Sava Sota
Gratë deputete të Partisë Demokratike, të nxitura nga fyerjet e kryeministrit Rama gjatë seancës plenare në Kuvend javën e kaluar karshi deputetes Albina Deda,dhe Arbjola Halimi, zhvilluan dje një protestë para kryeministrisë. Gjatë protestës fjalën e mbajtën jo vetëm deputete të Partisë Demokratike, por edhe përfaqësuese të Komunitetit Rom, të cilat ngritën zërin duke theksuar se kryeministri i vendit përpiqet ti shtypë të drejtat e grave, dhe fyen sakrificat e tyre. Po ashtu, kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë Albana Vokshi, shprehu indinjatën e saj sa i përket ofendimeve të Ramës ndaj kolegeve të saj deputete, duke i bërë thirrje femrave shqiptare, se ky është një marshim kombëtar për të drejtat e tyre. “Me urdhrin e Ramës Byroja dënoi vetëm kolegen time Albina Deda dhe dy deputetët Hoxha dhe Strazimiri, dënoi pra armiqëtë e popullit. E mbani mend si dënonte dikur Byroja politike e Enver Hoxhës, ashtu u dënuan dhe tre kolegët e mi demokratë. Ndërkohë që Rama dhe deputetët e tij e kaluan paq edhe këtë herë.Vezët dhe boja e zezë mbi godinën e Kryeministrisë apo mbi godinën e Bashkisë kanë bërë më pak pis sesa ti e ke bërë pis administratën publike, qëndrore dhe lokale duke hedhur në rrugë mijëra gra dhe vajza të përgatitura dhe profesioniste, gra të përsekutuara dhe kryefamiljare për të zëvendësuar me persona me të shkuar kriminale e precedent penal” – deklaroi në protestën e djeshme deputetja Vokshi, ndërsa nënvizoi faktin se ky manifestim i sotëm i tyre, nuk përbën ngjyrime politike, pasi sipas qëndrimit të saj, sulmet vajzave nga Rama, janë një kërcënim prezent. “Kjo është një thirrje kombëtare, të gjitha sulmet ndaj grave dhe vajzave janë një kërcënim prezent për të drejtat e gjithë popullësisë. Protesta jonë sot nuk është manifestim politik, por marshim kombëtar për të drejtat e grave në të gjithë Shqipërinë” – ishte kjo thirrja e deputetës së Partisë Demokratike Albana Vokshi. Ndërkaq, zëdhënësja për shtyp e PD-së Ina Zhupa, shprehu qëndrimin e saj ndaj hapësirave për punësim që kryeministri i vendit i ka krijuar femrave shqiptare, duke vënë theksin edhe tek dy raste të vetëflijimit të Melita Çenga nga Shkodra dhe Brunilda Meka nga Korça. Për vetëvrasjen e këtyre dy grave, Zhupa solli në vëmendje faktin që shkak i këtij akti ishte pushimi nga puna që u bëri kryeministri Rama. “Nuk mund të harrojmë që 2 gra kanë kryer vetvrasje sepse u pushuan nga puna nga qeveria e Ramës: Melita Çenga nga Shkodra dhe Brunilda Meka nga Korça. Të gjitha këto por edhe shumë e shumë fakte të tjera tregojnë që gratë sot janë shumë më keq sesa dje dhe kanë shumë arsye për të protestuar. Çdo grua sot e ndjen se po i bëhet jetesa çdo ditë e më e vështirë” – shprehu për gazetën “Standard” zëdhënësja e Partisë Demokratike, ku në deklaratën e saj shtoi se të gjitha gratë dje protestuan për veten por edhe për familjen e tyre. Zhupa nënvizoi propagandën e Ramës, i cili sipas saj, tenton të bind shoqërinë se është duke i krijuar hapësira, ndonëse faktet flasin ndryshe. “Qeveria Rama është duke shpenzuar shumë për të bërë propagandë sikur ju krijon hapësira grave, por nëse kjo do të ishte e vërtetë nuk do duheshin aktivitetet propagandistike se do tregonim faktet e punës së tij. Ndërkohë që faktet flasin ndryshe. Në