Qeveria bëhet gati për falimentime masive të biznesit të vogël

0
248

–   Numri i bizneseve që u çregjistruan në vitin 2015 u rrit, duke arritur në 5.323, nga 3.987 që ishte në vitin 2014. Numri më i lartë i sipërmarrjeve të mbyllura i takon formës ligjore “person fizik”

–   Përgatitet draft për ligjin e ri të falimentit

 

Ervin Kaduku

Vala e aksionit antiinformalitet, nismë e iniciuar nga Tatimet, me objektiv kryesisht biznesin e vogël, së bashku me fushatën e rritjes absurd në taksave dhe tarifave të Bashkisë së Tiranës, kanë sjellë dhe do të sjellin më tej falimentime të ndërmarrjeve, që përbëjnë gjysmën e sektorit privat shqiptar. Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Regjistrimit, aksioni i Tatimeve ndikoi në krahun e kundërt. Numri i bizneseve që u çregjistruan në vitin 2015 u rrit, duke arritur në 5.323, nga 3.987 që ishte në vitin 2014. Numri më i lartë i sipërmarrjeve të mbyllura i takon formës ligjore “person fizik”, ku gjatë 2015-s u llogaritën në 4.918. Sipas të dhënave të QKR-së, edhe numri i bizneseve të pezulluara shënoi rritje. Në krahasim me vitin 2014, ato u rritën me rreth 39.4%. Por, kuptohet që biznesi i vogël do të ndodhet përballë rrezikut të rritur të falimentit në kuadër të fushatës së rritjes së barrës fiskale nga administrata e bashkisë së kryeqytetit. Bizneseve, në fakt, kanë nisur t’u dalin në sistem taksat e reja të Bashkisë, të cilat kapin shifra deri në 100 mijë lekë. Sipas një fature të bërë publike nga një biznes në Tiranë, taksa e faturuar nga Bashkia e Tiranës për zënien e hapësirës publike arrin shifrën e 97,500 lekë (shiko faksimilen e faturës më poshtë). Këtë vit, tarifa e zënies së hapësirës është shumëfishuar. Me ndryshimet e fundit, nga 1 janari, i njëjti biznes do të paguajë:

-taksën e hapësirës, 1500 lekë për metër katror (nga 150 lekë për metër katror që ishte më parë)

-taksën për tavolinat, 2500 lekë për tavolinë në muaj, një tarifë e re kjo.

Në sistem, bizneseve, kryesisht bar kafe u kanë dalë vetëm taksat e zënies së hapësirës. “Përveç 10-fishimit të taksës së hapësirës, duhet të paguajmë dhe një taksë prej 2.500 lekë në muaj për tavolinë, çka është absurde pasi ne paguajmë një herë sipërfaqen për zënien e hapësirës”, thotë Iliri, që menaxhon me qira një lokal në zonën e Komunës së Parisit dhe shfrytëzon një hapësirë anash pallatit, duke mos zënë asnjë pjesë trotuari. Sipërfaqja është rreth 40 metra katror, që i duhet të paguajë 60.000 lekë në muaj, ndërsa për tavolinat, bashkia llogarit një tavolinë për 3 metra katror, pra 13 tavolina me një total takse prej 32.500 lekë. Në këtë mënyrë, vetëm taksa e zënies së hapësirës dhe ajo e tavolinave shkon mbi 90 mijë lekë në muaj.

 Tërheqje mashtruese

Bashkia Tiranë ka dhënë sinjalet e para të tërheqjes nga taksat e larta, ndërsa bizneseve që u kanë shkuar fatura të papërballueshme të taksës së zënies së hapësirës u është dhënë dy muaj kohë. Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka deklaruar në “Opinion” se ka rënë dakord me perfaqësuesit e biznesit që po protestojnë prej disa ditesh, që tatimët e janarit dhe shkurtit të paguhen me taksat e tarifat e vjetra. Por, nga 1 marsi duhet të mendohen mire, tha ai. Bashkia është ndërkohë në bisedime me përfaqësuesit e biznesit për taksën e hapësirës dhe tavolinës. “U kam thënë zgjidhni o njerën o tjetrën”, tha ai. Përfaqësuesit e biznesit që kishin takimin me Veliajn, ku paraqitën propozimet e tyre, kërkuan në thelb rikthim të taksës së ndërtesës në nivelet e mëparshme, heqje të taksës së truallit pasi është e pajistifikuar, ulje të taksës së tabelës, heqjen e taksës së infrastrukturës për familjet, ulje të taksës së pastrimit. Pasi kryebashkiaku ka lëshuar pe vetëm për taksën e hapësirës dhe tabelës, biznesi ka propozuar që taksa e hapësirës të paguhet me shkallë, nga zero në 40 metra të jetë 150 lekë për metër katror, 40 metërshi i dytë 300 ekë për metër katror, 40 metërshi i tretë 450 lekë dhe mbi 120 metra 1500 lekë, çka sipas tyre mundëson rishpërndarde të drejtë të kësaj takse tek më të mëdhenjtë. Që kur u bë publik (jo nga bashkia, e cila pati një mungesë totale transparence) vendimi nr 59 i taksave dhe tarifave të reja vendore ka pasur shumë ankesa nga bizneset, sidomos baret, por dhe dyqanet e vogla që tregtojnë jashtë fruta perime që u kanë shkuar fatura tepër të larta të papërballueshme në raport me shitjet që ata kanë.

