Bashkia e Tiranës nuk ka leje mjedisore për ndërtimin e këndit të lojërave në Parkun e Gjelbër të Liqenit Artificial në Tiranë
Ky fakt i është bërë i ditur aktivistëve të shoqerise civile nga Ministria e Mjedisit, në përgjigje të kërkesës së rreth 140 qytetarëve. Në një përgjigje me shkrim të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, strukturë e ministrisë, thuhet se nuk është bërë asnjë aplikim për leje mejedisore për ndërtimin e këndit të lojërave.
“Projekti i ndërtimit të parkut të lojërave prej betoni tek liqeni i Tiranës, prek dhe shkel disa ligje të Republikës së Shqipërisë. Midis tyre janë edhe dy ligje mjedisore. Ligji nr. 10448 “Për Lejet e Mjedisit” dhe Ligji nr. 10440 “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”. Ky projekt duhej të ishte pajisur me Leje Mjedisore të tipit C dhe të kryente të paktën procedurën paraprake të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis. Për kryerjen e këtyre procedurave një nga autoritetet që duheshin informuar dhe përfshirë është pikërisht Agjencia Kombëtare e Mjedisit”, thuhet në një reagim në Facebook të grupimit “Qytetarët për parkun”.
Ndërkohë shoqëria civile vijon protestat kundër këtij projekti, ku shumë të rinj prej disa ditësh janë stacionuar në çadra pranë liqenit për të ndalur betonizimin e tij.