T’i duash gratë vetëm një ditë në vit. Sa turp!

0
246

lorena-stroka-biografia

Dr. Ndriçim Mehmeti

Në këtë 8 mars vendosa të mos dal nga shtëpia dhe përcolla në televizion të gjithë paradën e pështirë të hipokrizisë, për gruan femrën shqiptare. U bëra dëshmitar i maskaradës së përvitshme, të pështirë, të horrave të veshur me kostum ministri, kryeministri, krye parlamentari, deputeti, kryetar bashkie e deri tek ndonjë intelektuhal/hale i shoqërisë civile. Pas asnjë pikë turpi, ndjenje faji, përgjegjësie, pendese, këta farë burrash e grash të zhytur në imoralitetin e parasë, korrupsionit moral e monetar, buzëqeshnin, tregonin se për kë i kishin tufat e luleve, kë grua e sa gra kishin të veçanta në jetën e tyre.

Kush u jep të drejtën të tallen me gratë, nënat, vajzat, motrat tona, këtyre horrave të veshur me kostumin e pushtetarit apo mantelin e pistë të intelektualit/hales?

Ne! Që në momentin që e dimë sesa shumë i kanë  “dashur” rrahur, gratë, nënat, motrat e tyre dhe i votojmë që të drejtojnë edhe jetën tonë me hu e me dhunë. Ne e dimë shumë mirë në këtë shoqëri që jetojmë, sesa herë e ka injoruar nënën, gruan, motrën, vajzën e dikujt, shoqen e klasës, kolegen e punës, atë që e thërrasim sot: Shef, ministër, deputetet, opinionit, gazetar të shquar, profesor, etj. Si mund të jemi kaq të pashpirt, të pështirë, hipokrit, maskarenj, rrugaç, e të urojmë si pa të keq 8 marsin, të vrapojmë televizion më televizion, të dalim para çdo kamere, të ndalim makina e të dhurojmë lule, të bëjmë promocione, restorantesh, se kush shet më shumë pica, paidhaqe, makarona, fruta deti, verë, birrë e raki? Ç’është kjo dalldi e një shoqërie të telekomanduar, që vepron më keq se në kohërat më të errëta të diktaturës. Si mund të ndash lule për gratë shofere, kur gjithë periferia e Tiranës është rrethuar nga motele që shfrytëzojnë me bekimin e Policisë së Shtetit gratë, vajzat minorene, për vite të tëra? Po si mund të dalësh para grave, e t’u mbash leksion për dashurinë që ke ndaj tyre, kur i quan nga tribuna parlamentare, kafshë e ndyrësira?

Si e lejojmë veten që të dëgjojmë çdo dot të flitet për bythët e grave, tangat e tyre të shtrenjta që jua blejnë qeveritarët, të kënaqemi me historitë e kurvave pushtetare, modeleve që kanë për dashnor të pasurit, vajzave të gjimnazit që shfrytëzohen për epshet e biznesmenëve 50 e 60 vjeçar dhe të ulim kokën e të ngushëllohemi: “Kështu erdhi koha. U prish dynjaja edhe këtu tek ne”!? Jo! Ne vetë duam të prishemi me të gjitha mënyrat e mundshme. Ne që kënaqemi me veten tonë, kur e kemi vënë përfund gruan. Ne që nuk duam t’ia dimë për dinjitetin e gruas, por e shoqërojmë me sy deri në fund, nëse ka veshur një minifund. Ne që ndalojmë makinën sa herë shohim një bukurane dhe jemi gati të shtypim një plakë që ecën me ndihmën e bastunit, se kjo e fundit sipas mendjes sonë të sëmurë, nuk i duhet as dreqit. Ne jemi që kemi lejuar të talli bythën cilido që i teket në ditën e 8 marsit dhe të shfrytëzojë rastin të na tregojë, sesa shumë i do gratë e jetës e tij. Dhe një pjesë e grarisë, nuk jua prishin qejfin. Shkojnë e krihen sa më mirë të jetë e mundur, marrim rroba borxh, çantën e shoqes, vetëm të jenë të pranishme në ditën që horrat e vegjël dhe kryehorri tallen me gratë brenda e jashtë sallës.

 

Kush jemi ne, shoqëria shqiptare sot në raport me gratë?

