Takimet në SHBA Basha: PD kërkon edhe reformë në drejtësi edhe zgjedhje të lira e të ndershme

0
161

 

Lideri i opozitës, i pranishëm në takimet me përfaqësuesit e lartë në SHBA, ka nënvizuar se duhet garantuar arritja e reformës në drejtësi për të vënë para përgjegjësisë zyrtarët e korruptuar

 

 

Sava Sota

Në axhendën e takimeve të tij gjatë qëndrimit në SHBA, kreu i demokratëve ka zhvilluar ditën e djeshme edhe takime me anëtarë të Kongresit Amerikan. Në diskutimet me përfaqësues të lartë të administratës amerikane, Basha solli në vëmendje ato që opozita i ka konsideruar si cështje të domosdoshme për t’u shqyrtuar nga ana e mazhorancës, duke u përqendruar arritja e reformës në drejtësi, si dhe tek garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Duke kërkuar këtë standard për balancimin e të dyja arritjeve nga kampi i së djathtës, kryeopozitari shprehu: “Pa dyshim kontributi më kryesor që Shqipëria mund të japë dhe duhet të japë është siguria e saj duke garantuar një siguri funksionale, duke garantuar shtetin e të drejtës, duke garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, duke implementuar ligjin për dekriminalizimin dhe reformën në drejtësi. Dhe kjo nuk është një çështje zgjedhjesh: O reformën në drejtësi ? O zgjedhje të lira e të ndershme? Edhe reformën në drejtësi edhe zgjedhje të lira dhe të ndershme. Reformën në drejtësi për të vënë para përgjegjësisë, para ligjit zyrtarët e korruptuar.” – deklaroi Basha. Ndërkaq, ai theksoi se në takimet me anëtarë të Kongresit Amerikan, me përfaqësues të lartë të administratës amerikane është diskutuar mbi shqetësimet për zhvillimet në Shqipëri e në veçanti sa i përket çështjes së dekriminalizimit. “Implementimit të ligjit të dekriminalizimit dhe nxjerrjes jashtë nga politika të njerëzve me rekorde të tmerrshme kriminale që u sollën aty nga Edi Rama. Si dhe për sfidën e Shqipërisë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe aprovimin e reformës në drejtësi sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias duke i hapur rrugë dialogut politik, kompromisit dhe konsensusit politik, por gjithmonë bazuar mbi rekomandimet e Komisionit të Venecias” – ka bërë me dije kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ndërsa tha se dilema nuk është reformë në drejtësi apo zgjedhje të parakohshme. “Edhe reformë në drejtësi edhe zgjedhje të lira e të ndershme. Për të vënë para ligjit kriminelët me lidhje me pushtetin, të cilët bashkërisht shkelin ligjin duke i imponuar qytetarëve një tirani dhe duke qëndruar për vete me privilegjet e tyre, me korrupsionin e tyre mbi ligjin dhe jashtë ligjit sot e gjithë ditën. Dhe nga ana tjetër zgjedhje të lira dhe të ndershme për të vënë para përgjegjësisë keqqeverisjen e këtyre tre viteve”- sqaroi kështu lideri i opozitës.

 

Mesazhi i Bashës

 

Ndërkohë, lideri i opozitës përcolli mesazhin e tij duke shprehur po ashtu edhe për mbështetjen që SHBA i ka dhënë në hapat që ka ndërmarrë Partia Demokratike: “Ky është mesazhi që dua të ndaj sot nga Uashingtoni dhe për të cilën kam marrë mbështetjen e plotë dhe të gjithanshme të partnerëve tanë dhe të përfaqësuesve të tyre në Kongresin Amerikan” – nënvizoi Lulzim Basha. Po kështu në këto takime e në veçanti në takimet në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë u shpreh mirënjohje për rolin e Partisë Demokratike, si dje në qeverisje ashtu edhe sot në opozitë sa i përket sfidave të sigurisë globale për të cilat Shqipëria ka dhënë dhe duhet të vazhdojë të japë kontributin e saj. “Në ditën e dytë të qëndrimit në SHBA, u takova me kongresmenët Dana Rohrabacher, kryetar i Komitetit për Europën në Kongresin Amerikan Robert Aderholt dhe David Jolly, me drejtorin për Ballkanin në Departamentin Amerikan të Shtetit Thomas Yazdgerdi, si dhe u prita në një takim të veçantë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë” – bëri me dije kreu i demokratëve i cili prej disa ditësh gjëndet tashmë në SHBA, për të pasqyruar problematikat që opozita ka ngritur si të rëndësishme dhe që kërkojnë edhe mbështjetjen e diplomatëve të huaj, për të gjetur një frymë konsensuale midis PD-PS.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here