Në QSUT/ Probleme shqetësues, mungesa e ilaçeve, sallave të pritjes dhe tualeteve

0
197

Në ambjentet e brendshme banjot e spitaleve janë në gjendje të tmerrshme. Familjarë të shumtë mbushin korridoret për shkak të mungesës së sallave të pritjes.

Sejrie Baleta

Mjafton një vizitë nëpër spitalet publike të kryeqytetit për të kuptuar se problemet që i shoqërojnë janë të shumta. Duke filluar që nga hurja te ambjelntet e jashte  një  hije trishtimi të shoqëron  kudo.  Pavarësisht ndryshimeve dhe rregullimeve që janë bërë në to, duket sikur problematikat nuk do të mbarojnë kurrë. Duke filluar që nga higjiena e tyre, banjat, korridoret e stërmbushura me familjarë të pacientëve, të cilët nuk të lënë as vend për të kaluar, e jo më në rrethanat e ndonjë emergjence, që është vështirë të depërtosh. Takat e mjekeve, që kërcasin, ndërsa pacientët janë në gjumë, e shumë të tjera. Më konkretisht, probleme të tilla i kemi hasur në qendrën më të madhe spitalore, atë të “Nënë Terezës”.

Banjot në gjendja skandaloze

Ndër shqetësimet më të mëdha që mund të përmendim janë banjat e spitaleve, të cilat janë në gjendje  skandaloze. Duke filluar që nga tualetet e spitalit onkologjik, atij të kardiologjisë, pediatria etj. Situata është e njëjtë kudo, një gjendje që lë shumë për të dëshiruar. Prej vitesh të tëra nuk është vënë dorë për rregullimin e tyre dhe këtë e dëshmojnë tubat e vjetër, madje edhe të çarë të ujit. Në muret e tualeteve sheh vetëm njollat e lagështirës, disa mbeturina të hedhura në tokë, një kosh mbetjesh që duket se nuk shërben për asgjë. Përpos këtyre, e gjithë kjo nuk mbaron me kaq. Era e keqe e tyre ndihet edhe nëpër korridoret e spitaleve. Kushtet higjienike janë në gjendje jo të mirë. Era e keqe, muret e rëna, me lagështirë, uji në dysheme, papastërti, probleme pafund. Me pak fjalë, askush nuk do t’i kishte përdorur ato në kushte normale, ndërsa pacientët e shkretë, të detyruar, nuk gjejnë tjetër zgjidhje. Përveç problemit të banjave, një tjetër shqetësim lidhet edhe me mungesën e sallave të pritjes. Një numër i madh familjarësh mbushin korridoret dhe shkallët e spitaleve, në pritje të të afërmve, duke folur me zë të lartë, duke penguar jo vetëm njëri-tjetrin, por edhe mjekët në lëvizje. Pothuajse e njëjta pamje paraqitet në çdo spital, por tek onkologjiku, saktësisht pranë pavijonit të kirurgjisë, një numër i madh njerëzish qëndrojnë në pritje të përgjigjeve nga mjekët, në lidhje me gjendjen e personave të afërm. Një pjesë të ulur nëpër shkallë. Të tjerë që presin në këmbë, të gjithë për një qëllim, në pritje të një përgjigjeje. Shpeshherë këta persona, të ulur në shkallë bëhen pengesë edhe për njerëzit e tjerë që duhet të kalojnë për t’ju afruar ndonjë prej dhomave. Ndërkohë po në spitalin e onkologjikut shikon një zonjë të ulur në një karrige gjysmë të prishur bashkë me fëmijën e saj në prehër. Një situatë e ngjashme ishte edhe në spitalin e neurologjisë, i njohur ndryshe, si spitali numër 5. Në ndryshim nga spitali i onkologjisë, këtu prisnin të ulur nëpër bordurat e hapësirave të jashtme të tij, radhë pas njëri-tjetrit.