Pasardhësit e atyre burrave që kënaqeshin me barrën e rëndë në kurriz të grave. Kopja më e shëmtuar e burrave që lënin gratë shtatzëna çdo vit dhe i gjeje çdo natë jo pranë shtratit të saj, por pranë gotës së rakisë. Sot kemi ndryshuar për “mirë”. Lemë gruan të qetë në shtatzëninë e saj dhe shkojmë në dhomën e motelit me dashnoren. I japim dhuratën e rastit, bëjmë qejf, i paguajmë drekën apo darkën, sipas vaktit dhe shkojmë në shtëpi të lodhur “nga puna” pa orar që bëjmë për të mbajtur familjen. Ne jemi shoqëria që i bërtasim gruas me zë të lartë se “ju mbajmë me bukë” dhe i lëpihemi shefit tonë edhe kur na shan nga nëna. Ne jemi burrat që dalim në emision me gratë dhe nuk ju japim fjalën, i shohim pafund se mos gjejmë rastin që të mbajnë këmbët hapur, zgërdhihemi sa herë që japin mendim femrat dhe në fund në vend të buzëqeshjes, përvijojmë ngërdheshjen si simbol respekti. Ne nuk jemi shoqëria që mbushëm qeverinë me gratë më të mira, por me ato, që dinë ta vërtisin lekun në favor të vetes dhe shefit, më mirë se burrat, që shajnë kundërshtarin me fjalët më të pista se ato që përdor shefi, që mbushëm radhët e politikës me zonjusha që sa kanë mbaruar gjimnazin dhe me gra në moshë që nuk i dëgjon kush. Zonjushat që sapo kanë përfunduar gjimnazin, të japin mend për gjithçka: Nga arsimi e Matura Shtetërore e deri tek rregullatorët për mediat vizuale, nga kriza në Siri e deri tek të mirat që sjell ulja e çmimit të naftës, nga eksperte doganash e tatimesh, deri tek matëse të ndotjes dhe mjeshtre të promovimit të sendeve ekologjike.

Këto të fundit janë gratë më të mira, më të ndershme, bleta punëtore, grerëza me arritje dyfish të bletës mbretëreshë, ikona të ndershmërisë, nikoqiret më të mira, nënat më të vyera, që lejnë edhe punën e rehatshme në dogana për të rritur kalamajtë. E ç’nuk janë ato që dalin përditë në televizor. Po gratë që u bie bretku përditë në punë, që nuk kanë as makinë larëse, as lavastovilje, as çantë “Burbury” as “Pranda”, as parfum “Cavalli” e as çadër 100 euro, që nuk kanë vënë të kuq në buzë, që nga koha që janë martuar, që nuk dinë se kur e kanë ditëlindjen, përvjetorin e martesës, 8 marsin, çfarë janë? Furnizueset me vota të atyre që i përfaqësojnë me krehjen dhe stilimin më të fundit, të atyre që nuk u bie këpuca në tokë, që nuk u shkel këmba asnjëherë në ujë dhe në baltë, që fëmijët vetëm sa i lindin dhe jua rritin të tjerë. Janë shërbyeset e burrave, të përulurat e shtëpisë që pranojnë drurin mbi kurriz, se askush nuk pyet për to. Nëse ankohen në polici, askush nuk i beson, nëse i besojnë askush nuk i mbron, nëse duan t’i ikin dhunës, nuk kanë ku të shkojnë, se askush nuk i hap derën. Të tjerat “me pak fat”, sa janë në lule të moshës janë dashnoret e të pasurve, objekti ku politikan, biznesmen, të pasur, oborrtar, zyrtarë lokal, diplomat të huaj, gjejnë parajsën që ju “mungon” tek gruaja e shtëpisë. Ata kanë rastin të mburren që në moshë të thyer ju punon akoma, që çmenden prej seksit oral dhe anal dhe në fund paguajnë deri në qindarkën e fundit dashnoren e flaktë. Nuk ka shumë rëndësi se shkojnë me minorene apo maxhorene dhe në rast se dikush i kritikon apo guxon në pak raste t’i kap, ja hedhin lumin me pretekstin se laviret, siç i quajnë rëndom në bisedat tyre, dashnoret e flakta, deshën vetë.

Prandaj më vjen turp, më ngjall neverie e krupën, më përshtiroset, më vjen për të vjell, kjo mënyrë e trajtimit të femrës shqiptare, vetëm në një ditë.

Do të ishte mirë që të paktin atë të përkujtimit të sakrificës së gruas për të drejtat e tyre, ata që i shkelin më shumë dhe hapur, të mos dalin e të shesin dëngla, të mos kërkojnë falje, por të paktën të fshihen, të mos shesin moral me kukullat e tyre, me lulet që u dërgojnë “grave të çmuara të jetës”. Thjesht të mos dalin atë ditë të heshtin, jo për të pastruar ndërgjegjen, por të paktën mos të ndyjnë më shumë figurën kaq të dashur e të adhuruar, që ditën që jeta filloi të gjallojë në këtë tokë, të nënës, gruas,.

Nuk e di nëse dikush do ta bëjë këtë njëherë të vetme në 8 mars, por unë do ta bëj çdo herë, jo për të larë shpirtin tim nga mëkati, por të paktën të mos bëhem lojë e maskaradës së horrave që përdorin gratë edhe në ditën e tyre më të shenjtë.

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here