Nga protesta kundër importimit të plehrave, tek mbarëpopullorja e armëve kimike dhe ajo aktualja për ndërtimin e këndit të lojërave te Liqeni
Gëzim Saliu
Shoqëria Civile nënkupton një koncept shumë të gjerë, i cili në thelb shpreh pjesëmarrjen aktive të individit për të zgjeruar dhe konsoliduar liritë dhe të drejtat e njerëzve, kontributin e tij për një shoqëri të hapur dhe të drejtë, që frymëzon solidaritet, humanizëm, tolerancë dhe mirëkuptim, të cilat janë të domosdoshme për vendin. Ky është përcaktimi demokratik i shoqërisë civile, e cila duket se vitet e fundit në Shqipëri ka filluar të marrë një rëndësi parësore, ku kulmin e saj e arriti me protestat kundër importimit të armëve kimike siriane në Shqipëri. Ajo betejë e cila nisi nga një grupim i vogël dhe që u përhap më pas përmes rrjeteve sociale anembanë botës ku gjendeshin shqiptarë, vërtetoi rëndësinë e ekzistencës së shoqërisë civile. Kauzat për të protestuar apo për të ngritur zërin mbi padrejtësitë ose vendimet e pushtetarëve që prekin interesat e qytetarëve kanë qenë, janë dhe do jenë të shumta. Në këto kushte, prania në vend e një shoqërie civile që shpreh përmes formave të ndryshme zërin e saj në mbrojtje të interesit të përgjithshëm përbën një rëndësi themelore për vlerat demokratike të vendit. Por cilat kanë qenë përgjatë këtyre viteve nismat dhe protestat më të rëndësishme të grupeve, shoqatave apo lëvizjeve me bazë të shoqërisë civile që kanë ngritur zërin kundër qeverisë? Sa prej këtyre kauzave kanë qenë të drejta dhe sa të tjera kanë përfshirë brenda tyre qëllimet politike? Cilat beteja janë fituar dhe cilat janë humbur? Më poshtë po listojmë 6 ndër nismat, lëvizjet dhe protestat më të rëndësishme përgjatë këtyre viteve, ku tre prej tyre janë zhvilluar në kohën e qeverisjes së djathtë dhe tre të tjera në këto vite të pushtetit të mazhorancës së majtë.
Nisma kundër importit të plehrave
Një investigim ndërkombëtar i një grupi gazetarësh nga Evropa Juglindore dhe Lindore paaiqiti 6 vite më parë fakte mbi importin e mbetjeve në Shqipëri. Artikulli i publikuar fillimisht në “Prishtina Insight” me autorë Guia Baggi, Lawrence Marzouk, Marjola Rukaj, Lorelei Mihala dhe Remy Hersbach theksonte se “mbeturina toksike, përfshirë bateri dhe ilaçe të skaduara mbetje të naftës janë duke u importuar në Shqipëri nga Italia, pavarësisht gjendjes së dobët të industrisë së riciklimit në vend dhe të një ndalese virtuale për një aktivitet të tillë”. Ishte ky shkrim që nxiti valën e parë të protestave kundër vendimit të qeverisë së drejtuar nga Berisha në atë kohë për importin e plehrave në Shqipëri. Grupime të tilla si Rinia Aktive dhe Grupimi Qytetar si edhe të rinj, ambientalistë, intelektualë dhe qytetarë të ndryshëm protestuan për ditë me radhë në vitin 2010 duke kërkuar nga qeveria mos zbatimin e vendimit. “Shqipëria nuk është kosh plehrash”, ishte një nga parullat më të përdorura nga pjesëmarrësit në protestë në atë kohë. Po ashtu një tjetër grupim i fortë për këtë kauzë ishte edhe ai i përbërë nga aktivistët e Kuvendit Civil që përmes deklaratave thuajse të përditshme reagonte mbi qëndrimet e qeverisë së kohës. Sipas kësaj të fundit plehrat do të monitoroheshin në import dhe se asnjë prej mbetjeve nuk përbënte rrezik, siç dhe BE kishte hartuar listën. Madje në atë kohë u hodh edhe ideja e një referendumi në kuadër të kundërshtive të mëdha që hasi ky vendim tek shoqëria. Por pavarësisht protestave dhe qëndrimeve të kohës, mazhoranca e asaj kohe miratoi në parlament vetëm me votat e saj projektligjin për “Menaxhimin e integruar të mbetjeve”. Ndërkohë në mbledhjen e parë të qeverisë “Rama” u vendos të bllokohet me ligj importi i mbetjeve në Shqipëri, duke e hequr në ligj fjalën “kufizon” dhe duke futur ndalimin tërësisht të plehrave të rrezikshme dhe jo të rrezikshme në Shqipëri.
