Patozi: A duhet t’i kërkojmë ndjesë Edi Ramës?

0
152

Shtypi raportoi sot se Arben Ndoka u takua me Edi Ramën, menjëherë pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ndoshta për të shkëmbyer pikëpamje për zhvillimet e fundit politike në vend dhe sidomos për reformën në drejtësi. Eshtë fakt i pakontenstueshëm se deputetit të dorëhequr i janë besuar celësat e “Rilindjes” së Lezhës, ndaj dhe nuk kemi pse e vrasim mendjen shumë për temën e saktë të takimit të tij me kryeministrin.
Disa ditë më parë të njëjtën gjë bëri Armando Prenga, i cili erdhi në seancë me kartën e deputetit në xhep për të votuar ministrat e rinj të Edi Ramës, megjithëse ky i fundit thotë se e ka përjashtuar nga partia. Një Zot e di se si kishte mundur ta siguronte kartën Prenga, kur dihet botërisht se 6 muajt e fundit ai ka qenë ose në burg, ose në shtëpi, por jo në sallën e Kuvendit. Por ky detaj mund të mos jetë aq i rëndësishëm, kur mendon se ai erdhi në parlament pikërisht në ditën që po debatohej me zjarr dhe me vezë pikërisht për rikthimin e tij, si një sfidë poshtëruese që i bëhej procesit të dekriminalizimit.
I sjell në vëmendje këto episode, pasi kam vënë re se Edi Rama ka nisur prej disa ditësh të na tundë para hundëve dorashkën e një dueli, për të cilin, përpiqet të duket se ndjehet i sigurt që e fiton. Me një ngazëllim, që i lexohet në cdo muskul, sikur të ketë zbuluar ilacin e përjetësisë politike, Edi Rama po i kërkon Partisë Demokratike që tani të tregojë se kush janë 19 kriminelët, për të cilët ajo fliste para se të votohej ligji i dekriminalizimit. A thua se po dolën 18 banditët, që ai i solli në parlament, e gjitha kauza jonë bie, madje na duhet t’i kërkojmë falje kryeministrit se i kemi shtuar pa të drejtë një kriminel me kravatë.
Dhe kjo, sipas meje, nuk është vetëm qesharake. Eshtë e frikshme, më shumë. Le ta zemë për një cast se opozita paska ekzagjeruar në akuzat e veta, ndonëse për këtë nuk jam i sigurt, sepse ende nuk ka nisur të aplikohet ligji. Le të mendojmë për një cast se ndoshta nuk do të bjerë asnjë deputet apo zyrtar i lartë i PS në carkun e dekriminalizimit, edhe për shkak se ka pasur një rezistencë të pazakontë për të lënë sa më shumë hapësira për banditët potencialë nga shefi i tyre. Se na mbajtën dy ditë peng në parlament shokët e Armando Prengës për të votuar formularin e vetëdeklarimit, ndërkohë që u kujdesën t’ia cojnë në shtëpi atij kartën e deputetit. Se duhet të votonte për qeverinë e vet ai.
Por pse more nuk mjaftojnë ata 7 apo 8 deputetë, që i njeh tashmë i madh e i vogël në Shqipëri si vrasës apo trafikantë, që gjithkush të mendojë se ky është parlamenti më i kriminalizuar në planet? Edhe një sikur të ishte, do të mjaftonte të ulje kokën, sepse askush prej tyre nuk ka ardhur rastësisht në atë sallë. Por janë kërkuar me qiri dhe janë sjellë aty personalisht nga Edi Rama, pikërisht për shkak të “cilësive të vecanta”. Të tilla, që na bëjnë të ndjehemi keq ne që s’kemi asnjë lidhje me ta, por që cuditërisht nuk e turpërojnë fare qëmtuesin dhe promovuesin e tyre. Madje, nuk e pengojnë atë të krekoset dhe të na hakërrehet, se duhet t’i bëjmë mirë llogaritë kur flasim për ta, sepse vetëm po qenë më shumë se 18 kriminelë në parlament Shqipëria duhet të shqetësohet. Ndryshe, jemi në “drejtimin e duhur”.
Dhe si për t’i vënë kapak kësaj historie të pistë, para syve tanë po shfaqen skena të neveritshme të natyralizimit të banditëve, pasi edhe të mbeturit rastësisht në rrjetën e dekriminalizimit nuk po flaken, por po riciklohen. Ne po i nxjerrim nga dera, ata na hyjnë nga dritarja, si Prenga dhe Ndoka, duke dëshmuar se Edi Rama nuk e ka pasur taktikë të përkohshme përdorimin e “të fortëve”, por një strategji permanente politike. Dhe pas kësaj që po ndodh, a ka më vlerë të pyesësh se sa është numri i kriminelëve të Edi Ramës në parlament, dhe jo vetëm aty?

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here