Një pjesë e qytetarëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile u larguan sot nga takimi me nënkryetarin e Bashkisë, Arbian Mazniku, pasi i kërkuan edhe një herë pezullimin e projektit dhe nisjen e procedurës së këshillimit me publikun.
Neve, si vandalë, refuzojmë të diskutojmë për diçka të paligjshme. Kur bashkia të ndërpresë punimet, atëherë do të ulemi të flasim”, deklaroi aktivistja Anxhela Çikopano.
Por pjesëtarë të tjerë të shoqërisë civile vazhduan takimin me nënkryetarin Mazniku, i cili këmbënguli se projekti do të përfundojë më 1 qershor dhe madje dha detaje për masterplanin e parkut.
Mendoj se duhet të ruhet koncepti i pyllit”, tha aktivisti Lavdosh Feruni, i cili qëndroi në takim ndonëse Bashkia nuk ka bërë publike deri më tani as lejen mjedisore dhe as projektin.
Nëpërmjet një strategjie politike dhe mediatike, Bashkia ka mundur të krijojë ndasi dhe mosmarrëvjeshje mes grupeve protestuese.
Në fillim Bashkia akuzoi se protestuesit ishin të futur nga Partia Demokratike dhe kjo bëri që shumë përfaqësues ultra-majtistë të asaj që quhet‘Organizata Politike’ të tregoheshin agresivë me cilindo aktivist që kishte ‘damkën’ si ‘i djathtë’.
Nga ana tjetër Bashkia po përdor ambientalistë si z.Feruni, i cili nuk ka qenë fare person aktiv në protesta, madje z.Feruni është i ekspozuar dhe ndaj konfliktit të interesit, pasi aktiviteti i tij si ekspert mjedisor është direkt i lidhur me prokurimet për vlerësime mjedisore si në qeverinë qendrore ashtu dhe në qeverisjen lokale. Zoti Feruni ka qenë më herët dhe një ambientalist i ‘preferuar’ i lëvizjes MJAFT të drejtuar nga Veliaj dhe së bashku kanë realizuar disa aktivitete apo dhe konferenca. / HashtagAL