Zgjerimi i rrugës së Elbasanit
Një tjetër lëvizje i takon vitit 2012, ku projekti i Bashkisë së Tiranës për zgjerimin e rrugës së Elbasanit u kundërshtua nga një grupim i caktuar qw mbronte trashwgiminw kulturore. Kjo përballje e asaj kohe u kthye në politike, kjo pasi kundërshtarët e vendimit të kryetarit Basha ishin ata që sot mbajnë poste në qeverinë Rama. Përkatësisht drejtuesit e lëvizjes kundër projektit të bashkisë ishin Artan Shkreli që mban sot rolin e këshilltarit dhe Artan lame që është në detyrën e drejtorit të ALUIZN-it. Në atë kohë shoqata për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe disa ambientalistë shprehën kundërshti për prerjen e disa pemëve në pjesën dalëse në rrugë të Parkut të Liqenit. Po ashtu ky grupim shprehu kundërshti për prishjen e rrethimit të Parkut të Pallatit të Brigadave i cili pohonin ata në atë kohë me VKM është shpallur vite “Monument Kulture”. Projekti parashikon shkatërrimin e rrethimit të parkut të Pallatit të Brigadave dhe prerjen e e pemëve në një brez 10-15 m. Natyrisht që shkatërrimi i rrethimit përfshin gjithë rrethimin origjinal me harqe, kullat prej guri, portën monumentale të Pallatit dhe vendrojat ceremoniale”, do të shprehej në atë kohë Artan Lame. Nga ana e saj Bashkia sqaronte se numri i pemëve të prera për t’i hapur rrugë realizimit të projektit me impakt në cilësinë e jetës së qytetarëve të Tiranës do të dhjetëfishohej brenda viti. Projekti që më pas edhe u realizua pavarësisht protestave të këtij grupimi ishte me gjatësi 1.7 km, me 6 korsi 2x8m si edhe me trafikndarëse prej 1.5 m. Ndonëse kauza për prerjen e disa pemëve të cilat më pas jo vetëm u zëvendësuan por u dhjetëfishuan mund të qëndronte, ajo çka mbeti fakt në këtë çështje ishte se zgjerimi i kësaj rruge krijoi jo vetëm lehtësim të ndjeshëm të trafikut por edhe ulje të kostos së lëvizshmërisë në kryeqytet.
