Gëzim Kajni dhe nipi i tij Bledar Kajno mbetën në arrest me burg, pasi dyshohet se rrahën dhe më pas qëlluan për vdekje shtetasin Asllan Kërtusha pak ditë më parë në Durrës. Kërtusha u qëllua me pistoletë, ndërsa ishte në gjendje të dehur
Alma Çuka
Vrasja e Asllan Kërtushës, mikut të Denis Shtrazës, i cili akuzohet për rrëmbimin dhe më pas vrasjen e shtetasit Gazmend Çollaku në Durrës, u krye për motive banale. Prokuroria ka dhënë detaje të qarta lidhur me ngjarjen e cila sipas saj fillimisht ndodhi në ambjentet e një lokali, pronar i së cilës është autori Gëzim Kajno, e më pas është spostuar në ambjentet e jashtme të tij. Gjatë ditës së djeshme organi i akuzës ka paraqitur materialet kundër personave të akuzuar në Gjykatën e Durrësit, me qëllim caktimin e masës së sigurimit. Ajo e ka cilësuar vrasjen e Kërtushës me dashje. Prokuroria e Durrësit kërkon caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për shtetasit Gëzim Kajno dhe Bledar Kajno, të dyshuar si autorë të veprave penale të “Vrasjes me dashje”, e kryer në bashkëpunim dhe “armëmbajtje pa leje”, për ngjarjen e ndodhur në dt. 01.03.2016, ku mbeti i vdekur me armë zjarri shtetasi Asllan Kërtusha. Në bazë të veprimeve proceduriale të deritanishme rezulton se viktima Kërtusha, mesditën e datës 01.03.2016, ka qenë duke konsumuar pije alkoolike në lokalin e shtetasit Gëzim Kajno. Rreth pasdites, në gjendje të rënduar për shkak të alkoolit, ai ka nisur të fyejë dhe ofendojë kamarierët e lokalit, të cilët kanë njoftuar pronarin, Gëzim Kajno.
Rrethanat e ngjarjes
Gëzim Kajno sipas akuzës është afruar në lokal, së bashku me nipin e tij, Bledar Kajno dhe kanë tentuar ta qetësojmë shtetasin Kërtusha, i cili gjendej në ambjentet e brendshme të lokalit. Pasi kanë diskutuar së bashku në tavolinë, Kërtusha dhe pronari i lokalit, Gëzim Kajno, kanë dalë në ambjentet e jashtme të lokalit, ku kanë filluar të grinden fizikisht. Kjo situatë është fiksuar edhe në kamerat e sigurisë së lokalit. Nga kqyrja e pamjeve filmike duket shtetasi Gëzim Kajno që, pas konfilktit fizik, ka një armë tip pistoletë në dorë, me qytën e së cilës godet në kokë dhe në fytyrë Kërtushën. Nga goditja me qytë, pistoleta ka kryer qitje, nga e cila ka mbetur i plagosur në krah nipi i Gëzimit, Bledar Hajno. Më pas, konflikti shmanget nga objektivi i kamerës. Në një moment të dytë, personat në konflikt shfaqen sërish në kameran e sigurisë, kësaj radhe pranë një taksie, ku Kërtusha po tentonte të hipte dhe duket që ishte i plagosur. Tek dera e taksisë, shtetasit Gëzim dhe Bledar Kajno e arrijnë sërish dhe e godasin sërish, duke tentuar ta nxjerrin nga taksia. Megjithatë, taksia është nisur së bashku me Kërtushën drejt spitalit të Durrësit, ku ka mbërritur i vdekur me një plumb në pjesën e kraharorit. Pas vrasjes, fillimisht është arrestuar shtetasi Bledar Kajno dhe një ditë më pas, Gëzim Kajno dhe të dy personat dyshohen për “vrasje me dashje” në bashkëpunim dhe “armëmbajtje pa leje”.