Përbindëshi që po e terrorizon Bosnjën

I gjatë dy metra, pa gjymtyrë dhe pa fytyrë.

Policia e Derventës së Bosnjës gjendet para detyrës së vështirë: ta gjejë çka është përbindëshi i gjatë dy metra.

Banorëve të fshatit Buçani, afër Derventës, u ka hyrë frika në palcë.

– Për herë të parë e pashë përbindëshin në rrugë, para nja dhjetë ditësh, rreth orës tetë të mbrëmjes. Njëherë mendova se m’u shtir, por pasi që e pashë sërish në arë, te shtëpia, më kaploi një frikë e madhe – thotë njëri nga fshatarët.

Ai tregon se bashkë me të atin dhe një të afërm, kishin marrë disa hunj gardhi dhe kishin dalë jashtë, për të parë se për çka bëhej fjalë. Pasi që iu kishin afruar përbindëshit disa metra, ai kishte filluar të ikte dhe të lëshonte një piskamë të frikshme. Kishin tentuar ta goditnin por nuk kishin mundur.

Luftimet e kota

Këtë luftë me një armik të panjohur e kishte parë edhe gruaja e tij. Edhe ajo është e kapluar nga frika.

– Një gjë të tillë kurrë nuk kam parë në jetë. Mund të jetë gjithçka, por assesi njeri – thotë ajo.

Një plak thotë se askush në fshat nuk mban mend të ketë parë diçka të ngjashme më parë.

– Për dikë, kjo mund të jetë qesharake. Mund të mendojë se jemi çmendur, por kjo është e tmerrshme. Nuk guxojmë të dalim as në oborr, meqë nuk e dimë ku mund të gjendet ai shejtan. Edhe policia ka ardhur. Ka bërë rojë dy net me radhë. Edhe ata thonë se kishin dëgjuar piskama të tmerrshme, por nuk kishin parë gjë. Me gjasë përbindëshi është frikësuar – thotë ai.

Dyshimet

Për këtë përbindësh të fshatit Buçani, flet e tërë Derventa. Disa dyshojnë, derisa të tjerët e kthejnë krejt muhabetin në shaka.

– Kemi dëgjuar, si jo? Por, nuk besoj në gjëra të tilla. Më habit fakti që përpos atyre banorëve edhe disa policë thonë se e kanë parë atë krijesë, apo si e quajnë – thotë një banore e Derventës.

Qendra e sigurisë publike bën të ditur se policinë e kishin thirrur disa banorë të fshatit. Por, ajo nuk ka gjetur asnjë rrezik për jetët e qytetarëve, apo për pronën e tyre, thonë ata. Por fshatarët të sigurt në atë që kanë parë, thonë se që nga ajo ditë edhe kafshët janë frikësuar.

Janë frikësuar edhe kafshët

– Delet kanë marrë frikën dhe sillen çuditshëm, kurse qentë, të cilët më parë lehnin në çdo zhurmë, tani nuk lehin as kur u kalon macja para hundëve – thonë ata.

Afër këtij fshati dikur moti gjendej një mermer i dekoruar, i cili njihej te fshatarët si Varrezat e vajzave.

Ky gur i varrit ishte shkatërruar pas Luftës së Dytë Botërore, por vendasit kanë ruajtur disa gojëdhëna në lidhje me këtë varr. Thuhet se aty kanë vdekur dhe janë varrosur krushqit si dhe disa vajza, prandaj edhe quhej “Varreza e vajzave”. Pleqtë thonë se dikur aty kishin parë disa fantazma, por kjo ishte shumë kohë më parë.

Përbindëshi që po e terrorizon Bosnjën

E dhimbshme po aq sa e turpshme

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kërko