Greva e të përndjekurve
Një tjetër protestë e fortë e kohës së qeverisjes së djathtë ishte edhe ajo e ish-të përndjekurve politikë, e cila kaloi edhe përmes grevës së urisë disa javëshe. 24 ish-të përndjekur politikë më 22 shtator 2012 nisën një grevë urie në çadrat e vendosura në ambient të hapur pranë zonës së “Komunës së Parisit”, në Tiranë. Kjo grevë nisi sipas tyre se qeveria nuk pranonte të ulej në bisedime për plotësimin e kërkesave që lidheshin kryesisht me dëmshpërblimin. Më 8 tetor 2012 grevisti Gjergj Ndreca ndërmori aktin e parë të vetëdjegës dhe vetëm dy ditë më pas i njëjti akt u përsërit edhe nga Lirak Bejko, i cili nuk mundi dot të mbijetonte më pas. Greva e ish-të përndjekurve mori fund më 22 tetor dhe çdo ditë e kësaj greve u shoqërua me tensione, presione të forta si edhe përfshirje politike. Qeveria e asaj kohe nga ana e saj i akuzoi pjesën e grevistëve si të mbështetur nga ana e PS-së, parti e cila në atë kohë ishte në opozitë. Por ajo që u vu re në këtë grevë ishte mungesa e mbështetjes nga pjesa tjetër e shoqërisë civile, e cila nuk u përfshi në një kuazë të cilën e konsiderojë të centralizuar dhe jo me interes të përgjithshëm publik. Ndërkohë grevistët patën në atë kohë mbështetjen e PS-së, e cila më shumë se sa ndikim pozitiv ndikoi në përkeqësimin e çështjes. Nisur nga kjo mbështetje, qeveria me kryeministrin Berisha të asaj kohe nuk pranoi të dialogonte me palët, duke vënë theksin tek prapavija politike. Greva e urisë se ish te përndjekurve u deklarua e mbyllur ne ditën e 31 te saj, pak pas deklaratës së Kryeministrit Berisha, që i akuzoi grevistët se kishin përfituar 900 mijë dollarë për atë që kishin bërë. Vete grevistët deklaruan si arsye te shpërndarjes se grevës gjendjen e rënduar shëndetësore dhe presionin psikologjik të policisë, por më pas rezultoi se asnjëri prej tyre nuk shkoi në spital, por në shtëpi.
Protesta kundër importit të armëve kimike siriane
Protesta popullore kundër importit të armëve kimike siriane në Shqipëri cilësohet si tubimi më kulminant i shoqërisë civile në dy dekadat e fundit në vend. Mungesa e transparencës nga ana e qeverisë lidhur me negociatat me SHBA-në dhe NATO-në për mundësinë e importimit të këtyre armëve ishte pika kyçe që solli ngritjen e qytetarëve në protestë masive. Pikënisja e kësaj proteste mbarë qytetare do të ishte deklarata e ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati i cili në një intervistë për gazetën “Le Monde” theksoi se,: “Uashingtoni i ka kërkuar Shqipërisë që të shkatërrojë armët kimike të Sirisë, por ende nuk ka një vendim nga ana e Shqipërisë lidhur me këtë kërkesë”. Mjaftoi kjo deklaratë dhe menjëherë në vend u përhap një panik i gjerë duke krijuar reagime të forta kundër vendimmarrjes së mundshme të qeverisë. Që nga ajo ditë e deri më 15 nëntor kur kryeministri Rama do të deklaronte publikisht nga selia e Kryeministrisë se Shqipëria e ka të pamundur të përfshihej në operacionin e armëve kimike siriane, do të niste një valë e fortë protestash që do shpërndahej nga kryeqyteti në të gjitha qytetet. Protesta e parë do të mbahej më 3 nëntor nga ana e Aleancës Kundër Importit të Plehrave dhe shoqatave të tjera ambientaliste por pjesëmarrja në të ishte e pakët. Deçiziv në këtë protestë mbarë popullore u treguan rrjetet sociale, ku fillimisht ishte një grup që krijoi në rrjetin social “Facebook” një fan page të titulluar “1 milionë shqiptarë kundër shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri”. Kjo faqe u krijua në datën 3 nëntor dhe për dy javë arriti më shumë se 150 mijë ndjekës, gjë e cila tregonte interesin e përgjithshëm për këtë kauzë. Protesta mbarëpopullore kundër armëve kimike siriane sigurisht që ishte një revolucion që ngjizi në mediat sociale. Informacionet, fotot dhe të rejat e fundit që përcilleshin në faqen në rrjetin social lidhur me çështjen sollën përhapjen më të madhe të revoltës qytetare. Çdo ditë në vende të ndryshme të Tiranës organizoheshin protesta që priheshin nga Aleanca Kundër Importit të Plehrave, ambientalistë, intelektualë, artistë e qytetarë të shumtë. E ndërsa qeveria ende mundohej të ishte diskrete për çështjen, qytetarët gjithnjë e më shumë rrisnin presionin kundër saj duke kërkuar mos pranimin e marrjes së armëve kimike siriane në Shqipëri. Kjo protestë u përhap me një shpejtësi të madhe në të gjitha qytetet e vendit, nga Tirana, Fieri, Elbasani, Shkodra, Korça deri tek shqiptarët në Berlin, Milano e Uashington që dolën në sheshet kryesore me të vetmin slogan: “Thuaji Jo armëve kimike”. Pas tubimeve të përditshme, në mëngjesin e 14 nëntorit 2013 në sheshin përballë kryeministrisë u vendos një numër i madh qytetarësh, aktivistësh e intelektualësh që qëndruan aty pa lëvizur për 30 orë, deri kur kryeministri një ditë më pas pasdite dha lajmin e mos pranimit të armëve kimike. Bashkimi i shoqërisë civile si edhe i grupimeve të ndryshme përtej qëndrimeve partiake solli fitoren e një kauze të madhe që ndoshta do të mbahet mend gjatë në historinë e vendit si një ndër tubimet unike që mbushi sheshin përballë Kryeministrisë për qëllime të mirëfillta civile dhe jo politike siç ndodh shpeshherë.
