Rama insiston për koncensionimin e mbledhjes së TVSH-së, FMN presion për mospranim

0
193

Koncensioni i mbledhjes së TVSH-së u hodh fillimisht si ide nga ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani në një bashkëbisedim me gazetarët.

Por shpejt u zbulua se në të vërtetë bëhej fjalë për një kërkesë nga një kompani private nga Hong Kongu, e cila rezultonte e lidhur me Olsi Ramën, vëllanë e Kryeministrit.

Debatet u shndërruan në politike dhe përfshinë edhe kreun e Ekzekutivit, i cili shprehu vendosmërinë për të shkuar përpara, në emër të reformimit të sistemit të mbledhjes së Tatimeve.

Kulmi arriti me shkarkimin e papritur të ministrit të Financave, ndërsa vetëm disa javë më pas u mësua se mbledhja e TVSH-së për vitin 2016 në të vërtetë ishte rritur shumë më tepër se sa premtonte kompania private.

Por çështja e këtij koncensioni duket se ka marrë një kthesë të papritur pas deklarimit të FMN-së se është kundër kësaj kontrate.

***

Përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Jens Reinke, ka folur dje për koncensionin e TVSH-së.

Ne kishim dy pika kryesore; së pari që ky mund të mos jetë prioriteti më i lartë i reformës në Drejtorinë e Tatimeve. Ai do të japë disa përfitime, si për shembull të dhëna shtesë, por ka reforma që për ne janë më urgjente se kjo. Së dyti, nuk ishte e dukshme që formula e ndarjes së të ardhurave, që është pjesë e këtij partneriteti, është ajo më e leverdishmja për qeverinë në termat e financimit”, thotë shefi i FMN-së.

Thelbi i mesazhit ishte se ky koncension nuk është i nevojshëm (me gjuhë diplomatike: nuk është prioritet) dhe se është i dëmshëm për shtetin shqiptar (me gjuhë diplomatike: formula nuk është ajo më e leverdisshmja).

Në këtë mënyrë, FMN është pozicionuar qartazi kundër këtij koncensioni të cilin fillimisht ish-ministri i Financave Cani dhe më pas vetë Kryeministri Rama po e mbrojnë me aq zjarr prej disa muajsh.

Është e pazakontë në historinë e misionit të FMN-së në Shqipëri që përfaqësues zyrtarë të tij të shprehen qartazi për një partneritet të caktuar. Dhe kjo, pasi prej disa muajsh FMN i bie “këmbanës së alarmit” për rreziqet e koncensioneve të ripagëzuara nga Rilindja si “Partneritet Publik-Privat).

Zakonisht organizma si FMN apo Banka Botërore flasin në parim dhe japin linja orientuese. Ato nuk prononcohen për kontrata të veçanta. Flasin në gjuhë diplomatike. Ashtu sikurse kanë folur për disa muaj resht për “koncensione jo të dobishme”.

Por këtë radhë folën troç.

Arsyen e sqaron më pas vetë shefi i FMN-së.

Partneriteti publik-privat dhe koncesionet janë një formë financimi për investimet publike. Ne duam të jemi të sigurtë që qeveria ka një kuptim të plotë për rreziqet apo detyrimet që mund të lindin në të ardhmen dhe të mund të analizojë përshtatshmërinë e PPP-ve apo koncesioneve në krahasim me format e tjera të financimit”, sqaron Jens Reinke, shef i FMN në Shqipëri.

Sërish me një gjuhë diplomatike por të qartë, FMN thotë se Qeveria shqiptare nuk e ka haberin se çfarë rreziqesh sjellin partneritete të tilla dhe nuk është në gjendje të bëjë analiza për leverdinë ekonomike të partneriteteve që firmos.

Shifrat e fundit tregojnë se gjatë vitit 2016, arkëtimet e TVSH-së janë rritur me 14,7%, ose 3,7% më shumë se “dyshemeja” prej 11% që është shifra minimale e garantuar nga kompania private M.POS që pritet të marrë koncensionin për mbledhjen e TVSH-së. Analizën e HashtagAL për arsyet e rritjes së mbledhjes së të ardhurave mund ta lexoni të detajuar këtu.

Kjo shifër tregon se vetë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i ka rritur të ardhurat nga kjo taksë më shumë se sa duhet të garantonte privati.

Atëherë përse duhet dhënë ky koncension?

Në mënyrë të vazhdueshme, FMN ka kërkuar që Qeveria shqiptare të bëjë analiza më të detajuara kur jep koncensione, por mungesa e analizave të tilla ka bërë që FMN të lërë mënjanë mesazhet e tërthorta dhe të shprehet qartë kundër këtyre nismave.

Kupa është mbushur.

Pas shkarkimit të ministrit Cani, marrëveshja për koncensionin e TVSH-së tashmë është në tavolinën e ministrit të ri të Financave, Arben Ahmetaj. Ky i fundit është i njohur si ministri që është më pranë Olsi Ramës, vëllait të Kryeministrit Rama, ‘miqtë’ e të cilit kërkojnë koncensionin për mbledhjen e TVSH-së.

Është i njëjti ministër që pak muaj më parë kishte mbi tavolinë partneritetin tjetër Publik-Privat, atë të zonës së lirë ekonomike në Spitallë, por tenderi u anulua me urdhër të Kryeministrit i cili tha se e bëri pasi “doli emri i vëllait”.

Tashmë Ahmetaj ka në dorë një tjetër “patate të nxehtë”.

Nga njëra anë, është Kryeministri Rama që insiston për koncensionimin e mbledhjes së TVSH-së. Nga ana tjetër është Fondi Monetar Ndërkombëtar që ushtron hapur presion për mosmiratimin e tij.

HashtagAL ka mësuar se vetëm brenda 10 ditëve të fundit, ministri i ri i Financave, Arben Ahmetaj, është takuar 3 herë zyrtarisht me përfaqësuesit e FMN-së në Shqipëri.

Vetë Ahmetaj, ndërsa ishte emëruar por nuk ishte dekretuar ende si ministër i Financave, pranoi në emisionin “Top Story” interesimin e FMN-së për këtë koncension.

Procedura ka pikëpyetjet e veta sesa e dëshiruar është. Ka shumë konsulencë edhe nga FMN-ja. Jemi në konsultë të përditshme me të”, tha ministri Ahmetaj në datën 18 shkurt.

Atë që FMN po i thotë Ahmetajt në këto “konsulta të përditshme” e mësuam nga mesazhi publik i shefit të misionit: Mbledhja e TVSH-së nuk duhet të jepet me koncension. Një mesazh që padyshim ka shkuar edhe te Kryeministri Rama.

Po cila është arsyeja pse mesazhi nga konfidencial u shndërrua në një deklaratë publike? A ka të bëjë kjo me këmbënguljen e Ramës për të realizuar me çdo kusht procedurën në favor të ‘miqve’ të vëllait të tij?

Ndërsa për FMN-në ideja e koncensionit ka dështuar dhe procedura duhet mbyllur, për Kryeministrin ajo është pjesë e reformës dhe duhet të shkojë deri në fund.

Ky koncension po shndërrohet në një sipërmarrje me shumë kosto për Kryeministrin. Deri tani koncensioni ka implikuar familjen biologjike të Ramës, i kushtoi postin Shkëlqim Canit dhe me sa duket, ka vendosur në pozita antagoniste me Ramën dhe përfaqësuesit e FMN-së. / HashtagAL

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here