Basha: Edi Rama dhe karvani i tij, drejt stepave të Orientit

0
196

Partia Demokratike ka përmbyllur procesin e zgjedhjes së krerëve të Forumeve Rinore nëpër rrethe dhe në takim me të rinjtë fitues, Lulzim Basha gjeti rastin të sulmojë “karvanin e Edi Ramës”.

“Karvani i mjerimit i Edi Ramës është nisur për në stepat e orientit ku e pret orienti, jo ai romantiku, por ai politik i dallkaukëve, i allishverishëve, i palaçove, abuzimeve dhe gangsterëve. Unë uroj që socialistët, jo vetëm për të mirën e tyre, por për të mirën e të gjithë Shqipërisë, këtë karvan ta kthejnë me kokë nga Perëndimi dhe jo nga Lindja për ku është nisur”, tha Basha.

Kreu i demokratëve pasi tha se forca që ai drejton është e vetmja forcë politike, që sipas tij, rrezaton demokraci, u njoftoi të rinjve demokratë një vendim personal sa i takon zgjedhjeve të ardhshme.

“Kam vendosur t’i propozoj Këshillit Kombëtar për 35 përqind përfaqësim të të rinjve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Nuk ju kam dhënë më shumë se ç’ju takon”, deklaroi ai.

Përballë entuziazmit të të rinjve, Basha premtoi edhe një tjetër vendim që ka të bëjë me procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë.

“Nuk do t’i caktojmë, do t’i zgjedhim me debate dhe primare si republikanët dhe demokratët në SHBA dhe do t’i japim Shqipërisë një tjetër leksion demokracie”, u shpreh ai.

Basha ftoi të rinjtë dhe përmes fjalës së mbajtur para tyre gjithë qytetarët për revoltë për atë që e quajti regjim të oligarkëve dhe korrupsionit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here