Devijimi i lumit Radika
Një projekt i ndërtimit hidrocentralit në “Fushën e Lukovës” që sillte devijimin e lumit Radika solli një protestë të fuqishme në dimrin e vitit 2014 nga ana e shoqërisë civile. Projekti “Fusha e Llukovës”, parashikonte devijimin e ujit, që shkonte përmes Lumit Radika dhe Pellgut të Detit të Zi në Detin Adriatik, dhe kthimin e tyre drejt Lumit Vardar dhe Detit Egje. Fillimisht ishin banorët e Dibrës të cilët nisën protestat e para sapo u bë publike nga mediat projekti për ndryshimin rrjedhës së lumit Radika dhe rrezikimin e ambientit jetësor në zonën e Dibrës. Më pas qytetarët e Dibrës morën mbështetjen e shoqatave ekologjike dhe qytetarëve të shumtë të cilët nuk nguruan të protestonin në Tiranë e madje përballë Kryeministrisë. Edhe në këtë pjesë ajo që krijoi më shumë tension mes shoqërisë civile dhe qeverisë ishte pikërisht mungesa e transparencës nga ana e kësaj të fundit. Vetëm zbulimi i raportit në media bëri të ditur negociata mes qeverisë shqiptare, qeverisë greke e asaj maqedonase për këtë projekt, që hasi në kundërshti të fortë. Kjo ashtu si në rastin e armëve kimike solli krijimin e Aleancës kundër devijimit të lumenjve që u mbështet nga organizata të tjera joqeveritare për mbrojtjen e mjedisit. Pas protestave të fuqishme duket se pati ndryshime në projektin fillestar, sa që ministri i Ambientit Jetësor në Maqedoni Abdilaqim Ademi deklaroi në atë kohë nëse projekti Fusha e Llukovës është i dëmshëm për eko natyrën, atëherë, ai do të ndërpritet. Ndërkohë nga ana e saj qeveria mohoi gjatë gjithë kohës projektin që prekte lumin Radika duke theksuar se çështja ishte një spekulim. “Nuk ka asnjë marrëveshje me palën maqedonase por ka vetëm një marrëveshje kufitare për trajtimin e ujërave. Çdo gjë tjetër është spekulim.” u shpreh në atë kohë ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri. Por reagimet e palëve maqedonase të cilat pas protestave të shumta në Tiranë theksuan se nëse projekti prek eko natyrën atëherë ai nuk do zbatohet vërtetoi se fillimisht palët kishin rënë dakord për devijimin e lumit Radika. Kjo çështje krijoi më pas edhe një protestë tjetër kundër ndërtimit të hidrocentraleve, ku madje shoqëria civile propozoi një moratorium 3 vjeçar. Sipas përfaqësuesve të Shoqërisë Civile vendimi për ndërtimin e HEC-it të Kalivaçit në Vjosë biente në kundërshtim më kërkesat e banorëve dhe jo vetëm për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar.
