Vendimi i Gjykatës së Apelit/ Pro shoqatës së të verbërve që të kundërshtojë ligjin 93 të vitit 2014

0
160

Me vendim të Gjykatës së Apelit, personat që vuajnë mungesën e shikimit u njihet firma e padisë ndaj çështjeve ku shkelet e drejta e tyre. Kjo e drejtë e nënshkrimit është mohuar nga Gjykata e Tiranës rreth 1 vit më parë kur kreu i shoqatës Sinan Tafaj bëri padi ndaj Ministrisë së Mirëqenies Sociale për shpifje ndaj tij. Gjykata e apelit ka rrëzuar vendimin e Gjykatës së Tiranës për mosnjohjen e firmave të personave që vuajnë mungesën e shikimit për të ngritur padi ndaj çështjeve të ndryshme që prek të drejtat e kësaj kategorie. Në fjalën e tij Tafaj tha: “Rrallë herë ndodh që drejtësia të marrë vendime kaq historike. Nëse do të ishte në fuqi ky vendim, do të krijonte një precedent shumë të rrezikshëm për të gjithë të verbrit në Shqipëri, për personat me aftësi të kufizuar. Pra vendimmarrja për veten, e drejta për të folur për veten do t’i transferohej të tjerëve”. Vendimi i Gjykatës së Apelit i ka dhënë të drejtë shoqatës së të verbërve që të kundërshtojë ligjin 93 të vitit 2014, “Për aksesin dhe përfshirjen shoqërore”.

Ligji, siç pretendon shoqata e të verbërve, u cënon atyre vendimarrjen apo firmosjen e dokumenteve ligjore. Ngjarjet rodhën në këtë pikë, pasi gjykata e Tiranës nuk pranoi kërkesën e Sinan Tafajt, kreut të shoqatës së të verbërve, për të bërë një padi, ndaj Erjon Veliajt, në atë kohë Ministër i Mirëqënies Sociale, me arsyetimin se Tafaj nuk mund të firmosë personalisht dokumente si një person i verbër. Kjo u hodh poshtë nga Apeli në Tiranë, gjë të cilën Tafaj e cilësoi historike.  “Kodi civil, i procedurës civile, Konventa e Kombeve të Bashkuara dhe Kushtetuta na mbron ne. Ndryshe nga ligji 93 i 24 korrikut të 2014, i cili ka njohur të drejtën të tjerëve të marrin vendime për ne”, tha Sinan Tafaj. Vendimi i Apelit në Tiranë, i hap kështu, rrugë procesit gjyqësor për padinë e ngritur nga kreu i shoqatës së të verbërve Tafaj ndaj Erjon Veliajt për shpifje. Ligji për aksesueshmërinë, të cilin jo vetëm të verbërit por edhe shoqatat e tjera të PAK duan ta shfuqizojnë, është dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese. Kryetari i Shoqatës së të Verbërve Sinan Tafaj tha se me këtë vendim, personat me aftësi të kufizuar mund t’i drejtohen gjykatës me padi kur ka raste të shkeljes së të drejtave të njeriut si humbja e të drejtës prindërore , pronësisë apo largimet nga puna.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here