Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti këtë të enjte në një takim një delegacion të Komitetit Hebraik Amerikan, AJC, të kryesuar nga drejtori ekzekutiv, David Harris, me të cilin bisedoi rreth forcimit të bashkëpunimit dhe promovimit të potencialeve të Shqipërisë në botë.
Sipas një njoftimi për shtyp, gjatë takimit kryetari Meta shprehu mirënjohjen për interesin që AJC tregon ndaj Shqipërisë, duke e përfshirë vendin tonë në axhendën e aktivitetit global të tij.
Gjithashtu, Meta vuri në dukje se shqiptarët janë krenarë për kontributin e dhënë gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke shpëtuar të gjithë hebrenjtë që erdhën për t’u strehuar në Shqipëri.
Në këtë drejtim, kryetari i Kuvendit theksoi se, duke marrë në konsideratë marrëdhëniet e shkëlqyera që shqiptarët gëzojnë me komunitetin hebre në botë, si dhe partneritetin e ngushtë me SHBA, kontributi i AJC në promovimin e vlerave dhe potencialeve kulturore, turistike dhe ekonomike të Shqipërisë është i mirëpritur.
Nga ana e tij, zoti David Harris shprehu kënaqësinë për këtë vizitë të parë në Shqipëri dhe nënvizoi se Komuniteti Hebraik Amerikan, si organizatë përfaqësuese e një kombi me kujtesë të qartë historike, ndjehet thellësisht mirënjohës për atë që shqiptarët dhanë ndaj hebrenjve në të kaluarën.
Më tej bisedimet u fokusuan tek zhvillimet e fundit globale si terrorizmi, por edhe tek marrëdhëniet tregtare Shqipëri-Izrael, për rritjen e investimeve të huaja në vendin tonë.