadrin e negocitava. Nga ana tjetër, edhe Greqia ka refuzuar njohjen e pensioneve për emigrantët shqiptarë që jetojnë atje, për shkak të situatës ekonomike që po përjeton shteti helen.