Rama për Blushin: Po bën kukuvajkën, duke thënë “aman se po më marrim në qafë të varfërit”

0
191

Ndërprerje fjale, fishkëllima dhe kërcënime. Blushi, Ramës: Shpjego pse nuk do të votohesh?

 

Gëzim Saliu

Mes një situate të tensionuar, deklaratave kërcënuese si edhe censurimit të fjalës publike u zhvillua dje në Elbasan takimi mes socialistëve për anëtarësimet e reja. Në takimin e kryesuar nga kryeministri Rama dhe nënkryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla nuk mungoi as deputeti kryesues i Elbasanit, “rebeli” Ben Blushi,. Edhe pse bëri të ditur se nuk ishte i ftuar, deputeti mori pjesë në takim dhe madje përmes vështirësive ju drejtua edhe përmes një fjale të pranishmëve. Në fjalën e tij Rama, nuk nguroi ti përgjigjej edhe indirekt akuzave të Blushi i cili ishte ulur në rreshtin e parë dhe gjatë gjithë fjalës së kryeministrit u mor me telefonin. “Unë po nuk u sulmova nuk e njoh veten time kur zgjohem, nuk jetoj dot pa qenë i sulmuar dhe sa më shumë më sulmojnë, aq më shumë bindem që duhet të vazhdoj. Dhe nëse duan që unë të ndaloj, duhet që të ndalojnë të sulmuari.  Të varfrit janë mishi për top i atyre që nuk i kuptojnë reformat, nuk i duan reformat, ose që iu preken interesat nga reformat. Dhe nëse nuk do të vinte PS, njerëzit do të lindin të varfër, do të rriten të varfër dhe do të vdesin të varfër. Kjo është gjeja që ne po luftojmë”, theksoi Rama. Më tej duke vazhduar përgjigjen ndaj Blushit, Rama tha,: “Po të jetë puna për të bërë listën e të pakënaqurve dhe për të kërkuar si të bëjmë më shumë, jam unë i pari, por ama i pari, për të bërë edhe më shumë reforma dhe jo për të ndenjur e për të bërë kukuvajkën, ‘aman se po më marrim në qafë të varfrit’. Rroftë PS”.  Ndërkaq Blushi  të cilit ju rezervua një pritje aspak miqësore, ku madje në përfundim të takimit doli i shoqëruar nga oficerët e gardës, theksoi se kishte të bënte me një situatë aspak paqësore.  “Më vjen keq se këtu pati njerëz që u munduan të sulmonin çka nuk është absolutisht Elbasani që njoh unë. Është një qytet mikpritës, i cili nuk meriton të përfaqësohet nga ata që janë kapur me armë dhe ishin këtu në sallë për të intimiduar njerëzit. Njerëz që përpiqen të sulmojnë dhe pengojnë të hysh në një sallë… Kjo sallë u kthye në një gjyq kundra një njeriu. Kini parasysh që nuk po qeveris unë. Pra, është vendi për t’i kërkuar llogari dikujt tjetër”, deklaroi Blushi.

Dinamika e incidentit

Që në momentin kur hyri në sallë, Blushi u përballe me një grup prej 5 vetash që nisën ta fyenin dhe sulmonin duke i thënë: “Largohu këtej, s’ke punë në Elbasan”. Pavarësisht kësaj deputeti socialist mundohej të ruante qetësinë, madje i përshëndeti këta persona dhe u kërkoi të afroheshin për t’i sqaruar. Por me t’u afruar, ata nisën të tregoheshin edhe më agresivë, duke vijuar me sharje dhe fyerje. Madje burimet bën të ditur se një prej personave që dukej se ishin të porositur arriti deri aty sa të kërcënonte Blushin. Më pas deputeti mes vështirësive dhe fishkëllimave, deputeti u ul në radhën e parë për të vijuar normalisht punimet e aktivitetit. Më pas Blushi kërkoi të marrë fjalën dhe pas këmbënguljes ai e mori atë, megjithëse deklarata e tij para pjesëmarrësve u ndërpre në televizion. Në këtë moment një grup i organizuar i pjesëmarrësve u çuan në këmbë dhe vazhduan të shanin e fyenin Blushin. “Fërshëlleni sa të doni, por duhet të më dëgjoni”- iu drejtua deputeti grupimit duke vazhduar fjalën. Duke e pasur përballë, Blushi nuk nguroi ta pyeste direkt kryesocialistin Rama se pse e ka mbushur vendin me banditë dhe se pse nuk pranon zgjedhjet.  “Pse e ke mbushur këtu me banditë, që kërcënojnë deputetët. Shpjegoju këtyre njerëzve pse nuk do të votohesh? Je i vetmi kryetar partie në botë me mandat 7 vjeçar nga Kuba në Korenë e Veriut. Shpegoju këtyre njerëzve pse s’kanë rroga më të larta, pse s’kanë asistencë më të larë, pse s’kanë punë dhe çmime të ulëta. Nuk bëre asgjë për të varfrit”.Në fund, Blushi u tha të pranishmëve, “Për mua s’ka rëndësi partia, ka rëndësi Shqipëria. Dua t’iu përshëndes të gjithëve me vargjet e Lasgush Poradecit. “Gjigandë apo shkurtabiq, ju përshëndes me mall or miq”. Në përfundim të fjalës së Blushit, e mori fjalën deputeti i Librazhdit, Taulant Balla i cili e akuzoi Blushin për shkelje të statutit të partisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here