Dhoma me lagështirë

Një tjetër shqetësim lidhet me disa prej dhomave të spitaleve, të ndërtuara prej vitesh, të cilat kanë lagështirë pafund. Madje me ironi thuhet se në spitalet tona shtrohesh për një sëmundje dhe përfundon duke dalë nga spitali me një tjetër. Lagështira e madhe nëpër dhoma është ngritur disa herë si shqetësim nga pacientët, por si duket edhe pas kaq vitesh, kërkesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhët. Qetësinë që duhet të karakterizojë spitalet, në vendin tonë vështirë ta gjesh. Ajo thyhet që nga numri i madh i njerëzve nëpër ambientet e tij, por edhe nga kërcitja e takave të mjekeve.

Kërcitja e takave

Ndryshe nga çfarë ndodh në Europë apo në botë, mjeket veshin këpucë ose shapka të përshtatshme, posaçërisht për ambientet e spitalit, akull të bardha, prej gome në më të shumtën e rasteve. Ndërsa në Shqipëri ky fenomen është i pranishëm prej vitesh të tëra dhe ndodh ende sot e kësaj dite. Rrallë mund të shohësh një mjeke pa taka. Gjatë vëzhgimit tonë vumë re se disa prej spitaleve të qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza” janë në proces lyerjeje. Këtu mund të përmendim spitalin onkologjik apo pavijonin e kardiologjisë. Nëpër korridore ndihej era e bojës, e megjithatë mjekët e pacientët vazhdonin normalisht veprimtarinë e tyre.  Një pjesë e mirë e spitaleve, nga jashtë kanë një pamje të mirë, por në brendësi vëren vende-vende qese të hedhura në tokë, më tutje një gotë plastike me bishta cigaresh dhe fare pranë tyre, brenda mjediseve të spitalit të kardiologjisë edhe një motor të parkuar. Pamja më e çuditshme që mund të kem parë! Në zonat përreth spitalit “Nënë Tereza”, që administrohen nga subjektet private, gjenden dhjetëra kafene, fastfood-e, dyqane luksi, një kontrast i jashtëzakonshëm me pamjen e brendshme të spitaleve. Pa përjashtuar edhe faktin, që disa kohë më parë, u shembën, ndërsa sot rilulëzuan, sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Spitalet vijojnë të mbeten një shqetësim i madh për të gjithë. Prej vitesh ata duket sikur gjithmonë kanë shkuar drejt përkeqësimit dhe jo të përmirësimit të kushteve. Një nga shqetësimet e hasura ka qenë mungesa e ilaçeve. Njerëzit  rendin  nga një farmaci në tjetrën për të gjetur një ilaç që spitali nuk ia ofronte, me pretendimin se QSUT nuk kishte para.Ky mbetet ende një fenomen shqetësues dhe që lë shumë për të dëshiruar. Familjarët dhe pacientët e shtruar ndodhen përballë këtyre problemeve mjaf të rënda.

Mungesa e ilaçeve

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, në spitalin Onkologjik , qytatarë të shoqërisë civile kanë ngritur problemin e mungesës së barnave për gratë paciente në këtë spital. Sipas deklaratave të pacientëve dhe familjarëve të tyre në shërbimin Onkologjik të QSUT-së mungon mjekimi bazë për kimioterapinë. Në depon farmaceutike të QSUT mungojnë citostatikët. Këto barna mund të gjenden vetëm pranë farmacive që ndodhen rreth e rrotull spitalit Onkologjik. Aktivistë të shoqërisë civile, theksojnë se këto barna të shitura kontrabandë nga farmacitë nuk kanë asnjë element sigurie dhe nuk janë të regjistruara në qëndrën e kontrollit të barnave, pra nuk janë të sigurta për shëndetin dhe jetën e pacientëve. Aktivistët kërkojnë që pacientëve t’u sigurohet shërbimi mjekësor ashtu si dhe e parashikon ligji.

 

Shëndetësi

Premtimet e ministrit të Shëndetësisë

Me ardhjen në pushtet të të majtëve u premtuan ndryshime në sistemin shëndetësor. Por çdo gjë është përkeqësuar që nga mungesa e ilaçeve dhe deri te mungesa e burimeve njerëzore. Nga ana e tij, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, I ka pranuar vështirësitë e mëdha me të cilat përballet sot shëndetësia shqiptare dhe që sipas tij janë pengesë reale për implementimin e shëndetësisë universale, duke premtuar se së shpejti do të ndodhin ndryshime në çdo sektor. Por në dy vite punë asgjë nuk është bërë në të mirë të shëndetësisë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here