Kreu i Komisionit Parlamentar Edi Paloka, përmes një deklarate jashtë selisë blu, bëri me dije se opozita do të jetë e pranishmë në komisionet parlamentare vetëm nëse do të shqyrtohen aktet që u kaluan në konferencën e kryetarëve për kalendarin tre javor të punimeve. Paloka bën me dije gjithashtu gjatë një interviste për Report TV, se kërkesa e opozitës nuk ka të bëjë me kushte, por me një kërkesë legjitime për zbatimin e marrëveshjes së dhjetorit të 2014 e cila sipas tij, parashikon që mazhoranca të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. “Në këto kushte javën që vjen deputetët do të vijojnë axhendën e takimeve me qytetarët. Një ditë më parë konferenca e kryetarëve pranoi të përfshijë në kalendarin e punimeve kërkesat e opozitës, që kanë të bëjnë me amendamentin e ligjit të dekriminalizimit, atë të ligjit për komisionet hetimore si dhe respektimi i vendimit të gjykatës kushtetuese për të marrë në shqyrtim mandatet e deputetëve Koço Kokëdhima e Rakip Suli ndërsa nuk u përfshi çështja e mandatit të Valentina Leskajt. Opozita kërkon miratimin e kërkesave të saj dhe jo thjesht përfshirjen e tyre në kalendar, deri atëherë demokratët do të kenë marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin” – deklaroi kryetari i grupit të PD-së Edi Paloka.