Protesta për “tre dynymë” dhe heshtja mortore për “65 kilometra katrorë”

0
178

Nga Abdurahim Ashiku

 

Media e shkruar dhe elektronike ishte si kurdoherë e pranishme  sot në shown tashmë të njohur të “tre dynymëve”, alias parkun e lodrave për fëmijë në pyllin artificial në krah të liqenit artificial të Tiranës ngritur me punë vullnetare nga rinia studentore e shkollave të mesme dhe qendrave të punës  e të prodhimit kryeqytetit në fund të viteve pesëdhjetë. “Shoqëria civile” u përplas dhunshëm me policinë e shtetit në përpjekje për të penguar ndërtimin e një këndi lojrash për fëmijë. U përplas sot, është përplasur dje… dhe do të përplaset nesër.

 

Me siguri nesër të gjitha faqet e gazetave të njerës apo tjetrës anë do të pasqyrojnë me foto dhe komente “përplasjen” ashtu si të hënën në mbrëmje (dhe gjithë javën deri në përplasjen tjetër) dritaret televizive të të gjitha kanaleve do të kenë të ftuar nga “shoqëria civile” dhe nga “shoqëria shtetrore” që do të sherrosen deri në fjalë nga më vulgaret me njeri tjetrin. Ashtu si opozita do të dalë me deklarata pompoze për “shkatërrimin e parkut” a thua se kjo është hera e parë që ndodh në këto 25 vjet. Një ditë më parë në një nga sallat e pallatit të kulturës “Haki Stërmilli” të Peshkopisë u tubuan intelektualë të të Dy Dibrave, të asaj në anën tjetër të kufirit shqiptaro-shqiptar që siç thoshte disa vite më parë kryetari i komunës të qytetit Argëtim Fida…”Dibranët nga ndërtimi i liqenit artificial të Dibrës dhe hidrocentralit të Shpiles nuk panë asgjë të mirë për këto 40 vjet pos humbjes së rreth 5000 të tokës më pjellore dhe që vaditej nga dy lumej (Drini dhe Radika A.A.), burimi kryesor i ekzistencës të numrit më të madh të familjeve dibrane.
Sot të mirat nga prodhimi i rrymës përfitohen vetëm nga qeveria maqedone që nuk do të ja dijë nëse këto familje u detyruan të largohen në Turqi ose ShBA për të siguruar ekzistencën…”
dhe të Dibrës kësaj ane të kufirit shqiptaro-shqiptar që hidrocentrali në rend të ditës i Skavicës shuan përgjithëmonë nga harta një ndër luginat më të bukura dhe pjellore të Shqipërisë, Luginën e Drinit të Zi, mbyt përjetësisht me gjithçka ekologjike, arkeologjike, historike etj. një krahinë të tërë.
Flitet për një sipërfaqe toke rreth 65 kilometra katrore dhe për shpërngulje pa kthyer kokën prapa të rrreth 40 mijë dibranëve autoktonë ndër shekuj, dibranë që kanë përjetuar 18 nga 25 beteja fitimtare të Skënderbeut, dibranë që kanë përjetuar masakrën më të madhe historike të mesjetës, masakrën e Çidhnës në vitin 1466 ku turqit osmanllinj kaluan në tehun e shpatës rreth 10 mijë burra, gra, pleq, fëmijë, fitoret historike kundër Hajredin Pashës në vitin 1844 dhe kundër Hysni Pashës më 1855, betejat e mëdha të viteve 1913-1922 kunbdër pushtuesve serbë, beteja që ia prenë rrugën pushtuesve për të dalë në anën tjetër të Drinit të Zi e për të vijuar më tej në lakminë e tyre të njohur historike daljen në Durrës…
 

Ka tashmë disa muaj që hija e shtetit është shtrirë mbi Luginën e Drinit të Zi më e egër dhe e ftohtë se sa mjergulla në ditët e janarit. Kryeministri dhe ministrant e tij ia kanë vënë syrin Dibrës për ta mbytur. Një mbytje “pjesë-pjesë”, me “një digë” për ta vazhduar më tej me “dy diga” e për ta përfunduar me “tri diga”.
Dhe çudia është se digën dhe hidrocentralin e parë (atë të Katundit të Ri) do ta ndërtojnë… turqit  modernë. Fushën e Gjoricës nuk e pushtoi dot Hajredin Pasha në vitin 1845. Do ta pushtojnë turqit e rinj duke e mbytur përgjithmonë.
Dibranët e të Dy Dibrave u mblodhën bashkë të shtunën e 5 marsit për t’i thënë PO DIBRËS! JO SKAVICËS! U mblodhën ashtu siç ishin mbledhur një vit më parë për t’i thënë JO devijimit të Radikës ujëkristal nga sllavomaqedonasit.
U mblodhën por deri në momentin që po shkruaj këto radhë (e diele ora18.00) asnjë ekran i vogël kombëtar e lolal, asnjë gazetë e shkruar apo elektronike, asnjë agjenci lajmesh… nuk ka hedhë në public qoftë edhe një rresht të vetëm apo një fjalë të vetme.

“Shoqëria civile”, ekonoligjistët zhurmëmëdhenj me diploma inxhinieri nafte, po bëjnë show të madh duke bërtitur e u përleshur në mjediset e parkut të liqenit artificial të Tiranës me policinë. Nuk u ve faj. Le ta bëjnë. Në të drejtën e tyre janë. Por harresa dhe indiferentizmi i tyre për mbytjen e një treve të lashtë, i një krahine të tërë, heshtja mortore e tyre tregon se ata nuk janë as ekologjistë, as shoqëri civile por “radio me bateri” që i karikon politike e ditës. Do tu besoja sikur ti shihja një ditë bashkë me mijëra dibranë në një udhëtim drejt Katundit të Ri të krahinës së Luznisë, mbi kodrën e bukur me drufrutorë të Dohoshishtit në njerën anë të Drinit e kodrën tjetër me zabele dushku e gështenjash të Hoteshit që hidrocentrali do ti “hajë” për të mbushur digën. Do të doja që nga këto pika të shikonin “Kullën e Murre”, kullë ku është përkundë djepi i trimërisë dibrane dy shekujt e fundit dhe më larg e cila do të mbytet pa nam e nishan.
Do të desha që të mbanin në duar parullën e madhe…PO DIBRËS ! JO SKAVICËS! E dëshiroj por e di që as “shoqëria civile” dhe as “ekologjistët” e Parkut të Liqenit Artficial nuk do të luajnë këmbët drejt Dibrës për tu ndalë dorën të gjithë atyre që duan ta mbysin, atyre që nuk i japin Rrugën Arbrit, rrugën e jetës, por gjolin e vdekjes.  Dibra është mësuar që të luftojë e vetme. Me siguri edhe kësaj radhe do të luftojë dhe fitojë duke i thënë: JO SKAVICËS! JO KATUNDIT TË RI ! JO HAJNAVE QË E SHOHIN DIBRËN SI BURIM PËR TË MBUSH XHEPAT ME MILIONA MBI MILIONAT…
 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here