Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta zhvilloi dje një vizitë në Komunën e Pejës në Kosovë, ku u takua me Kryetarin e kësaj komune, Gazmend Muhaxheri. Gjatë takimit, Meta vlerësoi iniciativat sipërmarrëse të banorëve të Pejës, ndërsa theksoi nevojën për rritjen e shkëmbimeve dhe të investimeve mes dy vendeve. “Pejanët janë sipërmarrës të shkëlqyer. Do të shtojmë shkëmbimet mes dy vendeve. Ndërsa do të nxisim pejanët që të investojnë në Shqipëri në sektorin e bujqësisë”, – tha ai. Ndërkaq, në një prononcim të shkurtër për mediat gjatë vizitës në Pejë, kryetarlamentari komentoi edhe situatën politike në Kosovë, duke thënë se kriza politike duhet të gjejë zgjidhje përmes dialogut. Sipas Metës, imazhi i mirë i Kosovës i kontribuon edhe Shqipërisë. “Zgjidhja është gjithmonë përmes dialogut, respektimit të institucioneve dhe bashkëpunimit. Besoj se kanë ende mjaft hapësira për të rivendosur dialogun dhe për të punuar për zgjidhje të përbashkëta, sepse të gjithë besojmë se të gjitha forcat politike janë të përkushtuara për të mirën e Kosovës”, – deklaroi kreu i Kuvendit.