politikë kemi rastet e zonjave Merjeme Dilishi (Suku) dhe Mirela Neli kandidate për deputete të Partisë Socialiste për qarkun e Lezhës që u kërcënuan e dhanë dorëheqjen për t’i hapur rrugën një personi me precedent penal. Fakti që ka ministre femra nuk lidhet me mbështetjen e tij për femrat por me besimin që ka tek to personalisht për të ruajtur linjën e korrupsionit qeveritar. Rasti i fundit me fyerjet ndaj deputetes së PD në sallën e kuvendit nuk është i vetmi, Rama sa herë flasin gratë demokrate dhe ndodhet në sallë i komenton dhe i ofendon nga mbrapa shpine. Nëse dalim nga politika dhe shkojmë tek e përditshmja e grave në vend, ato janë sot pjesa që e vuajnë më shumë këtë varfëri dhe pasiguri ekonomike që krijon Rama me qeverinë e tij. Kush më shumë se sa një grua e di dhimbjen kur nuk ka bukë për fëmijët, kush më shumë sesa një grua e di dhimbjen kur i ikin nga shtëpia për të emigruar fëmijët, burri, apo familjarë të tjerë sepse këtu nuk jetojnë dot, kur të tregojnë burgun për mungesë të ardhurash, kur je i detyruar të ikësh nga puna që ke një jetë që kontribuon” – bëri me dije Ina Zhupa. Ndërkohë, edhe gratë e komunitetit rom, të përshira në protestën për të drejtat e grave dhe mundësitë që qëveria duhet t’u krijojë atyre, shprehën se jetonin mes varfësisë së skajshme, dhe se nuk kishin as shtëpi dhe as për të ngrënë. Ato pohuan se jetesa e tyre në kushte të vështira, bëhej e papërballueshme për të cuar fëmijët në shkollë, si edhe për tu ndjerë femra të barabarta në shoqëri. Ndërsa sekretarja për marrëdhëniet me publikun Grida Duma, e pyetur nga gazeta “Standard”, nëse gratë në Shqipëri duhet ta ngrejnë zërin sa herë ato ndjejnë që j’u shtypën të drejtat nga qeveria, Duma theksoi se në këtë rast, cdo femër nuk duhet të hezitojë për të protestuar në mbrojtje të dinjitetit femëror. “Cdo femër duhet të marrë vendin që u takon nga qeveria e Ramës, pasi gratë shqiptarë janë kontribuese të vërteta në vendin tonë” – sqaroi Duma, ndërsa tha se kryeministri Rama është personi i cili nuk njeh respekt për nënat, për gratë, për motrat shqiptare, pasi kryefjala e tij është vetëm dhuna, mjet me të cilin ai u drejtohet lehtësisht atyre. “Edi Rama fyen gratë se ai nuk i kupton dhe nuk i ndjen ato. “Por pas asaj dhune që jepet si spektakël në sytë e gjithë shqiptarëve, ofendime nga kreu i shtetit gjenden familje, fëmijë, vëllezer, motra të cilët pasi i është fyer nëna dhe babai zgjohen vetëm me dëshirë hakmarrje dhe agresiviteti. Politika është akt përgjegjësie, të cilit nuk mund ti shpëtosh sidomos duke qënë kryeministër dhe përdredh fjalën duke thënë se është ngatërruar motra me mostrën. Jo nuk janë ngatërruar as bashkuar asnjëherë mostra me motrën”- tha Duma. Protesta dënoi ashpër dhunën e rëndë verbale që kryeministri dhe anëtarë të mazhorancës ushtruan gjatë seancës parlamentare, ndaj deputeteve Albina Deda dhe Arbjola Halimi, të cilat u dënuan nga mazhoranca me përjashtim disaditor nga jeta parlamentare. Në protestë morën fjalën mjeke, dentiste, pensioniste, përfaqësuese të komunitetit rom, të shoqërisë civile, studente , biznesmene, pedagoge, dhe nëna të reja të cilat i apeluan kryeministrit të Shqipëwrisë që të mos diskrimojë dhe të mos fyejë misionin e shenjtë të mëmësisë, sakrificat fisnike dhe dinjitetin e grave shqiptare.