“ Duhet të garantojmë transparencë në proceset gjyqësore. Të shmangim çdo lloj abuzimi apo spekulimi. Shorti i gjyqtarëve duhet të jetë elektronik. Askush nga palët nuk duhet të dijë paraprakisht se kush është gjyqtari”
Alma Çuka
Drejtësia, kryesisht sistemi gjyqësor ka shumë probleme. Disa prej tyre i renditi Ministri i drejtësisë Ylli Manjani gjatë një tryeze që organizoi dje EURALIUS IV, me temë “E ardhmja e Sistemit të Integruar Informativ për Menaxhimin e Çështjeve (ICMIS)”, në gjykatat shqiptare. Përmes këtij takimi, projekti EURALIUS IV kishte për qëllimin mbledhjen e të gjitha palëve të interesuara, për të diskutuar lidhur me problematikën e sistemit në përdorim, si dhe hapat që duhet të ndërmerren në planin afatshkurtër dhe afatgjatë, në mënyrë që të arrihet në një sistem tërësisht funksional. Sipas Manjanit tema për të cilën u diskutua ka të bëjë me dy gjëra themelore. E para, me garancinë për transparencë në procesin gjyqësor dhe e dyta me shmangien e çdo lloj abuzimi apo spekulimi, si shqetësim publik, për paragjykimin e shortit të gjyqtarëve, pra mënyrës se si ndahen çështjet. “Raport Progresi i fundit i BE-së, më lejoni të citoj, na kritikon rëndë për mungesën e një “track recordi” të çështjeve në sistemin gjyqësor. Natyrshëm që disktumi shkon se si funksionon sistemi elektronik i integruar i menaxhimit të çështjeve. Kjo çel debatin e radhës, por ajo që mua më shqetëson është kjo gjë:- Cilado qoftë zgjidhja që ne do ta studiojmë gjatë këtij aktiviteti, thirrja ime e parë për të gjithë kryetarët e gjykatave, kancelarët e gjykatave, është që të përdorin sistemin aktual sepse të paktën ICMIS të jep garancinë e shortit të paanshëm”, tha ministri Manjani.
Por çfarë do të bëhet me sistemin
Në fjalën e tij Manjani iu referua Gjykatës më të madhe në vend, asaj të Tiranës, për të cilën tha se ka hezituar të përdorë sistemin elektronik të hedhjes së shortit. Në këtë rast ai u shpreh se nuk mund ta kuptonte faktin se si një gjykatë mund të vërë në diskutim autoritetin ei shtetit shqiptar. Numri një i drejtësisë kritikoi edhe mënyrën se si janë duke funksionuar gjykatat në vend. Asnjë prej tyre , tha ai, nuk zbaton rregulla të njëjta. “Një gjykatë del më vetë, një gjykatë tjetër ka një sistem tjetër dhe asgjë e integruar nuk funksionon. Gjykata e Tiranës nuk është republikë më vete por është pjesë e sistemit gjyqësor të Republikës së Shqipërisë, me gjithë të drejtat që mund të ketë. Ashtu sikurse Gjykata e Gjirokatrës nuk mund të jetë perandori më vete dhe as e ndonjë pashallëku më vete por është pjesë e sistemit gjyqësor të Republikës së Shqipërisë gjithashtu. Dhënia e vendimit gjyqësor është pjesë e pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe kjo është absolute, e paprekshme dhe kush e prek ka prekur republikën. Por shërbimi pulik është i inegruar dhe pjesë e së tërës dhe pavarësisht ndarjes së pushteteve qëllimi është i përbashkët, t’i shërbejmë publikut.
Sistemi sigurisht duhet ta pranojmë se ka disa probleme. Ai nuk e jep “track record-in”, nuk na jep mundësnë të kemi në çdo çast informacion adekuat mbi çështjen, mbi palët, gjykimin dhe afatet. Aq më tëpër që nuk na jep mundësinë të prodhojmë të dhëna statistikore kur na duhet, por duhet të presim vjetarin klasik që bën Ministria e Drejtësisë dhe nuk na jep të kuptojmë se kush është trendi i çështjeve, kush është trendi i gjykimit, si janë afatet etj etj”, tha Manjani. Më tej ai shtoi se drejtësia duhet të hyjë në një process më modern me qëllim që të ndihmohet transparenca. Për këtë , Manjani shtoi se duhet të marrim ndihmë nga EURALIUS.
Reforma institucionale
“Duhet të biem dakort për një refomë institucionale, pra të dijmë se kush janë zyrtarët përgjegjës për administrimin e këtij sistemi, këtij që është apo atij që do jetë. Personalisht nuk e mbështes idenë e ndarjes apo copëzimit të menaxhimit të këtij sistemi në nivel gjykatash. Duhet të jetë një autoritet superior për dy arsye: e para, duhet që informacioni elektronik që regjistrohet në gjykatë të jetë i lidhur edhe me regjistrat e tjerë, regjistrin e prokurorisë, regjistrin TIM-s, si dhe me regjistrimin e ekzekutimit të vendimeve. Pra të kemi një sistem unik të shtetit shqiptar, që gjërat të lidhen, sepse me këtë sistem merret informcion shumë shpejtë nga të interesuarit por edhe administrohet më mirë. Ndarja apo copëzimi në administrim nuk është e sugjerueshme në asnjë parim menaxhimi dhe ky është hapi i parë që duhet të zgjidhim, se kush duhet të merret me këtë gjë. E dyta, do na duhet të bëjmë një analizë të defiçencës së sistemit aktual dhe një fizibilitet se si mund ta menaxhojmë më mirë sistemin e ri dhe të krijojmë një gjë të integruar dhe që të na sigurojë informacion të përshtatshëm, ashtu siç thotë raport progesi. Por që ta bëjmë efektive duhet të ndihmojmë njëri tjetrin sepse kemi shume data-baza të krijuara me informacion dhe nuk po arrijmë t’i lidhim njëra me tjetërn. Psh, kemi Regjistrin e Noterisë dhe deri më sot shumë pak e kemi përdorur, ndërkohë që po tentojmë ta zgjerojmë dhe t’i japim kuptim, që të përdoret edhe nga prokuroria për nevoja hetimi por edhe nga gjykata nëse është e nevojsme. Jemi ende mbrapa me Regjistrin e Përmbarimit por edhe me atë do të krijomë një sektor që do të merret ekzaktësisht me këtë punë dhe pjesa gjyqësore është pjesa që na krijon një “dhimbje koke”, sepse është pjesa më e rëndësishme”, përfundoi Manjani.