Ditën e djeshme, me rastin e festës së Mësuesve kryetari i bashkisë Erion Veliaj, inaguroi ambientet e reja dhe “totalisht të rikonstruktuara” siç shkruan ai në Facebook, të gjimnazit “Qemal Stafa”. Në media u raportua se shkolla tashmë ofron 34 klasa, 5 laboratorë, palestër e disa hapësira të tjera që iu vijnë në ndihmë nxënësve dhe stafit pedagogjik, por askush nuk shkruaji se në çfarë gjendje janë realisht këto ambiente. Veliaj tha dje se e ka mbajtur premtimin e dhënë për ta rifilluar mësimin më datë 7 mars. Por nga pamjet duket se më shumë prioritet i është dhënë realizimit të premtimit sesa sigurisë dhe shkollimit të nxënësve. Në asnjë prej 33 fotografive të albumit që ka shpërndarë Kryeatri i Bashkisë nuk duket gjendja e vërtetë e rikonstruktimit të gjimnazit Qemal Stafa. Dy nxënës të pyetur nga Historia Ime, thanë se aty ka filluar mësimi dje, por me orë të shkurtuara për shkak të punimeve që vazhdojnë ende. Përveç mureve me lagështi që mund të përbëjnë problem për shëndetin e nxënësve, ambienti i jashtëm ngjan më shumë me një kantier ndërtimi të rrezikshëm edhe për punëtorët vetë, e jo më për nxënësit që kanë filluar mësimin aty. Historia Ime ju sjell pamjet e ambienteve të brendshme e të jashtme të gjimnazit të cilët janë shumë larg imazhit të një shkolle të sapo inaguruar.