Ligjshmëria

Procedura e miratimit të taksave dhe tarifave të reja duket se ka kaluar në handikape ligjore, që rrezikojnë ta kthejnë procesin e ndryshimit të tyre mbrapsht. Këshilli Bashkiak e ka miratuar më 30 dhjetor ndryshimin e tarifave, ndërsa prefekti e ka ratifikuar më 8 shkurt. Besian Pesha nga ‘Nisma Thurje’, një organizatë e shoqërisë civile me fokus mbrojtjen e qytetarëve dhe bizneseve nga vendimet me karakter ekonomik, pohoi se, në respekt të ligjit, rritja e taksave duhet të hyjë në fuqi në datën kur Vendimi i Këshillit Bashkiak firmoset nga Prefekti. Por bashkia ka nisur t’i aplikojë taksat dhe tarifat e reja nga 1 janari në kundërshtim me ligjin, pasi taksat nuk kanë fuqi paravepruese. Pesha tha se vendimi i Këshillit Bashkiak është në kundërshtim me parimin e proporcionalitetit dhe parimet kushtetuese. Rritja me 10-fish e tarifës për zënien e hapësirës publike është bërëpaasnjëstudim mbi aftësinë paguese të bizneseve, duke marrë në konsideratë se kjo tarifëështë disa herë më e lartë se të gjitha taksat dhe tarifat e tjera tëmarra sëbashku dhe madje tejkalon edhe xhirot e bizneseve. Pesha kujtoi se Kushtetuta e vendit përcakton ofrimin falas të shërbimeve arsimore dhe çdo tarifë që adresohet për arsimin nga entet publike është në kundërshtim me këtë parim. Për këtë qëllim,‘Nisma Thurje’është duke asistuar Shoqatën e Tregtarëve për t’içuar në Gjykatën Kushtetuese dhe Administrative taksat e reja të Bashkisë.Pesha tha se, e njëjta praktikë u ndoq edhe për Ligjin e Procedurave Tatimore që dhjetëfishonte gjobat ndaj biznesit, të cilin Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë. Bizneset tashmë kanë nisur protestat të irrituar se bashkia e kishte mbajtur të fshehtë vendimin për rritjen e taksave, duke mos e konsultuar paraprakisht dhe duke mos azhurnuar me ta ndryshimet e reja.

Falimentet

Qeveria ka hartuar ligjin e ri të falimentit. Drafti parashikon ngritjen e Gjykatës së Falimentit, si një strukturë brenda Gjykatës së Rrethit, e cila do të ketë kompetenca të shtuara për të gjitha proçedurat e falimentit, duke përfshirë edhe bllokimin e pasurisë së debitorit, por edhe përcaktimin e një administratori të përkohshëm për kompaninë debitore që është në proces falimenti. Gjykata vihet në lëvizje pas kërkesës që ka bërë kreditori, që mund të jetë individ, kompani private ose institucion. Ligji përcakton afate për dorëzimin e kërkesës për fillimin e procedurave të falimentit, ankimimit nga debitori dhe nisjes së seancave gjyqësore, të gjitha brenda një afati prej 1 muaj e gjysmë. Gjithashtu, me ligjin e ri Gjykata e Falimentit ka kompetencën për të bllokuar pasurinë e debitorit, apo dhe të përcaktojë një administrator të përkohshëm deri në mbylljen e të gjitha proçedurave gjyqësore. Drafti për falimentin është ende duke u diskutuar mes institucioneve për ndryshime të mundshme, ndërsa konsiderohet një ndër ligjet kryesore që qeveria është zotuar të hartojë dhe të zbatojë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here