Protesta kundër këndit të lojërave te Liqeni
Ndërkohë që një ndër protestat që po mban prej javësh në tension marrëdhëniet mes shoqërisë civile dhe bashkisë së Tiranës është ajo që lidhet me projektin e kësaj të fundit për ndërtimin e këndit të lojërave te Parku i Liqenit. Ashtu si në rastin e armëve kimike dhe devijimit të lumit Radika, specifike në këtë çështje ka qenë sërish mungesa e transparencës kësaj radhe jo nga qeveria “Rama” por nga bashkia e drejtuar nga Erjon Veliaj. Investigimi i medieve bëri të mundur paraqitjen në publik të projektit të parashikuar nga bashkia i cili së bashku me këndin e lojërave parashikonte edhe ndërtimin e një lokali. Kjo pjesë nuk u prit aspak mirë nga shoqëria civile, e cila brenda saj në këtë çështje ka pjesëtarë si nga “revolucioni” i 2013-ës kundër armëve kimike ashtu edhe nga protestuesit e dimrit të 2014-ës kundër devijimit të lumit Radika. Menjëherë aktivistët të shumtë nisën protestat e para tek Parku i Liqenit duke shkulur edhe rrethimin e ambientit ku pritej të ndërtohet këndi i lojërave. Por në një reagim për çështjen pak kohë më parë Bashkia bëri të ditur se fillimisht ishte programuar ndërtimi i lokalit por se më pas ai ishte hequr nga projekti përfundimtar. Kjo lëvizje e bashkisë sërish nuk solli paqe te aktivistët e shoqërisë civile, të cilët shprehën kundërshti për prerjen e pemëve tek Parku i Liqenit. Në protestën e dytë tek Liqeni tensioni ishte shumë herë më i madh. Përplasja mes policisë dhe protestuesve solli edhe akte dhune të turpshme siç ishte edhe goditja me shpullë nga ana e një polici të një gruaje protestuese. Po ashtu protesta e dytë u shoqërua edhe me arrestime të disa aktivistëve, por që pas presionit të madh të anëtarëve të tjerë të grupimit, ato u lanë të lira nga ana e policisë. Vetëm pak ditë më parë u zhvillua protesta e radhës e shoqërisë civile e cila sërish kundërshtoi rrethimin e vendit ku pritet të ndërtohet projekti. Ndërkohë negocimi i bashkisë me aktivstët u ndërpre, kjo si pasojë e kunërshtive të forta në qëndrime të palëve. Nga ana e tyre aktivistët kanë theksuar prej kohësh se projekti i bashkisë është në shkelje të procedurave mjedisore. “Bëni publik planin zhvillimor për zonën “Parku i Madh i Tiranës”, të cilin Bashkia Tiranë e ka referuar në disa dalje publike duke e cilësuar si projekti për jetësimin e Parkut! Ju informojmë që ky plan është subjekt i nënshtrimit të procedurave të Vlerësimit Strategjik Mjedisor. Pezulloni punimet për zbatimin e projektit të këndit të lojërave deri në informimin dhe përfshirjen e duhur të publikut duke ndjekur procedurat ligjore të një shteti demokratik dhe zhvilloni në detaje projektin e këndit të lojërave dhe bëjeni atë publik si një dokument zyrtar”, bën të ditur dy ditë më parë kërkesat e tyre aktivistët e shoqërisë civile përmes një letre drejtuar kryebashkiakut Veliaj. Ndërsa ky i fundit përveçse i ka cilësuar si vandalë protestuesit ka bërë të ditur se këndi i lojërave do të ndërtohet pavarësisht kundërshtive. Të njëjtën linjë mbështeti dy ditë më parë edhe kryeministri Rama i cili në emisionin “opinion” tha se projekti do të kryhet. “Doni apo s;doni ju ai projekt do të bëhet”, tha kreu i qeverisë. Në këto kushte mbetet ende të shohim përfundimin e kësaj beteje të radhës: “Kush do të triumfojë në fund, shoqëria civile apo bashkia e Tiranës?”.