Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon konfiskimin e një godine të destinuar për resort turistik në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, në pronësi të Shpëtim Brahimaj, babait të Isuf Brahimajt, i cili mbeti i vrarë pas një atentati të telekomanduar me minë në fund të gushtit të 2014.
Shkak për këtë kërkesë janë dyshimet e arsyeshme se godina 5-katëshe është ndërtuar me paratë e aktivitetit kriminal të të birit. Në vijim të atentatit ndaj tij, një ndër pistat e ngritura është ajo për përplasjet e mundshme për trafikun e drogës, pasi Isuf Brahimaj, ishte dënuar më herët nga autoritetet italiane dhe hollandeze.
Prokuroria ka konstatuar se Shpëtim Brahimaj, kishte legalizuar në emër të tij një ndërtesë 5-katëshe të papërfunduar, e cila ishte destinuar për shërbime hotelerie. I ati i Isufit, sipas veprimeve proceduriale të prokurorisë së Vlorës nuk ka pasur mundësi financiare të realizonte shpeznimet e ndërtimit të hotelit, që mund të ketë shkuar deri në 100 milionë lekë të reja.
Në këtë vlerë nuk është llogaritur vlera e truallit, e cila sipas dokumentacionit të blerjes është shënuar 120 mijë euro, por që dyshohet se është blerë rreth 700 mijë euro. Edhe kontrata e blerjes së truallit është nënshkruar nga Shpëtim Brahimaj, pavarësisht se ai nuk ka pasur mundësi reale financiare të realizojë këto të ardhura.
Prokuroria e Vlorës kërkoi vendosjen e sekuestros preventive për objektin dhe truallin, e cila u pranua nga ana e Gjykatës së Vlorës. Më pas, çështja iu kalua për kompetencë Prokurorisë për Krime të Rënda, e cila është përgjegjëse për zbatimin e ligjit të njohur si “Antimafia”.
Gjykata për Krime të Rënda caktoi sërish masën e sekuestros preventive, në bazë të kërkesës së Prokurorisë për Krime të Rënda.