Kryeministri Edi Rama kur ishte në opozitë e kritikoi nismën e Berishës “Shqipëria 1 Euro”, osë së paku ishte pesimist për suksesin e saj. Por sot që është vetë kryeministër e ka rikthyer sërish këtë nismë.
Në vendimet e marra nga Qeveria sot sanksionohet me ligj lidhja e kontratave me tarifë simbolike prej 1 euro për pasuritë e paluajtshme shtetërore që do të kërkohen nga investitorët në fushën e turizmit. Po çfarë ka thënë Rama në vitin 2006 për këtë nismë të kundërshtarit të tij politik.
“Kryesorja dhe ajo që i mban larg jo investitorët e huaj, por që po alienon dhe sipërmarrjen vendase është klima. Ka një klimë antisipërmarrje e cila nuk shprehet thjesht në fjalimet kryeministrore apo në veprimet e qeverisë, por shprehet në mungesën e një sistemi garancish qe fillojnë që nga mungesa e garancive të sipërmarrësit në nivelin e mbrojtjes nga ligji, deri tek mungesa e garancive në nivelin e energjisë apo të ujit”,shprehej Rama në shtator 2006.
Edhe në vitin 2012 në një tryezë për çështjet ekonomike Rama tha se nisma “Shqipëria një euro” nuk solli asnjë rezultat për shtimin e investimeve.
“Shtatë vjet qeverisje nuk kanë arritur të ndryshojnë asgjë në drejtim të punësimit. Asnjë reformë nuk ka sjellë punësim: as Shqipëria 1 euro, as Shqipëria superfuqi energjetike”,shprehej kreu i PS-së atë kohë ende në opozitë.
Ndërkohë sot, kur bilanci i investimeve të huaja në Shqipëri është negativ, kryeministri gjen si komerdare shpëtimi nismën e kundërshtarit të tij, për të cilën ka thënë se ishte e dështuar e nuk solli rezultat.
Pyetja që shtrohet në këtë rast është: Pse tani që Rama është kryeministër e njëjta nismë do të funksionojë?!